
Prokuroria Themelore në Gjilan, gjatë javës së kaluar, ka ndaluar nëntë persona të dyshuar, në kohëzgjatje prej 48 orëve, për vepra të ndryshme penale.
Siç bëhet e ditur në njoftimin e kësaj prokurorie, departamenti i Përgjithshëm, ka ndaluar pesë persona, për shkak të dyshimit të veprave penale, “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, “Pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”, “Detyrim”, “Vjedhje e rëndë”, “Kanosje” dhe “Shtrëngim”.
Ndërkaq departamenti i Krimeve të Rënda, ka ndaluar një person, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale, “Keqpërdorim seksual i personave nën moshën 16 vjeçare”, të KPRK-së.
Nga Departamenti për të Mitur, janë ndaluar 3 (tre) të mitur, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim seksual i personave nën moshën 16 vjeçare”, “Vrasje në tentativë” dhe “Lëndim i rëndë trupor”, të KPRK-së.
Prokuroria Themelore në Gjilan, brenda afateve ligjore, për të gjitha këto raste, ka paraqitur kërkesat për caktimin e masës së paraburgimit, në Gjykatën Themelore në Gjilan.