Sonte zhvillohet Oscars 2019, gjithçka që duhet të dini për evenimentin më të madh në industrinë e filmit

0
55

Bota e filmit dhe dashamirët e tij janë në pritje të edicionit të sivjetmë, të 91’të me radhë, të ndarjes së çmimeve të Academy Awards (që njihet si ‘Oscars’) e që vlerëson të arriturat artistike dhe teknike në industrinë filmike. Çmimet ndahen çdo vit nga AMPAS (Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit) dhe vlerësojnë cilësinë në arritjet kinematografike të vlerësuara nga anëtarësia e votimit të Akademisë.

Është mbrëmja më e madhe dhe më magjepsëse e vitit në industrinë e filmit që josh vëmendjen e miliona njerëzve anekënd botës, të cilët presin me kërshëri se cilët do të jenë fituesit e statujave të arta që njihen si ‘Oscar’.

Më poshtë, keni gjithçka që duhet të dini lidhur me ceremoninë e sivjetme të Academy Awards:

Kur mbahet ceremonia e Oscars

‘Academy Awards 2019’ zhvillohet të dielën mbrëma më 24 shkurt (në orët e para të të hënës me kohën tonë, ndërsa fillimi i ndarjes së çmimeve pritet të jetë rreth orës 2:00 të mëngjesit).

Kohëzgjatja e ceremonisë

I gjithë spektakli i ndarjes së çmimeve pritet të zgjatë deri në tre orë, ashtu që pritet të mbarojë rreth orës 5:00 të mëngjesit me kohën tonë. Sidoqoftë, këtë vit mund të zgjasë pakëz më shumë kur kihet parasysh se do të ndahen 24 çmime dhe do të ketë më shumë performanca në skenë.

Nominimet për Oscar

Filmi nga Netflix, “Roma” dhe “The Favorite”, udhëheqin me nga 10 nominime secili. “Black Panther” bëri histori si filmi i parë me superheronj që nominohet për çmimin kryesor “Filmi më i mirë”.

Ndërkohë që “A Star is Born” me protagonistë këngëtaren Lady Gaga dhe Bradley Cooper, ka arritur po ashtu të jetë i nominuar në disa kategori.

Mungesat e rëndësishme në listën e nominimeve

Derisa Bradley Cooper është përfshirë në disa nominime me filmin “A Star is Born”, ekspertët besojnë se ai është dashur të nominohet në kategorinë për Regjisorin më të mirë.

Drama biografike britnaike, “Mary Queen of Scotts”, po ashtu mungon në kategoritë kryesore, sidomos për aktorët më të mirë, duke i lënë jashtë konkurrimit Margot Robbie dhe Saoirse Ronan.

Po ashtu, të mosvlerësuar konsiderohen edhe Timothee Chalamet (“My Beautiful Boy”), Claire Foy (“First Man”), Ethan Hawke (“First Reformed) e Toni Collette (“Hereditary”).

Ku mbahet ceremonia

Spektakli i sivjetmë i Academy Awards do të mbahet përsëri në Dolby Theatre (më herët i njohur si Kodak Theatre) në Hollywood Boulevard të Los Angelesit.

Si do të funksionojë spektakli pa një nikoqir

Aktori dhe komiku Kevin Hart u tërhoq nga prezantimi i Oscars pas kritikave për komente homofobike në të kaluarën. Akoma nuk dihet se si do të funksionojë spektakli pa një nikoqir dhe është hera e parë pas 30 vitesh që Akademia ka vendosur ta mbajë evenimentin pa një prezantues kryesor.

Sipas The Hollywood Reporter, organizuesit e spektaklit kanë vendosur që t’i grumbullojnë disa yje të filmave “Avengers”, si Robert Downey Jr, Chris Hemsworth, Scarlett Johansson, Mark Ruffalo, Chris Evans, Chadwick Boseman, Samuel L Jackson – së bashku me yllin e DC, Jason Momoa dhe atë të X-Men, James McAvoy – për ta plotësuar hapësirën ndërmjet ndarjes së çmimeve dhe segmenteve muzikore.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here