Bora e vështirësoi komunikacionin, ndalesa për kamionë në një pjesë të rrugëve të Maqedonisë

0
43

Vala e ftohtë me reshje të borës që e përfshiu Maqedoninë  e vështirësoi  zhvillimin e komunikacionit,  por tani për tani pa ngecje dhe probleme më serioze. Në Aeroportin Ndërkombëtar Shkup realizohen  fluturimet dhe aterimet e parashikuara, ndërsa me vonesë të zakonshme për kushtet dimërore zhvillohen komunikacioni hekurudhor dhe rrugor.

Në rrugët shtetërore komunikacioni zhvillohet në kushte dimërore,  nëpër rrugë të lagështa, vende-vende me mbetje të borës në rrugë, pas intervenimit të ekipeve kujdestare të NP “Rrugët e Maqedonisë”. Reshje të borës me intensitet të ndryshueshëm ka në tërë territorin e Maqedonisë, gjithashtu për shkak të temperaturave të ulëta është e mundur edhe paraqitje e ngricave, informon Lidhja auto-moto e Maqedonisë.

Ndalesë  për lëvizje të automjeteve të rënda transportuese  ka në drejtimet rrugore Mavrovë – Dibër, Gostivar-Kërçovë, përmes vendkalimit malor Strazhë, Kërçovë – Ohër, përmes vendkalimit malor Presekë, vendkalimet malore Gjavato dhe Bukovë, Strugë – vendkalimi kufitar Qafëthanë, rruga Prilep-Makedonski Brod në vendkalimin malor “Barbaros”, si dhe në drejtimin rrugor Tetovë – Kodra e Diellit, ku ndalesa vlen  edhe për autobusë, ndërsa për automjetet tjera i obligueshëm është përdorimi i pajisjes dimërore (zinxhirë).

Komunikacioni në aksin rrugor Veles-Shtip, i cili paraprakisht është zhvilluar me vështirësi dhe ishte i ndaluar për komunikacion të automjeteve të rënda, është normalizuar.

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim ka apeluar deri te kryetarët e komunave t’i ndërmarrin të gjitha masat e domosdoshme për pastrimin e borës, për shkak të zhvillimit normal të komunikacionit dhe mbrojtjen e popullatës  sipas obligimeve të Ligjit për mbrojtje dhe shpëtim.

Sipas njoftimit të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), reshjet e borës prej pasdite  do të përforcohen, veçanërisht në pjesët  perëndimore dhe veriore të Maqedonisë,  ku shtresa e borës plotësisht do të rritet për 10 deri në 20 centimetra, ndërsa  në pjesët malore edhe mbi 20 centimetra. Në juglindje reshjet e borës do të përzihen me reshje të shiut. Do të fryjë erë e dobët deri në mesatare nga drejtimi verior. Temperatura maksimale do të arrijë prej -2 deri në 3 gradë Celsius.

Prej nesër deri të dielën moti do të jetë stabil dhe i thatë me temperatura të ulëta të mëngjesit dhe me kushte për paraqitje të mjegullës nëpër fushëgropa.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here