Pas renovimit studentët nisin të ushqehen në mensë

0
48

Mensa është vendi ku shumica e studenteve ushqehen gjatë studimeve. Ndonëse viti i ri akademik ka filluar me 1 tetor, Mensa nuk është hapur në këtë datë, për shkak të renovimeve të cilat kanë qenë duke u bërë. Mirëpo, nga sot të gjithë studentët të cilët kanë paguar për t’u ushqyer aty, sot kanë ngrënë shujtat e para për të cilat kanë paguar.

Studentët që jetojnë në konviktet e Qendrës Studentore të Prishtinës, por edhe ata që nuk kanë pasur fatin të pranohen në konvikte, do të ushqehen në Mensë që nga dita e sotme.

Për 15 euro në muaj, studentët kanë mundësi të hanë ushqime të ndryshme që ofron Mensa, të cilat shërbehen në drekë dhe darkë, me një meny të pasur me shumë lloje të ushqimeve, duke filluar me supë, fruta, lëngje e gjellëra të ndryshme të cilat studentët kanë mundësi t’i zgjedhin sipas dëshirës.

Sipas drejtorit të Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, Mensa ka kapacitet të ushqejë rreth 5500 studentë, duke përfshirë këtu edhe studentët që nuk janë pranuar në konvikte.

“Mensa ka kapacitet për afro 5500 studentë, 4000 është numri i atyre që banojnë në konvikte, ndërsa 1500 studentë të cilët banojnë nëpër banesa private kanë mundësinë të ushqehen në Mensë  gjithashtu”, ka thënë Sfishta.

Besa, studente e Fakultetit të Edukimit ka thënë për Express se i pëlqen ushqimi në Mensë dhe se ky është viti i tretë që ajo ushqehet aty.

“Është viti i tretë që ushqehem këtu, ushqimi është shumë i mirë. Nëse vjen më herët është ushqimi më i nxehtë, nga fundi ftohet pak por kjo është e kuptueshme sepse ka shumë studentë që ushqehen këtu”, ka thënë Krasniqi.

Një student tjetër ka thënë se sot është dita e tij e parë që ushqehet në Mensë, pasi është student i vitit të parë, mirëpo tha se sipas shoqërisë së tij ushqimi aty është i mirë.

“Unë jam student i Fakultetit Teknik, jam në vitin e parë të studimeve dhe kam vendosur të ushqehem në Mensë sepse nuk kam mundësi të ha çdo ditë jashtë si dhe shokët më kanë thënë që ushqimi këtu është i shijshëm”, ka thënë Kushtrimi.

Stafi i punonjësve të Mensës së Studentëve që përgatisin ushqim dhe që kujdesen për shërbimin e ushqimit është rreth 80 persona, gra e burra, shumica e të cilëve punojnë aty tashmë me vite të tëra.

Përkundër kësaj, ata thonë se kjo punë më shumë se lodhje ju falë kënaqësi dhe ndjenjë të mirë, kur shërbejnë me ushqim gjithë ata studentë.

“Unë punoj këtu që shumë vite, nuk lodhem hiç sepse më pëlqen t’u shërbej studentëve. Mundohem që të jem korrekte në ndarjen e ushqimit për ta, sepse më duken si fëmijët e mi”, tha një punonjëse e Mensës.

Nga Mensa thonë se këtë vit kanë futur në meny disa ushqime të reja dhe se kjo meny respektohet sipas orarit të caktuar për çdo ditë të javës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here