Kurti për Arben Xheladinin e Mon Balajn: Kujtimi për ta i pashlyeshëm, lavdia e përjetshme

0
17

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka përkujtuar 12 vjetorin e publikimit të paketës së Martti Ahtisaarit për statusin e Kosovës.

Në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar

 

” 12 vjet nga 10 shkurti

Më 2 shkurt 2007 u bë publike Paketa e Propozimit gjithpërfshirës të Martti Ahtisaarit për statusin e Kosovës. Paketë e madhe gjithsesi sepse shumë padrejtësi ishin futur brenda. Shumica e dyfishtë në Kuvend, sundimi ndërkombëtar mbi Qeverinë, shuarja e TMK-së, decentralizmi etnik, eksterritorialiteti fetar, borxhi i jashtëm i Serbisë që na përshkruhej edhe neve. Këto i patëm quajtur gjashtë faqet e padrejtësisë së paketës kubike të Ahtisaarit, në të cilën askund s’figuronte fjala ‘pavarësi’, 37 herë përmendej fjala ‘serb’ dhe vetëm një herë ajo ‘shqiptar’, kur flitej për komunitetet joshqiptare!

Protesta e 10 shkurtit 2007 kundërshtonte këtë padrejtësi shumëfaqëshe, shprehte vullnetin e popullit për liri dhe vetëvendosje, kërkonte sovranitet e pavarësi të plotë për Kosovën. Mijëra qytetarë u bashkuan në bulevardin “Nëna Tereze” në Prishtinë në marshin paqësor në ballë të të cilit ishte Baca Adem (Demaçi) e i cili edhe mbajti fjalim. Por, drejt sheshit “Skënderbeu” na doli përballë policia e UNMIK-ut me tyta të gjata të pushkëve çifte. 232 plumba gome me afat të skaduar u shkrepën mbi kokat dhe gjokset e njerëzve paqësorë e të paarmatosur. U vranë Arben Xheladini dhe Mon Balaj, u plagosën rëndë me pasoja për tërë jetën Zenel Zeneli, Mustafë Nerjova e Hysni Hyseni, ndërkaq numri i të plagosurve që gjithsej kalonte 80, ishte pesëfish më i lartë sesa i atyre të arrestuar. Policët kishin ardhur për të qëlluar mbi neve, jo për të ruajtur ligjin e tyre.

Pas protestës së 10 shkurtit 2007, ndërmjetësi finlandez Ahtisaari ia dërgon Raportin e tij për Kosovën Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon. Mirëpo, ia shton një faqe në fillim Propozimit të tij ku e përmend e thotë ‘pavarësi’ për Kosovën në kuadër të togfjalëshit ‘pavarësi e mbikëqyrur’. Në po atë vit OKB-ja ndalon përdorimin e plumbave të gomës në misionet e saj nëpër botë, kurse një vit më vonë shpallet pavarësia e Kosovës.

Sikurse për Kosovën dhe humbjet e vuajtjet e saj të shumta, drejtësia ende mungon edhe për Monin e Arbenin dhe familjet e tyre. Kujtimi ynë për ta është i pashlyeshëm kurse lavdia e tyre e përjetshme “, ka kujtuar Kurti./ Shqip Press/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here