Kryeministrja britanike synon rihapjen e negociatave me Bashkimin Evropian

0
32

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, ka thënë para deputetëve britanikë se do të kërkojë nga Bashkimi Evropian që të rifilliojnë negociatat për çështjen e kufirit të Irlandës Veriore.

Ajo ka thënë se do të shkojë në Bruksel për ta siguruar një ndryshim të madh ligjor dhe obligativ të propozimit kundërthënës me qëllim të shmangies së kthimit të kontrolleve kufitare. Sidoqoftë, Bashkimi Evropian ka deklaruar se nuk do ta ndryshojë tekstin e marrëveshjes së arritur paraprakisht me kryeministren britanike.

Pritet që May të zhvillojë biseda telefonike me zyrtarët e lartë të BE-së para një vargu votimesh në Dhomën e Ulët, të cilat pritet ta përcaktojnë rrjedhën e ngjarjeve për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian. Ajo tashmë ka biseduar me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, dhe kryeministrin irlandez, Leo Varadkar.

Zonja May tha se procesi i votimit do të jetë mundësi e mirë për t’ia dërguar një porosi të qartë Bashkimit Evropian për kontrollet kufitare në Irlandën Veriore. Pak para votimit, vlera e funtës britanike u rrit në nivelin më të lartë që nga maji i vitit 2017. Megjithatë, duket se BE-ja nuk do ta ndryshojë qëndrimin dhe nuk do të pranojë të bëhet sërish pjesë e bisedimeve, shkruan “BBC”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here