Veseli për marrëdhëniet Kosovë-Japoni: Miqësia e vërtetë nuk njeh distanca gjeografike

0
37

Në traditën e popullit tim, ekziston një shprehje e vjetër, por gjithmonë aktuale: miku i mirë njihet në ditë të vështira. Dhe ishin pikërisht ditët më të vështira për popullin tonë, ku ai ndjeu dorën e solidaritetit japonez, shpirtgjërësinë e tij, humanizmin e tij.

Kështu tha kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në pritjen e organizuar nga Ambasada e Kosovës në Tokio të Japonisë, ku ishin të pranishëm mbi 200 pjesëmarrës, zyrtarë të lartë shtetit japonez, përfaqësues të korit diplomatik të akredituar në Tokio si dhe artistë.

Para të pranishmëve, kryeparlementari Veseli tha se muajin që shkoi Kosova festoi 11 vjetorin e pavarësisë dhe sipas tij, të njëjtën moshë kanë edhe marrëdhëniet e saj me Japoninë, ngase Japonia ishte ndër vendet e para që njohu Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.

Kreu i Kuvendit tha se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shembulli më i mirë që tregon se miqësia e vërtetë nuk njeh distanca gjeografike, as barriera humane.

“Njerëzit tuaj nuk e pranuan indiferencën, kapërcyen distancat e mëdha njerëzore e gjeografike, të cilat qëndrojnë mes dy vendeve tona, dhe na u gjetën pranë kur ne kishim nevojë jetike për përkrahje. Prandaj, kam nderin dhe privilegjin që sonte, në këtë ambient kaq miqësor, në emër të popullit të Kosovës, të falenderoj popullin dhe qeverinë japoneze për mbështetjen e madhe që na kanë dhënë tash e dy dekada. Ne nuk do ta harrojmë kurrë përkrahjen tuaj. Sot fëmijët tanë rriten me ndjenjën e respektit për vendin tuaj dhe sa e sa vende të tjera. Ne kemi një emër të përbashkët për ju dhe këto vende. Ne ju quajmë miqtë e lirisë sonë”, theksoi Veseli.

Në vazhdim të fjalës së tij, kryeparlamentari Veseli tha se vizita e tij në Japoni ka për qëllim që të ndihmojë në thellimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve. Ai tha se në vitin e ardhshëm pritet të fillojë punën ambasada japoneze në Prishtinë dhe qyetetarët e Kosovës mezi presin të shohin flamurin e Japonisë duke u valëvitur në qiellin e Prishtinës.

“Ne duam të kemi prezencë japoneze në të gjitha fushat e jetës. Ju jeni një komb i madh, prej të cilit ne duam të mësojmë vlerat shembullore, etikën e punës dhe shpirtin sipërmarrës, gjithë shembullin e një shoqërie që, mbi gërmadhat e luftës, ndërtoi një model suksesi, frymëzues për të gjithë botën”, tha kryeparlamentari Veseli.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here