Cilësia e Arsimit në Kosovë vazhdon të jetë e ulët

0
50

Sipas studimeve të ndryshme që janë bërë, thuhet se sistemi i edukimit është treguar jo shumë efikas që të krijojë burime njerëzore të nevojshme, për të cilat ka kërkesa tregu i punës.

Ndërkohë, vlerësimet ndërkombëtare që janë bërë për arsimin në Kosovë e kanë nxjerrë vendin tonë pothuajse të fundit për nga cilësia. Megjithatë, qeveritarët thonë se janë ndërmarrë hapa për të dalë nga kjo gjendje.

Së fundmi, Banka Botërore në analizën e raportit krahasues, ka nxjerr se fëmijët në Kosovë deri në moshën 18 vjeçare pritet të ndjekin 12.8 vite të shkollimit parafillor, fillor dhe të mesëm, mirëpo kur vitet e tyre të shkollimit nivelohen për nga cilësia e arsimit, atëherë shkollimi i tyre është i barabartë vetëm me 7.7 vite.

Sipas raportit, një fëmijë i lindur sot në Kosovë do të jetë vetëm 56 për qind produktiv kur të rritet në krahasim me fëmijën që do të kishte arsimim të plotë.
Njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, thotë se sa i përket cilësisë në arsim, nuk mund të mburremi me asgjë. Ai ka thënë për Radio Kosovën se raporti i fundit i Bankës Botërore thirret në rezultatet e testit PISA dhe se diferenca të tilla ka edhe në vende të tjera.

“Është rreth 4 vjet në Maqedoni, Malin e Zi, pastaj Serbia e Shqipëria qëndrojnë pak më mirë. Por, duhet të shikohet edhe faktori tjetër nga periudha e pasluftë, ai i pjesëmarrjes në arsim. Ne kemi pasur një pjesëmarrje jo të kënaqshme në arsim, si rezultat i situatës së viteve ’90, ku shumë fëmijë nuk kanë mundur të ndjekin shkollën.”

Të dhënat e viteve të fundit kanë nxjerr në pah mospërgatitjet e duhura të të rinjve për tregun e punës. Shumë kompani private, korporata dhe institucione publike, kanë theksuar se të rinjtë që punësohen apo kërkojnë punë, kanë njohuri të pakta për fushat specifike si dhe u mungojnë shkathtësitë e duhura. Sipas tyre, kjo vjen si pasojë e cilësisë së dobët nëpër shkolla. Kuvendi i Kosovës vitin e kaluar pat miratuar edhe një rezolutë që arsimi të jetë prioritet kombëtar, rezolutë e cila nuk filloi të zbatohet asnjëherë. Pupovci thotë se kjo flet që arsimi nuk është prioritet.

“Është prioritet në atë moment kur subjektet politike duhet të tregohen se po bëjnë diçka dhe hajde tani të nxjerrim një rezolutë. Ajo mund të ketë vlerë deklarative, por vlerë praktike nuk ka. Vlera praktike është kur rezolutën e përkthen në buxhet, kur kërkon zbatimin, kur ministri i arsimit raporton para kuvendit, shihet nëse po arrihen rezultatet. Për ndryshe kjo është bërë një punë rutinore. Por, rezolutat nuk e zgjidhin problemin dhe përkundër faktit se Kosova ka një strategji me 240 masa strategjike të ndryshme, këto veprime nuk po shihen ose janë shumë të izoluara.”

Kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se buxheti i vitit 2019 do të jetë 12% më i lartë për fushën e arsimit, krahasuar me vitin e tanishëm. Buxheti parasheh 300 milionë euro të dedikuara për arsim.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here