Tri vjet nga vrasja makabre e Donjeta Pajazitajt, vëllai i saj për drejtësinë: Na mbytën duke bërë hajgare me ne

0
12

Sot tri vjet vajza e familjes Pajazitaj nga Strellci i Deçanit, Donjeta, u zhduk në mënyrë misterioze rrugës duke shkuar në punë. Për rreth gjashtë javë familjarët nuk ishin në dijeni për vendndodhjen e saj, derisa u gjet e vdekur në bjeshkët e fshatit. Familjarëve ende nuk u janë qetësuar zemrat, sepse rasti i saj nuk është përmbyllur në aspektin gjyqësor. Apeli e ktheu lëndën e Donjetës, në tetor të këtij viti, në pikën zero.

Për vrasjen e Donjetës, fillimisht ishte akuzuar kushëriri i saj, Naser Pajazitaj. Por, në procesin ndaj tij, ai ishte shpallur i pafajshëm për këtë vrasje, u dënua për armëmbajtje pa leje.

Shkëlqim Pajazitaj, vëllai i Donjetës, sot njoftoi se që nga viti 2015 familja e tyre po jetojnë me mungesën e saj. Ai rrëfen për Gazetën Express, zbrazëtinë e madhe që mungesa e Donjetës e la në shtëpinë e tyre. Ai thotë se është i dëshpëruar me procesin e gjatë gjyqësor, por shpreson se në të ardhmen drejtësia do ta zbardhë vrasjen e së motrës.

Shkëlqimi tregon se Donjeta ëndërronte t’i përfundonte studimet dhe të punësohet në një vend të mirë pune.

“Po si çdo fëmi u kanë studente në fakultet, donte me kry shkollimin, me gjet një vend të mirë pune, një jetë të thjeshtë. Na mungon”, thotë Shkëlqimi.

Shkëlqimi thotë se familja ka pasur raporte shumë të mira me Donjetën dhe i gjithë fshati e ka përshkruar si vajzë të urtë dhe të ndershme.

“Çikë e urtë, e ngushme, si për ne si për familjarët, si për krejt. Çdo kond, në 2 Strellcet kur kanë pyt policia, qato 6 javë sa ka qenë e zhdukur, njerëzit kanë thënë që ka qenë çikë e ndershme”, rrëfen Shkëlqimi në trevjetorin e vdekjes së saj.

Tri vjet nëpër procese gjyqësore, Shkëlqimi i përshkruan të vështira. Shpresonte se seanca gjyqësore e muajit mars do të zbardhte më shumë për vrasjen e saj, por gjatë asaj seance i akuzuari kryesor për vrasjen e Donjetës, kushëriri i saj, Naseri, u shpall i pafajshëm për këtë vrasje.

“Po shumë vështir osht, diqysh drejtesia mos me marrë vendim, kur ka pasë fakte të mjaftueshme. Na bile kena shpresu se ka zbulu edhe diçka ma tepër. Se ai si u kanë i akuzuar (flet për Naserin), ai nuk ka mujt me kry ketë punë vetë se u kanë në gjendje të keqe, kështu shëndetësore, u kanë me asi kruta si i ndihmojnë me ecë… U humb krejt shpresa për drejtësi edhe pse qitash më 19 nëntor, e kena apet qat far rigjykimin po shpresë s’ka hiç, veç hajt qashtu, na mytën tu na zezat”, thotë Shkëlqimi.

Shkëlqimi mendon se do të ndiheshin pak më mirë po ta dinin se kush e vrau Donjetën. Ai shprehet i dëshpëruar me sistemin e drejtësisë në vend.

“Po i grahin qysh po dojnë ata… po pak ishim ni ma mirë bile me ditë kush e pse e boni ketë punë. Ishalla drejtësia e zbulon edhe e dënon”, tha ai.

Përveç kushëririt të tyre Naserit, që akuzohej se vrau Donjetën, Shkëlqimi dyshon se në këtë vrasje ka edhe persona tjerë të implikuar.

“Po mendojna se ka edhe tjerë se ai vetë s’ka mujt me kry. Qysh thash e vërtetë asht se ajo u hyp në kerr të tij, për me dal deri te autobusi me shku për punë, se e kena 2 km lerg me ecë në komë… Donjeta nuk u konë e lidhne, ose ish dalë prej kerrit, ose kish bërtit e kish pa dikush, se ora 13:40, o kon pika e ditës, po osht edhe dikush i implikum në këtë punë e qata kanë mujt me marrë se veç vetë me pa konë ajo s’kish mujt me kry”, vazhdon rrëfimi i Shkëlqimit.

Rasti i Donjeta Pajazitajt cilësohet si vrasja më makabre e ndodhur viteve të fundit në Kosovë. Në drejtim të saj ishin shkrepur dy plumba. Vetë i akuzuari kishe deklaruar se nuk ndihet përgjegjës për vrasjen e kushërirës së tij dhe ndjen keqardhje për këtë rast.

Gjykata Themelore e Pejës e kishte shpallur Naser Pajazitajn të pafajshëm për akuzat se vrau kushërirën e tij 24-vjeçare, Donjeta Pajazitajn, por e shpalli fajtor vetëm për armëmbajtje pa leje. Për këtë vepër penale, gjykata ia dha 2 vjet e katër muaj burgim unik.

Në ditën e gjykimit kur Naseri u shpall i pafajshëm për vrasjen, u arrestua Shkëlqim Pajazitaj pasi e kishte thyer një derë në këtë gjykatë në shenjë revolte për vendimin e trupit gjykues.

Krimi i rëndë ka ndodhur në nëntor të vitit 2015, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është gjetur gati dy muaj pas vrasjes, diku në bjeshkët e fshatit Strellc të Deçanit.

Ky rast më pas është kthyer në rigjykim nga shkalla e dytë e gjyqësisë. Për vendimin lirues të shkallës së parë, ka pasur edhe protesta nga ana e Rrjetit të Grave të Kosovës.

Shkëlqimi tha se seanca për Donjetën do të mbahet pas disa ditësh, saktësisht më 19 nëntor.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here