​Kjo është deklarata e vetme e Remit pasi u ftua nga Gjykata Speciale

0
20

Ish-komandanti i Zonës Operative të UCK-së në Llap, Rrustem Mustafa tashmë është konfirmuar nga avokati i tij se do të intervistohet për krime lufte në Hagë, me ftesë te Prokurorisë së Gjykatës Speciale. Mustafa, i njohur si Remi, deri më tani, ka deklaruar diçka të shkurt, sot pasdite.
“Jam dal në pushim. Dua me pushu nga mediat”, ka thënë Mustafa, për Gazetën Express, i pyetur për ftesën nga Haga.

Gazeta Express e para ka raportuar të enjten se një ish-komandat i UÇK’së është ftuar për intervistim nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Gazeta ka qenë e kujdesshme në nxjerrjen e informacionit në publik, duke mos publikuar emrin e ish-komandantit të Zonës operative të Llapit, për t’iu përmbajtur “konfidencialitetit” të fazës së hetimit.

Por pak minuta pas publikimit të këtij artikulli ekskluziv, identitetin e tij e ka zbuluar avokati Arianit Koci, bashkë me konfirmimin për ftesë.

“Me autorizimin e klientit tim z. Rrustem Mustafa, ju njoftoj se z. Mustafa ka pranuar një ftesë që me datën 14 janar 2019, të paraqitet pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës (ZPS) në Hagë. Kjo është ftesë për intervistim. Z. Mustafa do të paraqitet vullnetarisht dhe është i gatshëm të sqarojë çdo rrethanë të cilën ZPS është duke e hetuar”, ka shkruar Koci në facebook.

Gazeta Express ka raportuar se përveç Mustafës, Zyra e Prokurorit të Specializuar për Kosovën ka ftuar për intervistim edhe dy pjesëtarë tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gazeta Express, do të vazhdojnë të ruaj identitetin e tyre, sikurse edhe cilësinë për të cilin janë thirrur nga Haga. Sikurse nuk do të zbulojë as detaje të tjera nga funksioni i tyre në UÇK.

Ftesat, siç ka mësuar Gazeta Express, për të tre kanë ardhur në fillim të dhjetorit.

Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura si Gjykata Speciale, janë votuar në Kuvend të Kosovës, në gusht të vitit 2015. Përmes ligjit të veçantë, këto Dhoma të Specializuara u themeluan për të gjykuar disa krime të caktuara të kryera prej 1 janarit 1998 deri më 31 dhjetor 2000, brenda territorit të Kosovës.

Ato u krijuan si pasojë e një raporti të zviceranit Dick Marty, që e paraqiti para Këshillit të Europës në janar të 2011.

Raporti përmban pretendime për krime të rënda, që supozohet t’i ketë kryer UÇK’ja gjatë dhe menjëherë pas luftës së fundit në Kosovës. Të njëjtat supozime u mbështeten edhe në një libër që e kishte shkruar ish-prokurorja e Tribunalit Special, Carla Del Ponte, tri vjet para se Marty ta hartonte raportin.

Në mars të këtij viti, pas katër vitesh nga themelimi i Gjykatës Speciale, ishte dorëhequr nga detyra Prokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, David Schwendiman. Vetëm pak muaj para largimit të tij, ai kishte deklaruar se aktakuzat e Speciales tashmë ishin gati për tu ngritur.

Detyrën e tij përkohësisht e ka ushtruar Kwai Hong Ip, deri më 11 shtator kur u emërua amerikani Jack Smith. Ai u zgjedh në pozitën e Prokurorit të Specializuar pas një procesi të organizuar nga BE dhe udhëhequr nga shefja e misionit të EULEX’it.

Tre muaj pasi Prokurori i Specializuar, amerikani Jack Smith, erdhi në krye të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, këto janë rezultatet e para konkrete të aktivizimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here