I liruari nga akuzat në rastin “Drenica” kërkon mbi 90 mijë euro kompensim nga KGJK-ja

0
33

Pasi ishte liruar nga akuzat për krime lufte në rastin e njohur si “Drenica”, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Avni Zabeli po kërkon mbi 90 mijë euro kompensim dëmi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK).
Lidhur me padinë e tij, ushtruar ndaj KGJK-së, të hënën është mbajtur seanca në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj.

Në këtë seancë, përfaqësuesi i paditësit, avokati Gani Rexha, ka deklaruar se ka precizuar padinë në këtë rast, ku për dëmin jo material po kërkohen 43.265 euro, ndërsa për dëmin material 47.381 euro, në të cilat përfshihen shpenzimet e avokatit, vizita familjare gjatë kohës në paraburgim, pagesën e ekspertëve dhe humbjen e pagave nga rroga gjatë kohës së paraburgimit.

Përfaqësuesi i palës se paditur, Besim Mustafa ka deklaruar se nuk e kundërshton bazën juridike të kërkesëpadisë dhe për dëmin jo material ai i ka propozuar gjykatës që ekspertizën e psikiatrisë nga eksperti Shpend Haxhibeqiri të merr pjesërisht të besueshme gjatë nxjerrjes se aktgjykimit, ndërsa për shpenzimet e vizitave familjare, sipas tij, të merret tërësisht si e besuar ekspertiza e ekspertit financiar, Dibran Jashari.

Ai ka kërkuar që sipas Udhëzimit Administrative 4/2015 që parasheh kompensimin e dëmit të personave që janë arrestuar ose dënuar pa arsye, për 509 ditë sa ka qenë në paraburgim dhe në arrest shtëpiak, t’i kompensohet dëmi material prej nëntë euro dita dhe për dëmin jo material prej gjashtë euro dita.

Ndërsa, për kompensimin e pagës, që kishte humbur tani paditësi Zabeli, përfaqësuesi i të paditurës, e ka kundërshtuar si të pabazuar, pasi sipas tij, kjo humbje e pagës duhet të kërkohet nga organet e policisë, aty ku ka qenë i punësuar tani paditësi.

“Meqenëse organet e Policisë së Kosovës e kanë kthyer të njëjtin në punë, nënkupton se e gëzon dhe të drejtat për kompensimin e pagës së humbur nga ky organ”, ka thënë ai.

Ndërsa, paditësi Zabeli ka deklaruar se qëndron pranë padisë, duke thënë se atij i janë shkelur të drejtat themelore, që garantohen me Kushtetutën e Republikës së Kosovës si dhe me konventat ndërkombëtare.

Paditësi Zabeli ishte mbajtur në arrest shtëpiak dhe paraburgim për 509 ditë, dhe i cili ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Mitrovicë e më pas dhe nga ajo e Apelit, pasi ishte akuzuar për krime lufte.

Ndryshe, sipas padisë, së ushtruar më 9 tetor 2017 kundër Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Avni Zabeli kërkon kompensimin e dëmit material dhe jo material për shkak të heqjes pa bazë nga liria e personave të dënuar ose arrestuar pa arsye.

Përmes padisë, paditësi kërkon që të aprovojë në tërësi kërkesëpadinë rreth dëmeve materiale dhe jo materiale, ku siç thuhet në padi, që i kishte shkaktuar arrestimi dhe dënimi i paarsyeshëm nga organet e drejtësisë në atë kohë EULEX, kinse i akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile. /Betimiperdrejtesi

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here