Mbledhje urgjente e Komisionit për Media, propzohet t’i merret licenca kompanisë ‘Artmotion’ pas bashkëpunimit me Telekomin e Serbisë

0
58
Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media i Kuvendit të Republikës së Kosovës, sot ka mbajtur një mbledhje urgjente, pasi kompania ‘Artmotion’ ka blerë të drejtat e transmetimit të Champions League dhe Europa League brenda territorit të Republikës së Kosovës në gjuhën serbe nga Telekomi i Serbisë, edhe përkundër faktit që të drejtat për transmetim brenda territorit të Republikës së Kosovës në gjuhën shqipe i ka fituar kompania “KUJTESA NET”.

Në këtë mbledhje kanë qenë të pranishëm edhe nga Këshilli i Pavarur i Mediave, të cilët kanë thënë se janë në dijeni rreth kësaj çështje, megjithatë sipas tyre duhet të pritet përgjigja e UEFA-s lidhur me këtë çështje.

Kryetari i këtij Komisioni, Nait Hasani, ka thënë se UEFA nuk ka të drejtë që të drejtat për transmetim brenda territorit të Republikës së Kosovës t’ia jap Serbisë.

Sipas Hasanit është skandaloze që brenda territorit të Republikës së Kosovës të transmetohet Champions League dhe Europa League në gjuhën serbe.

“Nëse të drejtat janë dhënë për serbisht për territorin e Kosovës, pse atëherë UEFA me e hap një tender të dytë me i dëmtu kompanitë kosovare”, ka thënë Hasani.

Valon Ramadani anëtar i këtij komisioni nga Lëvizja Vetëvendosje, ka propozuar që për këtë shkelje t’i hiqet licenca kompanisë ‘Artmotion’, dhe një kohësisht ka thënë që t’i dërgohet UEFA-s një notë proteste.

“ Këto janë dy veprime të kundërligjshme që e shkelin Kushtetutën tonë. Njëra është nga UEFA dhe tjetra nga Artmotion ose nga Devolloët. Ata që e marrin në këtë formë tenderin mendoj që kanë bërë shkelje. Kërkoj nga KMP-ja që Artmotion të iu merret licenca. Mendoj që Artmotion duhe të i’u merret licenca, sepse kanë bërë veprim të kundërligjshëm. Ne si komision duhet të marrim edhe hapa tjerë. T’ia dërgojmë UEFA-s një letër proteste, për shkak se nëpërpjet Serbisë bëhet transmetimi në territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Arban Abrashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se për këtë çështje duhet të pritet një sqarim i UEFA-s për këtë çështje dhe më pas të merret një vendim nga Komisioni për Media.

Si përfundim kryetari i Komisionit për Media, Nait Hasani , ka thënë se duhet të merret një përgjigje nga UEFA, nëse në këtë çështje ka shkelje.

“Komisioni duhet të reagojë në mënyrë urgjente nga UEFA. Në emër të Komisionit t’i drejtoheni UEFA-s, të marrim përgjigje nëse ka pasur shkelje. Të kemi përgjigje nga KMP-ja që të marrim masa ndaj operatorëve nëse ka shkelje. Sepse kemi dy vite të ndryshme kur është dhe një ofertë për territorin e njejtë. Varësisht prej shkeljeve atëherë të marrim masa” ka thënë Hasani.

Ai ka thënë se presin nga KMP-ja një përgjigje lidhur me këtë çështje në afat sa më të shpejtë.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here