Lamtumira për dirigjentin Bahri Çela, me kujtime e muzikë së cilës ia kushtoi jetën

0
28

Familjarë, miq e kolegë të profesionit janë bërë tok për t’i thënë lamtumirën e fundit pedagogut e dirigjentit, Bahri Çela. Varrimi i tij në Prishtinë, të mërkurën, ka mbledhur një pjesë të madhe të komunitetit të muzikës. Me këngën “Lamtumirë”, kompozuar nga Rauf Dhomi, ndërsa e kënduar nga anëtarë të Korit të Filarmonisë së Kosovës, është varrosur njëri prej atyre që ka përgatitur gjenerata e ka shtruar rrugën e muzikantëve kosovarë.

Si iniciator e themelues i disa prej institucioneve më kulmore të muzikës në Kosovë, Çela i cili vdiq më 29 shtator në Londër në moshën 77-vjeçare, është kujtuar me nderime të mëdha. Amaneti i tij ishte që të varrosej në Prishtinë. E para se arkivoli të vendosej në varr, anëtari i Filarmonisë së Kosovës, Avni Krasniqi, ka interpretuar në trumbetë thirrjen që bëhet në ceremonitë mortore të Ushtrisë Amerikane, “Taps”, e shkruar dhe aranzhuar nga Daniel Butterfield. Edhe ky ishte amanet i Çelës, qysh para pesë vjetësh.

Para varrimit të tij është mbajtur mbledhje komemorative në amfiteatrin e Bibliotekës Universitare të Kosovës. Në këtë ceremoni, Çela është vlerësuar si profesionist serioz e pedagog me disiplinë të lartë.

Midis dy fotografive të tij të mëdha në skenën ku gjatë gjithë kohës ka qëndruar Kori i Filarmonisë së Kosovës, rektori i universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”, Marjan Demaj, ka thënë se profesori Çela për ata që patën fatin ta njihnin ishte njeri me dije dhe kulturë të jashtëzakonshme. Sipas tij, Çela, ishte njeri që dinte të komunikonte me logjikën dhe gjuhën e mirësjelljes, i afërt me studentë dhe kolegët e tij, shkruan Koha Ditore.

Në emër të kolegëve të Çelës ka folur profesoresha e Fakultetit të Arteve, Valbona Pula-Petrovci. Ka kujtuar se fillimisht atë e kishte profesor e më pas koleg e bashkëpunëtor të mirë. Ka thënë të ketë mësuar shumë prej tij.

Në ceremoninë ku të pranishmit kanë pasur mundësinë të shkruajnë edhe në Librin e zisë, organizatori i Filarmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, i cili e ka moderuar mbledhjen, e ka kujtuar Çelën edhe si ish-student i tij. Ka lexuar edhe kujtimin e dirigjentit, Rafet Rudi për dirigjentin e njohur, të cilin e ka cilësuar “misionar të paepur të një epoke të shëmtuar”.

Ne vend të një fjale të rastit nga familjarët, siç ndodh rëndom në këto ceremoni, për të pranishmit që kanë mbushur sallën plot, mbesa e Çelës, Bora Çela ka interpretuar në piano “Norcturnën” në cis mol të Frederic Chopin. E Kori i Filarmonisë së Kosovës, nën dirigjimin e Rafet Rudit ia ka dhënë lamtumirën dirigjentit Çela, duke interpretuar këngën “Nënë” të Kushtrim Gashit dhe “Një Lule” të Rexho Mulliqit.

Ceremonia është mbyllur me një fragment të shkëputur nga Oratoriumi “Messiah” i Handellit në koncertin i cili kishte shënuar përvjetorin e 30-të të themelimit të Degës së Artit Muzikor në kuadër të Fakultetit të Arteve në Prishtinë. Një duartrokitje e gjatë i ka përcjellë pamjet e shfaqura në ekran, ku dirigjent ishte Çela.

Me këtë duartrokitje është përshëndetur veprimtaria e atij që konsiderohet si një prej dirigjentëve më me ndikim prej viteve ‘70 e deri pas luftës së fundit në Kosovë.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here