Maqedoni: Shumicë prej dy të tretave tani, ose zgjedhje

0
83

Vazhdojnë orvatjet për grumbullimin e dy të tretës së shumicës në Parlamentin e Maqedonisë i nevojshëm për miratimin e ndryshimeve kushtetuese në pajtim me Marrëveshjes së Prespës dhe evitimin e zgjedhjeve të reja të parakohshme. Pushteti nuk heq dorë, ndërsa fakt për këtë është edhe fillimi i paralajmëruar për sot i punës së Komisionit për çështje kushtetuese, e cila duhet ta shqyrtojë propozimin për inkuadrim drejt ndryshimeve kushtetuese, shkruan sot agjencia e lajmeve e Maqedonisë MIA.

Presioni për votat shtesë nuk zvogëlohet, nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër qëndrimet e VMRO-DPMNE-së opozitare që plasohen në opinion mbeten të njëjta se referendumi ka treguar se qytetarët nuk e pranojnë Marrëveshjen e Prespës dhe se kjo duhet të respektohet nga të gjitha deputetët dhe funksionarët.

Mesazhet nga bashkësia ndërkombëtare janë dy e treta e shumicës në vend të zgjedhjeve të reja që të shfrytëzohet kjo shansë e vetme për fillim të bisedimeve me BE dhe anëtarësim në NATO

Kryeministri Zoran Zaev sot deklaroi se nuk mund të konfirmojë nëse është arritur shumicë prej dy të tretave për sjelljen e ndryshimeve kushtetuese të cilat janë obligim nga marrëveshja e Prespës, por shfaqi optimizëm se përmes debatit inkluziv, siç tha, do të fitojë elementi progresiv.

“Këtë nuk mund ta thotë askush. Kjo mund të thuhet në momentin e vendimmarrjes, natyrisht përmes debatit në Parlament. Unë besoj dhe do të shohim të gjithë nëse kjo shumicë ekziston ose jo. Nuk do të lejojmë asgjë që të prishet. Ne biseduam me shumë deputetë, personalisht unë kam biseduar, ndërsa edhe deputetët me deputetët dhe pamë se ekziston një masë e bukur progresive e deputetëve që është motiv mjaft serioz dhe arsye për t’i hapur procedurat siç atë e bëri dje Qeveria. Këto ditë shpresoj që Parlamenti shpejt do të caktojë Komision kushtetues që të mund të hapet debati. Unë pres edhe gjatë pjesë kreative të deputetëve përmes debatit kushtetues të krijohet atmosferë e favorshme për të gjithë që të mund të formohet kjo shumicë prej dy të tretave që do të duhet të formohet përmes rrugës natyrore”, tha Zaev..

Ai shtoi se në këtë kontekst duhet t’i largojë, siç theksoi, të gjitha spekulimet, që ishin mbi kokën e shumë deputetëve për disa para, situata të pakëndshme…

Përsëriti se të gjitha shpresat ia jep Parlamentit, por si opsion i fundit mbeten zgjedhjet e shpejta të parakohshme.

“Jam optimist dhe jam i relaksuar. Maqedonia e jeton kohën të bukur historike ku qytetarët kanë mundësi dhe të drejtë të vendosin. Vendosën. Dje Qeveria vendosi dhe tani Parlamenti do të vendosë. Nuk ka kthim mbrapa sepse nuk ka alternativë dhe opsion tjetër nga integrimi në BE dhe në NATO”, porositi kryeministri Zoran Zaev, i cili mori pjesë në debatin të titulluar “Ura ose mure? Maqedonia dhe Ballkani Perëndimor në Evropë” të organizuar në kuadër të Forumit për shoqëri civile, Shkupi 2018. .

Ndryshimet kushtetuese që i propozon Qeveria përmbajnë zgjidhje të cilat korrespondojnë me Marrëveshjen e nënshkruar me Greqinë dhe me përmbajtjen e saj, përshtaten me parimet themelore kushtetuese dhe nuk janë në kundërshtim me to, vlerëson akademiku Vllado Kambovski. Pret që deputetët në Kuvend të vendosin, siç tha, jo me urdhër të shefave të tyre partiakë, por në bazë të ndërgjegjes, njohurive dhe parashikimeve të tyre dhe për shkak të interesave të shtetit.

Akademiku pret që deputetët në Kuvend të vendosin, siç tha, jo sipas diktimit dhe me urdhër të shefave të tyre partiakë, por në bazë të ndërgjegjes, njohurive, parashikimeve të tyre, duke marrë parasysh në këtë rast interesat e shoqërisë në tërësi dhe gjeneratat e ardhshme.

Mesazh dje arriti edhe nga kancelarja gjermane Angela Merkel

Marrëveshja e Prespës ofron mundësi historike për Maqedoninë dhe për përforcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, theksoi kancelarja gjermane Angela Merkel në letrën dërguar kryeministrit të Maqedonisë Zoran Zaev.

