Haziri iu konfirmon bizneseve angazhimin maksimal për zero taksa

0
33

Kreu i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri iu ka konfirmuar bizneseve angazhim maksimal për zero taksa.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Odës Ekonomike Amerikane, përfaqësuesit e Agjencionit për Zhvillim Rajonal  -Lindje (AZHR) dhe drejtuesit e bizneseve të mëdha prodhuese, me të cilët kanë bashkëbiseduar për rolin e Komunës së Gjilanit, e cila ka angazhimin maksimal për zhvillimin ekonomik lokal me politikën zero për taksa ndaj bizneseve në krahasim me zhvillimin e tyre.

“Projekte të përbashkëta që i kemi me Komisionin Evropian, USAID-in dhe me partner strategjik që punojmë, si institucion në nivelin lokal i kemi orientuar në sektorin e zhvillimit lokal ekonomik, konkretisht në sektorin privat në mënyrë që të ketë zhvillim, të ndikohet në rritje të punësimit. Natyrisht, që parametrat janë jashtëzakonisht pozitiv në Komunën e Gjilanit sepse jemi të përkushtuar që të kemi përkrahje maksimale në krijimin e klimës sa më të mirë për të bërit biznes”, ka thënë Haziri.

Siç bëhet e ditur në njoftimin për medie, Haziri po ashtu ka thënë se komuna është duke punuar shumë që sektori privat të dalë në nivelin e parë të punësimit, pasi që sipas tij, Gjilani është punëdhënësi më i madh.

“Komuna e Gjilanit si institucion fatkeqësisht ende është punëdhënësi më i madh në Gjilan. Tashmë fondi i investimeve në këto tri vite sipas parashikimeve afatmesme buxhetore është 61 milionë, prej të cilave 47 milionë janë të Bankës Evropiane për Zhvillim, që Komuna e Gjilanit, i merr pa kredi nga qeveria e Kosovës, ndërsa mjetet tjera janë të hyra nga format sektoriale. Po punojmë shumë që sektori privat të dalë në nivelin e parë të punësimit. E ardhmja e vetme e qëndrueshme në zhvillimin ekonomik është definitivisht fuqizimi i sektorit privat”, ka thënë mes tjerash kryetari Lutfi Haziri.

Në fjalën e tij, Arian Zeka, drejtor i Odës Ekonomike Amerikane, ka thënë se takimi i sotëm është një koordinim dhe grumbullim të të dhënave, që me ato të shkojmë në qeveri për të ndërhyrë së bashku në krijim të politikave favorizuese për zhvillim ekonomik.

“Ne kemi qëllim fuqizimin e rinisë dhe orientimin e tyre kah sektori privat dhe ndërmarrësia. Jemi të orientuar për kapitullimin e këtij aseti dhe të largojmë idenë dhe planifikimin e tyre që është synimi drejtë vendeve evropiane dhe më larg”, ka thënë Zeka.

E nga ana e tij, afaristi Ibrahim Krivaça nga ndërmarrja “Integj”, ka thënë se sot bashkërisht kanë paraqitur brengat dhe shqetësimet që ka sektori privat të cilat janë diskutuar në një përbërje katërpalëshe mes Komunës, RDA-së, OEA dhe sektorit privat, me qëllim që të ketë një rritje dhe zhvillim më të madh të kësaj fushe me rëndësi në zhvillim dhe punësim.

E nga ana e tij Agim Zeka, drejtor i RDA-së, ka thënë se institucionet qeveritare duhet të kenë një trajtim të barabartë të sektorit privat, në nivel shtetëror. Sipas tij një rëndësi e veçantë i është dhënë fuqizimit të sektorit privat në zhvillimin e fushës së prodhimit me qëllim të zëvendësimit të importeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Zeka, ka thënë po ashtu se deri më tani Komuna e Gjilanit ka dhënë maksimumin e saj në mbështetjen e sektorit privat përmes formave të ndryshme, për të krijuar një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit privat në përgjithësi. 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here