Për dialogun pritet të diskutohet edhe në SHBA

0
33

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj kanë udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Me këtë rast krerët shtetërorë të Kosovës do të kenë mundësi të takohen me liderë të vendeve tjera.

Në takimet bilaterale që do t’i ketë me përfaqësuesit ndërkombëtarë në SHBA kreu i shtetit Hashim Thaçi pritet që si temë të diskutimit ta hapë edhe idenë e korrigjimit të kufirit me Serbinë, gjegjësisht të kërkojë përkrahje lidhur me këtë çështje.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike në vend, të cilët megjithatë mbeten skeptikë se kreu i shtetit do ta sigurojë këtë mbështetje, veçmas kur kihet parasysh fakti që disa shtete me ndikim si Gjermania e Britania tashmë janë deklaruar fuqishëm disa herë kundër këtij opsioni.

Në anën tjetër Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), në kuadër të projektit për dialog ka vlerësuar se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në takimet që do t’i ketë me krerët e shteteve të ndryshme të botës në SHBA do ta hapë edhe çështjen e dialogut, respektivisht idenë e korrigjimit të kufirit me Serbinë.

“Me siguri që liderët e shtetit tonë në takime, sidomos me përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, të Gjermanisë etj, do t’i përmendin këto përpjekjet e tyre për ta arritur një marrëveshje me Serbinë në kuadër të dialogut. Ndoshta do të përmendet edhe ideja e presidentit Thaçi lidhur me korrigjimin e kufijve. Por ta shohim pastaj se cilat do të jenë mesazhet që do t’i marrin nga këto takime”, ka theksuar ajo për “Zërin”.

Sipas Haxhollit, qëndrimi i Gjermanisë lidhur me idenë e korrigjimit të kufirit tashmë dihet se është kundër, ndërkohë ai i SHBA-së ende nuk është i kristalizuar.

“Momentalisht Gjermania është deklaruar kundër kësaj ideje. Sekretari Bolton ka deklaruar që e përkrah çdo marrëveshje që Kosova e arrin me Serbinë, por ende nuk ka ndonjë sinjal konkret nga SHBA-ja se a e përkrahin këtë ide”, ka theksuar ajo.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here