Dimitrov: Garanci për kufijtë e Maqedonisë është anëtarësimi në NATO

0
9

Ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov pas takimeve në Aleancën e NATO-s tha se pret Maqedonia të bëhet anëtare fuqiplotë në pranverë të vitit 2020 dhe se anëtarësimi do të thotë garanci për kufijtë e saj aktual.

“Nga viti 1993 kemi treguar se duam të jemi pjesë e NATO-s, me deklaratën e parë të Kuvendit të RM,  duhej të hyjmë në vitin 2008. Kaluan 10 vite. Përfundimisht e larguam problemin dhe e tejkaluam dallimin  rreth emrit me Greqinë, dhe kjo është e rëndësishme për Maqedoninë, për Aleancën dhe për rajonin”, deklaroi Dimitrov.

Për ne anëtarësimi në NATO do të thotë se Maqedonia është këtu të qëndrojë, në këto kufij, shtoi ministri.

Ai sot mori pjesë në sesionin e NATO-s për misionin “Mbështetje vendimtare” në Afganistan në suaza të cilës Maqedonia dërgon forca të saj. Ministri informoi se ka realizuar nëntë takime bilaterale me vendet anëtare të Aleancës në margjina të samitit dyditorë ministror. Mes tyre janë Franca, Hungaria, Greqia, Norvegjia, Lituania dhe të tjera.

Pasdite vendet anëtare të NATO-s, në praninë e përfaqësues së lartë për Punë të Jashtme të BE-së, Federika Mogerini, kanë mbajtur takim kushtuar Ballkanit Perëndimor, në të cilin është biseduar për Maqedoninë por edhe për Serbinë, Bosnjën e Hercegovinën dhe Kosovën.

Maqedonia sipas diplomatëve të NATO-s, është “tregim i suksesshëm” në rajon, dhe nëse procesi rreth Marrëveshjes së Prespës zhvillohet pa pengesa, pritet vendi të bëhet anëtarja e tridhjetë e Aleancës në vitin 2020.

“Plani është që sapo të përfundojë procesi te ne, të finalizohet protokolli inkuadrues, i cili së bashku me Marrëveshjen e Prespës do të shkojë për ratifikimin në parlamentin e Athinës. Pastaj varet prej parlamenteve tjera nga vendet tjera anëtare kur do të formalizohet anëtarësimi ynë, kjo me siguri do të vendoset diku nga pranvera e vitit 2020”, deklaroi Dimitrov, i inkurajuar, siç tha, nga takimet në NATO.

Në pyetjet e gazetarëve për dyshime të mundshme të vendeve anëtare për gjendjen e sundimit të ligjit në vend, ministri i Punëve të Jashtme i hodhi poshtë këto kritika.

“Besimi në sundimin e ligjit në Maqedoni, është porosia që e morëm prej shumë kryeqyteteve javëve të fundit, kështu që në këtë kuptim këtu nuk kemi probleme”, thotë shefi i diplomacisë së Maqedonisë.

Dimitrovi deklaroi se porosia e ministrit lituanes ka qenë se “shumë gjatë keni pritur, nuk bëhet fjalë për simpati, anëtarësimin e keni fituar me punë, i plotësoni kriteret”.

Porosi të ngjashme ministri ka marrë edhe nga kryeqendrat tjera evropiane.

Dimitrovi sot pasdite niset për takime në Bashkimin Evropian, me eurokomisarin Johanes Han dhe përfaqësuesen e lartë Federika Mogerini.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here