Veseli: Ndarja nuk është dilemë e jona, por grackë e kundërshtarëve

0
19

Kryeparlamentari Kadri Veseli i ka dhënë shumë rëndësi ditës së Demokracisë, duke e mbushur kuvendin me aktivitete, ani pse nuk po mbushet me deputetë, e seancat po dështojnë një pas një. Veseli ka dërguar mediave një shkrim autorial mbi demokracinë, ndërsa ka përmendur edhe gjendjen politike të krijuar për shkak të dialogut me Serbinë.

Veseli shkruan se dilemat e fundit për ndarje të Kosovës janë gracka të kundërshtarëve, transmeton Gazeta Express.

“Fryma e përjashtimit reciprok, të cilën aktualisht jemi duke e parë në mjedisin tonë politik,është një rrugë pa krye. Politika e qorrsokakut askujt nuk i shërben dhe të gjithë do të dalim të humbur nëse nuk hiqet dorë prej saj”, thuhet në opinionin e Veselit.

Shkrimi i plotë i Veselit:

Kuvendi i Kosovës, tanimë, ka krijuar një traditë shumë të mirë të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë. Kjo ditë merr një rëndësi të veçantë në kontekstin e shoqërive e shteteve me demokraci të re, siç është vetë shoqëria kosovare.

Demokracia përbën modelin më të mirë të qeverisjes në historinë politike të njerëzimit. Të gjitha modelet tjera politike që kanë synuar ta zëvendësojnë, kanë dështuar njëra pas tjetrës. Sigurisht, do të dështojnë edhe modelet që sot përpiqen të rivalizojnë me demokracinë. Arsyeja, pse kjo ka ndodhur dhe do të ndodhë edhe në të ardhmen, është shumë e qartë: vetëm demokracia arrin të sigurojë një qeverisje e cila nuk e cenon vlerën më të lartë të individit dhe të shoqërive- lirinë.

Ne besojmë në këtë ide, prandaj kemi zgjedhur që të jemi pjesë e botës demokratike, sinonim i të cilës janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Aleanca Veri-Atlantike dhe Bashkimi Evropian.

Nuk kemi asnjë dilemë dhe asnjë hezitim në këtë vizion.

Por, demokracia para se të jetë ide, është praktikë reale, është mënyrë specifike e qeverisjes dhe mënyrë e jetesës në liri.

Është pikërisht ky dimension që nganjëherë duket se e harrojmë. E kemi gojën plot demokraci, e në anën tjetër lejojmë të na ndodhin gjëra që nuk korrespondojnë me frymën praktike të demokracisë.

Ndërsa e them këtë, fjalën e kam pikërisht te skena jonë politike e cila tash e një kohë të gjatë po ka vështirësi serioze në tejkalimin e polarizimit të dëmshëm partiak.

Në demokraci, dallimet politike janë të ligjshme, por kur ato nuk konkludojnë me konsensus, shndërrohen në rrezik për rendin demokratik. Interesat partiake janë legjitime në demokraci, por ato de-legjitimohen sa herë që dalin mbi interesin publik.

I përmenda këto parime, për të dalë tek çështja aktuale e dialogut me Serbinë.

Na duhet të ulemi dhe të gjejmë gjuhën e përbashkët në përballje me sfidat e këtij dialogu. Të ulemi, ashtu siç kemi bërë gjithmonë në të kaluarën dhe kemi pasur sukses. Fryma e përjashtimit reciprok, të cilën aktualisht jemi duke e parë në mjedisin tonë politik,është një rrugë pa krye. Politika e qorrsokakut askujt nuk i shërben dhe të gjithë do të dalim të humbur nëse nuk hiqet dorë prej saj.

Dilemat e ngritura mbi rrezikun për ndarjen e Kosovës nuk janë të qëndrueshme. Realisht, nuk janë dilema tona. Janë gracka të kundërshtarëve të lirisë dhe pavarësisë sonë.

Kosova është shtet i pavarur dhe sovran.

Deklarata e Pavarësisë e 17 Shkurtit është deklaratë e shenjtë për popullin tonë. Prandaj, si e tillë, është e paprekshme. Është e pacenueshme, siç janë gjërat e shenjta.

Kosova ka integritetin e saj territorial, të njohur ndërkombëtarisht.

Ka Kushtetutën e saj demokratike dhe askush nuk ka mandat të marrë vendime që bien ndesh me parimet themelore të saj. Prandaj, duke marrë parasysh këto parime të cilat na bashkojnë, është koha të ulemi dhe sëbashku ta trasojmë rrugën përpara. Këtë e presin sot qytetarët nga ne. Ky është obligimi ynë për të cilin kemi marrë mandatin prej tyre.

Një gjë duhet ta kemi të qartë: Ose do ta respektojmë dhe zbatojmë këtë obligim, ose nuk kemi arsye të qëndrojmë në ulëset e Kuvendit e të Qeverisë, asnjë ditë të vetme. Rrugë të tretë nuk ka.

Ky tekst është fjalimi që kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli e ka mbajtur sot në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here