Bashkëluftëtari i Adem Jasharit rrëfen për herë të parë të pathënat për të

0
7
Daja dhe bashkëluftëtari i Adem Jasharit, Jetullah Geci, ka rrëfyer për personalitetin e komandantit legjendar, Adem Jashari.

Jetullah Geci ka thënë se për të folur rreth Adem Jasharit, nuk do të mjaftonte një emision.

“Me fol për Adem Jasharin ky emision është i shkurt. Është mirë që historianët të shkruajnë libra për Adem Jasharin që fëmijët tanë të dinë se çfarë ka bërë ai. Unë jam rrit me Adem Jasharin. Ka qenë shumë i qetë, shumë i respektueshëm. Vetë e ka pas atë karakterin e brendshëm dhe fizionominë. Është vështirë që t’i përngjanë një njeri atij. Kemi qenë me një shkollë bashkë”, ka rrëfyer Geci.

Ai ka treguar se si gjatë një shëtitjeje në sheshin e Skenderajt së bashku me Adem Jasharin ishin ndeshur me tre policë serbë, të cilët në momentin që e kishin parë komandantin e kishin prekur njëri tjetrin në krah.

“ Ne ishim tu shëtit në Skenderaj, tre policë po vijnë në drejtim tonin, edhe diku në 20 metra i pash që e prekën njëri tjetrin, këqyreni këqyreni Adem Jasharin, unë i vërejtsha prej larg” , ka thënë Geci.

Ai ka treguar se si Adem Jashari ishte gjithmonë në kërkim të krijimit të një ushtrie që do t’i kundërvihej ushtrisë dhe policisë serbe.

“ Figura e tij ka qenë më ndryshe. Kemi bo hajgare, kemi nejtë, e kemi fol. Ai gjithmonë thoshte: Qysh more na si shqiptarë jemi më shumë se 90 për qind, e dy polic serb po vijnë këtu në lagje po na sulmojnë, e na po rrimë”, ka thënë Geci në T7.

Geci ka rrëfyer edhe për ndejat e shumta që janë bërë gjatë viteve 90-ta të cilat kanë shërbyer për mobilizim kundër ushtrisë dhe policisë serbe.

“ Ademi u le me armë, edhe baba i Ademit, Shabani, krejt familja. Kanë nejtë tek ne, sepse ne e kemi pas shtëpinë buzë rrugës. Është më e rëndësishme që ne kemi nejtë më shumë të Adem Jashari, sepse ai ka qenë kryesori i kësaj nisme. Krejt kanë nejt aty në Kullën e Adem Jasharit e të tjerëve .Masdarkeve këna këndu, Hamza ka qenë një melos, ka kënduar e ka luajtur me instrumente”, ka shtuar ai.

Geci ka treguar edhe për kohën kur kishin shkuar së bashku në ushtrinë  jugosllave.

“ Së bashku kemi shkuar edhe në shërbim ushtarak në vitin 1977-78. Ademi ka pas me shkua në Klevlje, e unë në Titograd, e më pas mua më kanë ëu pas 7 muajsh te Ademi, më pas jemi lëshuar për një ditë”. Ademin edhe në ushtrinë jugosllave e kanë përcjellë, me ato mustaqet. Nuk i ka mbajt aq më të mëdha, po i ka mbajtur. Po e kanë vërejtur që është një njeri më ndryshe se tjerët. Edhe çdo oficer që është ndërruar pyeste se ku është Jashari” ka shtuar Geci në rrëfimin e tij për komandantin legjendar.

Ai thotë se edhe gjatë kohës që ishin në shërbim ushtarak, Adem Jashari kishte thënë se duhej krijuar një ushtri shqiptare.

“Ne kemi nejt nëpër ndeja, pas orarit të punës. Edhe atje Ademi thoshte: Qysh more si shqiptar vijmë në ushtri këtu, tu kanë se me e bo ushtrinë tonë e me i pas kazermat tona”, është shprehur Geci.

“Ademin s’mundesh me e përshkrua sa ka qenë trim. Atë që e ka mëndu, nuk është zmbraps e ka bë. Në Skenderaj s’ka mundur të lëviz, sepse ka qenë një njeri i vërejtshëm. Ai ka qenë mullar i UÇK-së. Ai i ka thënë Serbisë ‘Unë këtu jam”, ka shtuar ndër të tjera.

Ai ka rrëfyer gjithashtu edhe për sulmet që i janë bërë shtëpisë dhe familjes së Adem Jasharit nga forcat serbe.

“Në Ramazan është sulmuar shtëpia për herë të parë, Ademi ka qenë te na me bujt. I kemi dëgjua krismat. Jemi çu prej aty. Ademi u çu i pari me dy tre tjerë, edhe i ka pa. Edhe nga ai rast ai pat vendosur që nuk do të buj kërkuan, por në shtëpi”, ka treguar Geci.

Geci ka treguar se si përmes telefonit të Shani Gecit janë njoftuar për të gjitha lëvizjes e policisë dhe ushtrisë serbe dhe për momentin kur është vrarë Adem Jashari.

“ Ne e kemi pas një telefon, te një Shani Geci, edhe çdo informatë të lëvizjes serbe janë informu prej atij telefoni. Edhe Shani Geci na ka lajmërua prej Mitrovicës, se po vijnë shumë forca serbe në drejtim të Skenderajt. Ka thirr dikush prej Skenderajt, që janë nis prej Llaushës, e më pas në drejtim të Polacit. Ne ishim në pozicione. Shania e ka lajmërua Ademin, që forca serbe po vijnë në drejtim të juajin shumë. Por edhe te fabrika e municionit kishin hy edhe më herët. Ne i nxumë pozicionet rreth Skenderajt” shton Geci.

Ai tregon se fillimisht pas sulmit që i ishte bërë shtëpisë dhe familjes Jashari, ishte thënë se komandanti Adem Jashari së bashku me Hamzë Jasharin kishin shpëtuar, por më pas ishte konstatuar se një gjë e tillë nuk kishte qenë e vërtetë.

“Ne na pat dalë një gënjeshtër, që Adem Jashari pat shpëtua me gjithë Hamzën. Por kanë shkua Xhevahir Geci ajo s’ka qenë e vërtetë. Por këtë e kanë bërë ndoshta për të mos humbur morali i UÇK-së, pas vrasjes së Adem Jasharit. Por pas rënies së Ademit edhe më shumë njerëz janë anëtarësua në UÇK, erdhi liria pas asaj lufte” ka rrëfyer Geci.

Ndërsa sa i përket debatit për datëlindjen e komandantit legjendar, Geci thotë se ai ka lindur me 28 nëntor, dhe s’ka çfarë diskutohet aty.

“Është keq për ata që janë marrë me ato sene. Njerëzit e mëdhenj vet lindin në ditë të mëdha. Edhe unë si dajë i tij e kam ditëlindjen me 17 shkurt, e unë s’jam koordinua me Hashim Thaçin për këtë, Ai e ka ditëlindjen me 28 nëntor” ka përfunduar Geci.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here