Sot 50 vjet nga 6 tetori ’68, përdorimi i lirshëm i flamurit kombëtar, flet Remzi Baloku

0
90

Shënohet sot gjysmë shekulli nga lejimi i përdorimit të lirshëm të flamurit kombëtar, atëbotë në Kosovën brenda kufijve të Jugosllavisë së kohës.

Breza e breza ndër vite e dekada do të sakrifikoheshin, persekutoheshin, burgoseshin e vriteshin në përpjekje për flamur e liri.

Remzi Baloku, i dënuar me 10 vite burg për flamur kombëtar, duke folur në emisionin ‘Alo Mirëmëngjesi’ të Radio Dukagjinit, ka rrëfyer se nisma për përdorim të flamurit kombëtar kishte filluar shumë më herët se viti 1968.

Sipas Balokut, sot 85 vjeçar, flamuri i parë kombëtar fillimisht ishte ngritur në Pejë në vitet 1946-47, për të vazhduar më pas në Prizren dhe Prishtinë.

Në 6 tetorin e vitit 1968 kur zyrtarisht do të lejohej përdorimi i lirshëm i flamurit, Remzi Baloku do gjendej në Burgun e Pozharevcit bashkë me politikanin e njohur slloven Jozhe Puçnik.

‘E prita mirë lajmin në burg. Nuk u kënaqa me këtë sepse ne ideal e kishim bashkimin e trojeve shqiptare, por u vërejt se diçka po lëvizë. Në vitin 71, kur u lirova, ishte ora 01 pasmesnate kur unë kam arritur në Pejë. Tek ura e zallit kishin dalur qindra njerëz për të më pritur, aty e pashë se vetëdija e popullit nuk kishte të ndalur dhe gjërat po ndryshonin. Diçka u nis”, thotë Baloku.

Sipas Balokut, flamuri shtetëror i Kosovës duhet respektuar deri sa ti vije koha që të paloset në muze dhe Kosova të bashkohet me Shqipëri bashkë me trojet tjera.

‘Ky flamur i shtetit duhet të respektohet. Një ditë do të shkojë në muze dhe ne do ta kemi një flamur, këtë që e kemi kombëtar. Trojet tona do të bashkohen. Brezat duhet të punojnë për këtë”, thotë tutje Remzi Baloku.

Baloku më tej shton se sot klasa jonë politike duhet të bashkohet përballë Serbisë, pozitë e opozitë të jenë bashkë dhe të mos negociojnë asnjë çështje kompromisi, përveç se të kërkojnë dëmshpërblim dhe borxhe që Serbia i ka ndaj Kosovës dhe popullit të saj.

“Opozita të bashkohet me pozitën. Të jemi një përballë Serbisë se Serbia edhe sot po punon”, përfundon Baloku.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here