“Më 30 shtator një shumicë e madhe e qytetarëve, mbi 90 për qind e atyre që morën pjesë në referendum votuan “pro” marrëveshjes me Greqinë. Marrëveshja ofron mundësi historike dhe përforcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Kjo gjithashtu e largon pengesën kryesore për afrimin e vendit drejt BE-së dhe NATO-s. Tani është e rëndësishme që të ndërmerren hapa shumë të rëndësishëm për implementimin e marrëveshjes për emrin me miratimin e amendamenteve të domosdoshme kushtetuese. Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me ju që ta realizojmë këtë qëllim”, citon Merkel në letrën dërguar Zaevit, të publikuar në ueb faqen e Qeverisë gjermane.

Eurokomisari për Zgjerim, Johanes Han, në intervistë për “Standardin” austriak  thotë se është i njohur me kanosjet nga ana e opozitës kundër deputetëve që dëshirojnë ta dalin nga vija partiake dhe ta përkrahin Marrëveshjen me Greqinë në Kuvend. Ai nga VMRO-DPMNE-ja  kërkoi që të heqin dorë, nga siç tha ai, qasja konstruktive dhe interesat e vendit dhe të qytetarëve t’i vendosin para interesave partiake. Shton se partia do të mbajë tërësisht përgjegjësinë për mbylljen e dyerve të BE-së për Maqedoninë, nëse marrëveshja nuk kalon.

Ai rikujton se integrimi euroatlantik është qëllim deklarativ i VMRO-DPMNE-së, por se partia këtë duhet që ta tregojë në vepër dhe se Marrëveshja me Greqinë i hap pikërisht dyert për integrimin në BE dhe në NATO.

Han konsideron se zgjedhjet e parakohshme bartin rrezik për mosrealizimin e afateve të vendosura për Marrëveshjen për emrin dhe thotë se dyshon nëse Greqia do të ketë mundësinë që ta miratojë në Parlamentin e saj. Ai shtoi edhe se zgjedhjet e reja nuk janë garanci për dy të tretën e shumicës të nevojshme.

“Tani ekziston mundësia që duhet të shfrytëzohet, në të kundërt kjo mundësi e vetme që të kalojë Marrëveshja dhe me këtë të hapet rruga për anëtarësim në BE mund të humbet për një kohë të gjatë, mundet të humbet edhe përgjithmonë”, deklaroi Han.

Ai shton se VMRO-DPMNE-ja do të jetë tërësisht përgjegjëse për këtë skenar dhe për mundësinë e humbur që është e rëndësishme jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për tërë rajonin.

Marrëveshja e Prespës Janis Armakolas i ELIAMEP, një njohës i mirë i Ballkanit është baza për miqësi midis dy vendeve. Ajo është disi e papëlqyeshme në të dyja vendet, por është e rëndësishme jo vetëm për të dy vendet, por edhe për rajonin, thotë Armakolas.

Ai në debatin e sotëm me titull: “Ura apo mure? Maqedonia dhe Ballkani Perëndimor në Evropë “, organizuar në kuadër të Forumit për Shoqëri Civile Shkup 2018, ku ai mori pjesë si panelist së bashku me kryeministrin Zoran Zaev, tha se pret që zbatimi i Marrëveshjes në Greqi të jetë “çështje e ndjeshme “, por se ai është optimist.

“Duhet të jemi të sinqertë dhe kjo është baza për miqësi në të ardhmen. Marrëveshja nuk është popullore në Greqi dhe do të jetë po aq e ndjeshme ashtu siç është këtu tani dhe në javët e ardhshme. Por unë personalisht kam mësuar të jem më optimist me këtë proces negociatash që po ndodh midis dy vendeve gjatë dy viteve të fundit, sepse gjërat po ndodhin”, tha Armakolos.

Lideri i Demokracisë së re opozitare, Kirjakos Micotakis dje deklaroi se kryministri grek Aleksis Cipras ka bërë lëshim kombëtar me gjuhën dhe kombësinë maqedonase, si asnjë Qeveri e mëparshme që nuk ka qenë e gatshme ta bëjë

“Në qoftë se do të kishe biseduar me popullin grek do ta dëgjoje ndjeshmërinë e tij, shqetësimin e tij dhe nuk do të vazhdoje me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës. Do të kuptoje se lëshimi për gjuhën dhe kombësisë maqedonase të vendit fqinj paraqet një lëshim shumë të madh të rëndësishëm kombëtar. Lëshim kombëtar siç nuk ishte e gatshme ta bëjë asnjë Qeveri paraprake. Ndërsa e bëri zoti Cipras”, tha lideri i partisë opozitare greke, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve.

Micotakis ka përsëritur se Demokracia e Re, nuk do ta ratifikojë Marrëveshjen e Prespës as në Parlamentin e tanishëm, as nëse mbetet për Parlamentin e ardhshëm. /MIA/

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here