Zaev: Tani është koha që të gjithë që janë pro NATO-s dhe BE-së t’i mbështesin ndryshimet kushtetuese

0
15

Tani ka ardhur koha që të gjithë të cilët janë pro NATO-s dhe BE-së të mbështesin ndryshimet dhe së bashku, vetëm së bashku ta çojmë Maqedoninë përpara, porositi sot kryeministri Zoran Zaev në seancën e Komisionit parlamentar për çështje kushtetuese ku në rend dite është Propozimi për qasjen e ndryshimeve të Kushtetutës në përputhje me Marrëveshjen e Prespës, raporton MIA.

Zaev, duke e elaboruar propozimin e Qeverisë, theksoi se nga shqyrtimi dhe nga reagimet e deritanishme të opinionit nuk ka asgjë kontestuese në propozimin për ndryshimet kushtetuese, që me vendimin e Qeverisë menjëherë është shpallur, duke ju bërë thirrje deputetëve të bashkohen rreth qëllimeve strategjike të vendit. Për opinionin profesional dhe ekspertët, tha ai ndryshimet janë sipas standardeve ndërkombëtare.

“Kjo iniciativë është ngritur në përputhje me ligjet dhe procedurat institucionale për ndryshimet kushtetuese”, tha Zaev i cili potencoi se deputetët janë ata të cilët duhet ta përcaktojnë të ardhmen e vendit drejt NATO-s dhe BE-së dhe se duhet të deklarohen sipas bindjes së tyre dhe sipas vullnetit të qytetarëve pa iu nënshtruar asnjë presioni”, tha Zaev.

Me zgjidhjen e kontestit për emrin me Greqinë, theksoi, është ndërtuar miqësi midis dy vendeve dhe është tejkaluar kontesti shumëvjeçar me çka vendi del nga izolimi dhe hap perspektivat euroatlantike.

“Vendimi juaj do ta çojë në histori referencën IRJM. Përfitimi nuk ka çmim – identitet të përforcuar dhe garanci për siguri, zhvillim të garantuar ekonomik dhe prosperitet për ardhmërinë e qytetarëve tanë. Identiteti i Maqedonisë është i mbrojtur për shekuj e shekuj. Marrëveshja parasheh vërtetim për gjuhën maqedonase në KB – macedonian, pa fusnota, e njohur dhe e pranuar edhe nga fqinji ynë jugor Republika e Greqisë. Kontributi ynë ndaj kompromisit është përkufizimi preciz i emrit maqedonas për shtetin tonë, që është dinjitoz dhe i precizuar gjeografikisht – Republika e Maqedonisë Veriore”, tha Zaev.

Kujtoi se hapat e para tanimë janë bërë me ratifikimin e Marrëveshjes në Kuvendin e Maqedonisë dhe letra që pasoi nga ana greke deri te Këshilli Evropian se janë shmangur pengesat për të marrë datën e bisedimeve, me çka edhe e morëm, si dhe ftesën për anëtarësim në NATO në samitin e korrikut.

“Në janar na pret një karrige në Samitin e NATO-s menjëherë pas nënshkrimit të protokollit për aderim. Për të nënshkruar atë na duhet zbatim i iniciativës për ndryshimet kushtetuese në Kuvend. Me këtë do të realizojmë një nga qëllimet më të larta strategjike të Maqedonisë nga pavarësia dhe ajo do të çojë në anëtarësimin tonë në BE”, tha Zaev.

Kjo çështje, tha, nuk është e lehtë por aty shihet lidershipi dhe porositi se integrimi në NATO dhe në BE nuk mund të pengohet nga çfarëdo kërcënimi apo përpjekje për të frikësuar, ryshfet etj.

“Tani është koha për të gjithë të cilët janë pro NATO-s dhe BE-së të mbështesin ndryshimet dhe së bashku, vetëm së bashku ta çojmë Maqedoninë para. Tani është koha kur së bashku duhet ta vërtetojmë vendimin e vitit 1993 sipas të cilit anëtarësimi në BE dhe NATO janë prioritetet tona kryesore. Tani është koha kur duhet të zbatohet deklarata për anëtarësim në NATO që e solli Kuvendi në korrik të këtij viti, me të cilën deputetët treguan se ky është interes mbipartiak dhe se për këtë çështje ekziston konsensusi më i lartë qytetar, ndëretnik dhe politik. Tani të gjithë deputetët pa marrë parasysh cilës parti i takojnë kanë për detyrë historike dhe për obligim para qytetarëve të sigurojnë rrugën drejt sigurisë, qëndrueshmërisë dhe prosperitet ekonomik dhe ajo është rruga drejt BE-së dhe NATO-s që çon përmes Marrëveshjes midis Maqedonisë dhe Greqisë”, tha kryeministri Zaev.

Maqedonia nuk ka më gjenerata për të humbur, theksoi kryeministri dhe ju bëri thirrje deputetëve të marrin guximin, dhe të ndjekin interesat e qytetarëve dhe të pranojnë mundësinë historike, gjegjësisht të sjellin vendim të fuqishëm i cili do të çojë vendin përpara.

Gjatë debatit Trajko Veljanovski deputeti i VMRO-DPMNE-së dhe ish-kryetari i Kuvendit i tha kryeministrit Zaev se nuk ka dy të tretat e shumicës për ndryshimet kushtetuese dhe se ndryshimi i Kushtetutës është kundër vullnetit të shumicës të popullatës.

“Nuk kam mandat, as nuk e kam ndërmend të marr pjesë në përpjekjet për ndryshimet e Kushtetutës. Deri tani, vetë e kemi udhëhequr këtë proces të cilin populli e vulosi me dështimin e referendumit, vazhdoni në atmosferë të këndshme, por të dini se nuk keni dy të tretat e shumicës për të ndryshuar Kushtetutën”, tha Veljanovski.

Sipas tij, Marrëveshja me Greqinë është e paligjshme, jolegale dhe jokushtetuese, e imponuar dhe e miratuar për kohë të shkurtë pa nënshkrimin e Presidentit të vendit dhe ende nuk është shpallur në “Gazetë zyrtare”.

Veljanovski konsideron se një rreth i ngushtë në Qeveri ka vendosur të merret me ndryshimin e Kushtetutës dhe ta parashtrojë si një çështje të konsensusit kombëtar, duke theksuar se në periudhën e kaluar në lidhje me këtë çështje nuk janë konsultuar as qytetarët, as partitë, as deputetët, as presidenti i vendit që, siç thotë, çoi në një ndarje edhe më të thellë të qytetarëve.

Deputetja Sonja Mirakovska nga PRSD theksoi se do të mbështesë ndryshimet kushtetuese dhe ju bëri thirrje kolegëve të saj të opozitës VMRO-DPMNE të veprojnë njësoj.

Sipas saj, me marrëveshjen e Greqisë identiteti ynë mbështetet fuqishëm dhe nëse nuk ndryshon asgjë, identiteti do të jetë edhe më i pambrojtur, duke vënë në dukje informacionin se një pjesë e madhe e qytetarëve tanë po kërkojnë pasaporta të huaja që domethënë ndryshim të identitetit të familjeve të tëra. Me përforcimin e identitetit, theksoi Mirakovska, forcohet edhe shtetësia.

Ndaj replikave të fjalimit të Mirakovska, deputetët e opozitës VMRO-DPMNE thanë se Marrëveshja e Prespës është e vdekur, se pushteti i trajton rezultatet e referendumit ashtu si dëshiron pa e respektuar Ligjin dhe se askush nuk ka të drejtë të shkojë kundër vullnetit të qytetarëve./MIA/

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here