Telashet e studentëve me pagesat e semestrave përsëritës

0
34

Fakulteti i Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” një vendim të vitit 2015 të Këshillit Drejtues ka vendosur ta zbatojë këtë vit akademik, pasi ka obliguar një grup studentësh që të paguajnë për regjistrimin e semestrave përsëritës.

Një grup i studentëve të “Gjuhës shqipe” dhe “Letërsisë shqipe” në nivelin master të studimeve, kanë raportuar në kallxo.com se janë obliguar të paguajnë regjistrimin e semestrit përsëritës dhe se, sipas tyre, një gjë e tillë nuk u është kërkuar studentëve të viteve paraprake.

Para vendimit të vitit 2015, UP-ja e kishte marrë një vendim në vitin 2011, përmes së cilit studentët që kishin përfunduar me regjistrimin dhe vërtetimin e semestrit të fundit, liroheshin nga pagesa për përsëritjen e semestrave.

Një studente e programit “Gjuhë Shqipe” në kushte anonimiteti, ka thënë për kallxo.com se vendimi i Këshillit Drejtues të UP-së ka nisur të zbatohet këtë vit, edhe pse është miratuar në vitin 2015.

“Ne e kemi paguar me rregull regjistrimin e semestrave të kaluar akademik me nga 150 euro secilin. Por për shkak se kemi provime të papërfunduara, fakulteti na ka obliguar të paguajmë sërish, për të pasur mundësinë t’u nënshtrohemi provimeve”, tha ajo, duke e quajtur padrejtësi që UP-ja, vendimin e vitit 2015 ka vendosur ta zbatojë me këtë grup studentësh.

Këshilli Drejtues i UP-së, me 26 nëntor të vitit 2015 kishte marrë vendim që ‘Shërbimi i studentëve të njësive akademike, obligohet që duke filluar nga viti akademik 2015/16 të mos lejojë asnjë student që të paraqesë provime apo të hyjë në provime pa e kryer pagesën administrative për semestrin e vitit përkatës akademik”,.

Megjithatë, Fakulteti i Filologjisë, nuk i ka mohuar dhe as pohuar pretendimet e studentëve.

Sekretari i Fakultetit të Filologjisë, Besfort Krasniqi, ka deklaruar për kallxo.com se pagesa e semestrave në këtë fakultet bëhet konform vendimeve të UP-së.

“Me kërkesën e dekanes, Prof. asoc. dr. Lindita Rugova, ju informoj se pagesa e semestrave të studentëve në nivelin MA, bëhet mbështetur në Vendimin nr. 4/185, datë 26.11.2015 të Këshillit Drejtues të UP “Hasan Prishtina”, me të cilin janë anuluar vendimet paraprake që kanë rregulluar këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e tij.

Ndërsa, sipas Krasniqit, të liruar nga pagesa e semestrave me automatizëm janë kategoritë që i parasheh Vendimi nr. 2/899, datë 11.10.2017 i Këshillit Drejtues të UP “Hasan Prishtina”.

Në këtë vendim, ndër të tjera, thuhet se të liruar nga pagesa janë “Studentët e tri nivele të studimeve që janë anëtarë të ngushtë të familjeve të dëshmorëve, të zhdukurve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së, (ushtarak apo civil); Studentët e tri niveleve të studimeve- Veteranët luftëtarë dhe fëmijët e tyre, studentët që kanë mbetur pa njërin prind si pasojë e luftës, studentët me nevoja të veçanta dhe studentët familjet e të cilëve janë në asistencë sociale”.

Fakultetet (s)e respektojnë vendimin e Këshillit Drejtues të UP-së

Përveç Filologjikut, KALLXO.com u ka dërguar pyetje edhe 12 fakulteteve të tjera të Universitetit të Prishtinës, për të për të kuptuar nëse kanë zbatuar apo jo vendimin e vitit 2015 për pagesa të semestrave përsëritës nga ana e studentëve.

Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë, përkundër vendimit të UP-së që obligon studentët t’i paguajnë semestrat përsërtitës, nuk e ka përfillur një gjë të tillë.

Dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, Skender Kaçiu ka thënë për kallxo.com se pas marrjes së vendimit nga rektorati, studentët nuk kanë paguar.

“Studimet master në Fakultetin tonë kanë filluar ne vitin shkollor 2007/2008. Tani kemi 5 programe në kёtё nivel tё studimeve. Numri i studentëve tё regjistruar sipas tri viteve tё kërkuara ka qenë si nё vijim: 2015/2016 janë regjistruar 139 studentë, 2016/2017-181 studentë, 2017/2018-184 studentë. Pas që kemi marrë vendimin nga rektorati (4/185 datë 26.11.2015),  studentët nuk kanë paguar”, thuhet në përgjigjen e Kaçiut.

Ndërsa, Fakulteti Ekonomik thotë se e respekton vendimin e Këshillit Drejtues të UP-së.

Valbona Zhubi, sekretare në këtë fakultet, ka thënë për kallxo.com se nga marrja e vendimit ka filluar aplikimi i pagesave të studentëve.

“Në bazë të të dhënave që posedojmë në vitin akademik 2015/16 janë  regjistruar gjithsej 678 kandidatë, në 2016/17 gjithsej 601 kandidatë dhe vitin akademik 2017/18 gjithsej 433 studentë. Në këtë vit akademik kanë përsëritur semestra gjithsej 583 kandidatë”, është përgjigjur Zhubi.

