Shkoi në Francë për t’i gjetur ilaç djalit, u vra nga gruaja me sëpatë në kokë

0
138

Para më shumë se gjashtë viteve, Artan Sekiraqa, nga Prishtina, kishte marrë rrugën për në Gjermani bashkë me gruan Suzanën për shërimin e djalit të vetëm të tyre. Në shtetin gjerman Artani kishte kërkuar azil për familjen e tij. por kjo kërkesë i ishte refuzuar nga autoritetet atje. Kështu ka nisur historia në mërgim e Artanit, i cili, pas gjashtë viteve, dyshohet se u vra me sëpatë nga gruaja e tij, Suzana, të shtunën që shkoi në Francë. Gazeta Express ju sjell rrëfimin e familjes.

Familja Sekiraqa nga Prishtina ka hapur dyert për t’i pritur njerëzit që i shkonin për ngushëllime pas vrasjes së djalit të tyre, Artanit, 33 vjeç, nga gruaja e tij Suzana, ani pse trupi i pajetë i Artanit ende nuk është sjellë në vendlindje për ceremoninë e varrimit. Ende askush nuk po i di arsyet që çuan në këtë ngjarje të rëndë.

Gazeta Express, gjatë ditës së sotme ka qëndruar në shtëpinë e viktimës. Familjarët i treguan gazetës se trupi i pajetë i Artanit ende nuk është kthyer në Kosovë. Madje ata nuk e dinë as se kur trupi do t’i kthehet familjes. Por, historia në mërgim e Artan Sekiraqës, 33 vjeç, kishte nisur qysh para gjashtë viteve.

Shtëpia e Artanit të vrarë

Ai ishte martuar në Kosovë me Suzana Zogianin. Pas një kohe martesë, çifti e lindi një djalë. Por sipas familjarëve Artani bashkë me Suzanën disa vite pas lindjes së djalit morën rrugë drejt Gjermanisë. Gjithë kjo për t’ia gjetur ilaçin djalit të tyre, ngase të njëjtit i ishin shfaqur disa probleme shëndetësore, intervenimi i të cilave mund të bëhej vetëm jashtë Kosovës. Menjëherë pasi shkuan në Gjermani, familja Sekiraqa aplikoi për azil, por aty u refuzuan nga autoritetet gjermane. Kështu, Artani bashkë me familjen treanëtarëshe, morën rrugë drejt Francës, për t’u sistemuar atje.

Familja hap të pamen

E në këtë shtet Artani e gjeti vdekjen. Ai dyshohet se u vra me sëpatë nga gruaja e tij Suzana, gjatë së shtunës së kaluar. Askush nga familja nuk po e di se pse ka ndodhur kjo tragjedi, ani se nga familja deklarojnë se çifti disa herë kishin pasur probleme me njëri-tjetrin.

“Para gjashtë viteve ka kërkuar azil në Gjermani për me kërkua shërim për djalin e sëmurë. Atë kohë ka dalë bashkë me nusën. Djali diçka në kokë pat pasë. Aty nuk e pranojnë edhe shkon në Francë. Atje e lindin edhe vajzën. Me nusen qysh na e dimë janë njoftua vetë”, rrëfehen në kushte anonimiteti nga familja e Artanit të vrarë.

E menjëherë pas vrasjes së burrit, Suzana, mori fëmijët dhe u kthye për në Kosovë, ku në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Gjykata franceze, ajo u arrestua në Prishtinë nga zyrtarë të Policisë së Kosovës. Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka shqiptuar një muaj paraburgim të pandehurës Suzana Zogiani-Sekiraqa.

Për të njëjtën ekziston dyshimi i bazuar se me datë 21.09.2018, në banesën e saj në Francë ku ishte duke jetuar së bashku me bashkëshortin e saj, me dashje e ka privuar nga jeta në mënyrë mizore bashkëshortin e saj, Artan Sekiraqa, duke e goditur me sëpatë në regjionin e kokës, me ç’rast i njëjti kishte mbetur i vdekur.

Prokurori i këtij rasti, Armend Hamiti, deklaroi për Express, se e dyshuara gjatë ndalimit nuk është marrë në pyetje nga ana e prokurorisë. Hamiti ka deklaruar se ajo ka vendosur të mbrohet në heshtje. “Nuk e kemi marrë në pyetje. Ka vendosur të mbrohet në heshtje. Tash ne po i presim autoritetet franceze nëse kanë ndonjë kërkesë për ekstradim të të dyshuarës”, i tha gazetës prokurori i këtij rasti.

Kujtojmë se mediat franceze më 4 tetor të këtij viti kishin raportuar se trupi i Artan Sekiraqës, 33 vjeç, është gjetur të shtunën pasdite i vdekur në një dhomë në apartamentin në katin e tretë, në rrugën Grande Rue 39 A në Dole, në krahinën e Juras në Francë.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here