84 milionë € po i kërkohen Shtetit për një investim në Aeroport

0
41

Shteti i Kosovës mund t’i humbë edhe 84 milionë euro të tjera. Gjithë këto para pritet të shpenzohen për zgjatjen e pistës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Qeveria po synon të bëjë një marrëveshje, ashtu që 34 milionë euro, as sa ishte fillimisht kostoja e kësaj kontrate ta paguajë vet “Limaku”, ndërsa vet të heq dorë për pesë vjet nga pagesa që Limak-u ia bën Qeverisë në emër të shfrytëzimit të Aeroportit, që kap një shifër prej 84 milionë eurove. Njohësit e ekonomisë po thonë se kjo kontratë e dëmton rëndë buxhetin dhe po kërkojnë që të shpallet e pavlefshme. Por, Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj po deklaron se Kosova do të paguajë vetëm shumën e kontratës dhe asnjë cent më shumë, shkruan Gazeta Express.

Zgjatja e pistës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, mund ta dëmtojë buxhetin e vendit më të varfër në rajon për miliona euro. Madje, me kontratën për zgjatjen e kësaj piste, 53 milionët që iu falën “Bechtel&Enkas” duket se do të mbesin nën hije.

Rreth 500 metra pistë, pritet ta “tkurrin” arkën e shtetit për rreth 84 milionë euro, ndonëse kostoja e kontratës në fillim ishte paraparë të jetë rreth 34 milionë euro.

Qeveria po synon të bëjë një marrëveshje, ashtu që 34 milionë euro, aq sa është edhe kostoja e kësaj kontrate ta paguajë vet “Limaku”, ndërsa vet të heq dorë për pesë vjet nga pagesa që Limak-u ia bën Qeverisë në emër të shfrytëzimit të Aeroportit, që sipas një përllogaritje i bie që vlera e taksës për pesë vite pritet të jetë rreth 84 milionë euro.

Ndërkohë, njohësit e ekonomisë vlerësojnë se kjo është në kundërshtim me Ligjin për Prokurorimin Publik dhe Ligjin për Financa. Derisa deklarojnë se Ministria e Infrastrukturës nuk po investon në ANP, por po e subvencionon një kompani private, siç është “Limaku”.

Kështu po deklaron  njohësi i ekonomisë, Hekuran Murati, i cili së fundmi ka publikuar raport analizën “Shqyrtimi i kontratës për zgjatjen e pistës së Aeroportit “Adem Jashari”.

Në bazë të këtij raporti, Qeveria e Kosovës po planifikon që të shpërblejë me 84 milionë euro kompaninë “Limak” në një proces siç e quan Murati,  jo transparent e favorizues për një kompani private e në dëm të interesit publik.

Sipas Muratit, Qeveria aktuale synon që koston e Kontratës për Zgjatjen e Pistës të mos i’a paguajë Koncesionarit nga buxheti, por në vend të saj të bëjë marrëveshje kompenzimi ashtu që Koncesionari e bartë koston e investimit, kurse Qeveria në kompenzim heq dorë nga të hyrat e taksës koncesionare për 5 vitet e ardhshme.

Deklaron se me një marrëveshje të tillë, Kosova do të humbte rreth 84 milionë euro të hyra, dhe do ta dëmtonte rëndë buxhetin e shtetit.

Zgjidhja e vetme sipas tij është që ky projekt të ndalet menjëherë dhe që kontrata e nënshkruar të shpallet e pavlefshme.

“Në një rast të tillë, Republika e Kosovës do t’i humbte rreth 84 milionë euro të hyra potenciale nga taksa koncesionare. Kjo do të shënonte rastin e dytë të dëmtimit të buxhetit, pas atij të ndodhur në fillim të këtij viti, ku Qeveria morri përsipër t’i paguante kompanisë Bechtel&Enka 53 milionë euro shtesë për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup”, thuhet në raport.

Murati thotë se çdo vazhdim i zbatimit të kësaj kontrate, rrezikon shpenzimin e parasë publike për investime në biznese private dhe u hap rrugë humbjes së 84 milionë eurove.

“Çdo vazhdim eventual i zbatimit të kësaj kontrate rrezikon të shënojë precedent të rrezikshëm të shpenzimit të parasë publike për investime në biznese private, si dhe hap rrugën për humbjen e 84 milionë eurove në dëm të buxhetit”, thotë Murati.

Por, pretendimet e Muratiti po i hedh poshtë Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Lekaj i ka thënë Gazetës Express se vlera e kontratës për këtë projekt është rreth 34 milionë euro, derisa thotë se ky investim është paraparë si e domosdoshme për shkak të ngritjes së kapaciteteve të ANP “Adem Jashari”.

Deklaron se Kosova do të paguajë vetëm shumën e kontratës dhe asnjë cent më shumë.

E kostoja e kontratës, sipas Lekajt do të paguhet nga buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës. Por thotë se për formën dhe mënyrën e pagesës nuk janë përcaktuar ende.

“Kostoja do të paguhet nga buxheti i MI-së, forma e pagesës dhe mënyra nuk janë përcaktuar ende. Kosova do të paguaj vetëm shumën e kontratës rreth 34 milionë euro, dhe asnjë cent më shumë”, ka thënë Lekaj.

Ndërsa sa i përket asaj që kontrata ishte bërë pa shpallur tender, ai thotë se kështu i ishte rekomanduar. Derisa shton se nuk ekziston asnjë arsye ligjore për moszbatim të kontratës.

“Opinioni ligjor i Departamentit për PPP në MF kishte rekomanduar të vazhdohet pa tenderim për shkak të aplikimit të marrëveshjes së PPP me partnerin privat dhe të drejtave ekskluzive nga kjo marrëveshje e koncesionimit.

Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar këtë kontratë në mbështetje të opinionit ligjor të Dep PPP në MF i cili ka konstatuar se kontrata është në pajtim me LPP. Prandaj nuk ekziston asnjë arsye ligjore për moszbatim të kontratës”, ka thënë Lekaj për Express.

Për mospublikimin e kësaj kontrate, kishte reaguar edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu.

Sejdiu kishte thënë se ka kontrata të shumta të cilat nuk janë bërë publike dhe klauzolat konfidenciale duhet me u hequr dhe me u bërë publike të gjitha kontratat.

Ndërsa, analisti Haki Abazi ishte shprehur se vullneti politik është i kriminalizuar dhe kontrata e dëmshme e aeroportit për pistën ishte dashur të ndalet nga kabineti i ministrit Pal Lekaj.

Ndryshe, Kontrata për zgjatjen e Pistës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, ishte nënëshkruar në kohën sa Kryeministër i Kosovës ishte Isa Mustafa.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here