Se vendimi i UP-së është respektuar, deklarohet edhe Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit.

Dekani i këtij fakulteti, Musa Selimi, ka deklaruar për kallxo.com se vendimi i Këshillit Drejtues të UP-së, është zbatuar sipas dinamikës që menaxhon administrata e këtij fakulteti.

“Pagesat janë bërë nga Studentët që kanë patur obligime për pagesë sipas semestrave përkatës dhe vendimit të lartë përmendur. Është praktikë, që në bazë të kompetencave statutare, Senati i UP-së, e në raste të caktuara edhe Këshilli Drejtues, për çdo vit akademik nxjerrin vendim, për kushtet e regjistrimit të vitit vijues për studimet Bachelor dhe Master”, tha Selimi.

Sipas dekanit, digjitalizimi i administratës sidomos SEMS-i, është një ndihmesë për saktësinë, por edhe për të drejtën për vitet vijuese të studentëve gjatë studimeve me të gjitha të drejtat dhe detyrimet që dalin nga Statuti i UP-së.

Ndërsa, edhe në Fakultetin e Shkencave Matematike- Natyrore thonë se studentët përsëritës në master, i janë nënshtruar pagesave.

“Vendimi i Këshillit Drejtues të UP-së nr. 4/185 të datës 26.11.2015,  në FSHMN,  është zbatuar menjëherë pas pranimit të vendimit, ndërsa pagesën e kanë bërë të gjithë ata studentë të cilët kanë pasur obligime për pagesë të semestrave sipas vendimit të lartë cekur”, është përgjigjur për kallxo.com, Jeton Hyseni, sekretar në FSHMN.

Se vendimet e Këshillit Drejtues të universitetit janë obliguese për t’u zbatuar thonë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike.

Dekani i FIM-it, Ahmet Shala, ka thënë për kallxo.com se vendimi në fjalë i KD të UP-së është zbatuar menjëherë prej janarit të vitit 2016.

“Në vitin akademik 2015/16 në studime master kanë qenë 308 studentë të regjistruar prej tyre 18 përsëritës, në vitin akademik 2016/17 në studime master kanë qenë 187 studentë të regjistruar prej tyre 15 përsëritës. Në vitin akademik 2017/18 në studime master kanë qenë 179 studentë të regjistruar prej tyre  2 përsëritës”, thuhet në përgjigjen elektronike të Shalës.

Kurse, dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Abdullah Zejnullahu, thotë për kallxo.com se studentët e nivelit master janë obliguar të paguajnë semestrin, derisa kanë përfunduar të gjitha provimet.

“Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës nga viti 2015 e zbaton vendimin e Këshillit Drejtues me nr. prot. 4/185 të datës 26.11.2015, lidhur me pagesat administrative të semestrave. Janë paguar edhe vitet e përsëritura nëse studenti atë vit ka pas me iu nënshtru provimeve, përndryshe pas përfundimit të provimeve nuk ka qenë i obliguar të bëjë pagesë të semestrave, por është paguar vetëm mbrojtja e diplomës master”, tha Zejnullahu.

Sipas dekanit, përsëritjen e semestrave e kanë bërë vetëm studentët me provime të pa përfunduara. Të tillë, Zejnullahu thotë se janë gjithësej 121 studentë.

Lidhur me këtë çështje, kallx.com ka kontaktur edhe Fakultetin Juridik, Fakultetin Filozofik, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakulteti i Mjekësisë, Fakulteti i Arteve dhe Fakulteti i Edukimit, por këto njësi akademike nuk janë përgjigjur deri në kohën e publikimit të këtij artikulli.

Rektorati shpjegon problemin

Por sekretari i Universitetit të Prishtinës, Esat Kelmendi, tha  se asnjë student i nivelit të studimeve master cili gjatë vitit akademik 2017/18 i ka përfunduar të gjitha obligimet me planprogram (provimet, seminaret, kollokfiumet) dhe të cilit i ka mbetur vetëm mbrojtja e temës së diplomës, nuk ka obligim që të paguajë përsëritjen e semestrit, përveç pagesës për mbrojtje të temës.

Ai ftoi studentët të cilëve u kërkohet një pagesë e tillë, ta raportojnë rastin.

“Qëndrimi i UP-së është që njësitë akademike janë të obliguara që ta respektojnë Vendimin e vitit 2015 të nxjerrë nga Këshilli Drejtues, ndërsa studentët të cilët konsiderojnë se i plotësojnë kushtet për t’u liruar nga përsëritja e semestrit dhe një e drejtë e tillë po u mohohet, ta raportojnë si rast”, tha Kelmendi.

“Më 9.11.2018 është paraqitur vetëm një studente për të kërkuar sqarim se a ka obligim të paguajë apo jo dhe pas sqarimeve të dhëna nga ajo, kam kërkuar nga fakulteti që nëse qëndrojnë faktet e prezantuara nga studentja e njëjta të lirohet nga pagesa meqenëse një e drejtë e tillë i takon sipas vendimit të Këshillit drejtues”, tha Kelmendi.

Sido që të jetë, sekretari i UP-së tha se në universitetet tjera jashtë vendit, studentët janë të obliguar që të përsërisin semestrat deri në diplomim “me një rritje permanente të pagesës për çdo vit të përsëritjes së semestrave”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here