Shefi i produkteve largohet nga Facebook

0
49

Pranverën e kaluar, Chris Cox, shef i divizionit të produkteve në Facebook, ishte ngritur në detyrë, për të mbikëqyrur edhe WhatsApp’in, Messenger’in, dhe Instagram’in.

Asokohe, dukej sikur një planifikim pasardhësi. Nëse Mark Zuckerberg, shef kryesor i Facebook’ut, do të largohej ndonjëherë nga kompania, Cox, mik i tij i moçëm, do ta zëvendësonte pa ndonjë problem.

Por, Cox ka njoftuar të enjten se, pas 13 vjetësh në kompani, do të largohet nga Facebook.

“Për më shumë se një dekadë, unë kam ndarë të njëjtën porosi, që unë dhe Marku gjithmonë e kemi besuar: Historia e medias sociale ende nuk është shkruar, dhe efektet e saj nuk janë neutrale. Ajo është e ndërlidhur me kompleksitetin e jetës sociale. Si ndërtues të saj, ne duhet të përpiqemi ta kuptojmë ndikimin e saj – të gjitha të mirat dhe të gjitha të këqijat – dhe të punojmë çdo ditë ta ndryshojmë atë drejt pozitives, dhe drejt të mirës. Kjo është përgjegjësia jonë më e madhe”, ka shkruar ai.

Për vite me radhë, Cox dhe Zuckerberg janë pajtuar për pothuajse gjithçka. Por, deklarata e tij sikur lë të kuptohet se, mbase, një vendim i madh i kohës së fundit i ka përçarë ata dy, dhe një punonjës i kompanisë ka konfirmuar për Wired se kjo është njëmend arsyeja e largimit të tij nga Facebook.

Javën e kaluar, Zuckerberg publikoi një manifesto për privatësinë, që paraqiste një drejtim të ri për kompaninë, të bazuar në shkëmbim të enkriptuar të mesazheve, dhe në bashkëveprimin e platformave të mesazheve, që Cox mbikëqyrte.

Dhe, brenda deklaratës së Coxit duket të jetë një sinjal që kjo mund të ketë çuar atë të largohet sot.

“Siç ka thënë Mark, ne po nisim një kapitull të ri në drejtimin e produkteve… Ky do të jetë një projekt i madh dhe neve do të na duhen udhëheqës të rinj, të cilët kanë entuziazëm për ta realizuar drejtimin e ri”, është shprehur ai.

Kjo pothuajse tingëllon sikur Cox s’është fort entuziast për ta çuar përpara këtë projekt.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here