Kërkohet suspendimi i profesorit Milaim Sejdini, i dyshuar për ngacmim seksual

0
10
Studentë të Universitetit të Prishtinës të përkrahur nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) kanë protestuar në oborrin e rektoratit për të kundërshtuar avancimin e profesorit Milaim Sejdini, i cili dyshohet për disa shkelje të rënda disiplinore, përfshirë edhe ngacmim seksual.

Protesta u mbajt kundër profesorit Milaim Sejdini nga Fakulteti i Mjekësisë i cili pritet të avancohet në gradën e profesorit të rregullt.

Blendon Arifi ,student në UP,  tha se protesta po mbahet kundër profesorit Milaim Sejdini i cili sipas tij ka ngacmuar seksualisht studenten e Mjekësisë e cila ishte specializante dhe kandidate për doktoraturë në kohën kur ishte ngacmuar seksualisht, raporton Ekonomia Online.

“Ne jemi mbledhur në këtë tubim protestues për të kërkuar suspendimin e profesorit Milaim Sejdini dhe hetimin e thellë për rastin që viteve të fundit janë ngritur ndaj tij. Ai është akuzuar për falsifikim nënshkrimi, për plagjiaturë dhe abuzim seksual, ndërkaq senati i Prishtinës pritet që javën tjeter pritet të shqyrtoj avancimin e tij në profesor të rregullt, ky profesor do përfitoj kontratë të përhershme në Universitet”, tha Arifi.

“Për të gjitha akuzat e përmendura janë ofruar dëshmi të bollshme në organet e ndryshme institucionale si në Universitet ashtu edhe në institucionet e rendit mirëpo institucionet siç bëjnë zakonisht kanë heshtur dhe meqë ato po heshtin sidomos për ngacmim seksual në po flasim me zë të lartë, ne duam të i japim zë viktimave të ngacmimit seksual në Universitet dhe duam të i japim zë luftës kundër seksizmit në shoqërinë tonë”, tha ai.

Arifi ka lexuar një deklaratë të studentes e cila e përshkruan  situatën se si kishte ndodhur ky ngacmim seksual ndaj saj.

Donika Hoti, studente në UP, tha se kërkojnë suspendimin e Sejdinit pasi që një profesor i tillë nuk e meriton avansimin në UP.

“Ndaj Milaim Sejdinit janë ngritur tri akuza secila më e tmerrshme se tjetra: për plagjiaturë, për falsifikim dhe për ngacmim seksual ndaj një studenteje specializante”, tha Hoti

Protestuesit kanë kërkuar suspendimin e profesorit deri në përfundimin e hetimeve si dhe hetim të brendshëm për të gjitha akuzat ndaj tij, si për plagjiaturë, falsifikim dhe ngacmim seksual.

Profesori Sejdini në mbledhjen e fundit të Senatit nuk është avancuar, por është kthyer sipas procedurave për rishqyrtim, për shkak të akuzave dhe për shkak të presioneve që ka bërë ORCA si organizatë dhe Kallxo.com.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here