Prokuroria po merret me kallëzimin penal

0
13

Kreu i Bashkësisë Islame Naim Tërnava po ballafaqohet me akuza të rënda, vjedhje e keqpërdorim të detyrës zyrtare. Teologu Emin Behrami thotë se Tërrnava në vitin 2002 ka vjedhur 300 mijë marka gjermane që i takonin Bashkësisë Islame. Behrami ka deponuar kallëzim penal në Prokurori ndërsa dje BIK ka bërë me dije se Myftiu do t’i përgjigjet po ashtu me kundërakuzë. Të mërkurën Prokuroria ka konfirmuar se po merret me kallëzimin penal.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava po akuzohet se në vitin 2002, i ka vjedhur 300 mijë marka gjermane të cilat i takonin Bashkësisë Islame të Kosovës.

Këto akuza janë hedhur nga teologu Emin Behrami, i cili ka thënë se ato para janë zhdukur në pikë të ditës dhe se askush nuk u mor me këtë rast, për shkak se Tërnava atë kohë ishte kryetar i Kuvendit të BIK’ut dhe Drejtor i Medresesë.

Por, këto akuza Behrami nuk i la vetëm shkrim në facebook. Ai ka deponuar edhe kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

Gazeta Express ka tentuar të kontaktojë Naim Tërnavën për ta pyetur në lidhje me këto akuza, por ai ka qenë i pa qasshëm.

E Emin Behrami ka shkruar se pas zhdukjes së parave atëkohë, Tërnava ishte arsyetuar se shumën e parave në fjalë e kishte futur në arkën e Medresesë. Por, më vonë këto para ishin shpallur si të vjedhura.

“Edhe më keq se kjo, Tërnava në prag të shpalljes së vetvetës si Mufti i BIK-ut në vitin 2002, i vodhi 300.000 DM (treqind mijë marka gjermane), për fatin e të cilave kurrë nuk u njoftuan muslimanët, ndërsa këtë veprim kriminal ai e ka pranuar publikisht. Ato humbën në pikë të ditës, ndërsa kurrë nuk u ndoq, sepse ishte kryetar i Kuvendit të BIK-ut dhe drejtor i Medresesë, vepër penale kjo të cilën ia paraqita organeve kompetente të shtetit, me propozim që pas hetimit të rastit, kryetarin Tërnava ta dënojnë sipas ligjit”, ka shkruar Behrami.

Në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, të mërkurën, thanë për Gazetën Express se tashmë janë duke u marrë me këtë kallëzim penal.

“Prokuroria Themelore e Prishtinës e ka pranuar kallëzimin penal me datën 11 prill, të deponuar nga Emin Behrami kundër Naim Ternavës, për dy vepra penale, “Keqpërdorim të autoritetit dhe pozitës zyrtare” dhe “vjedhje e rëndë””, tha zëdhënësja e Prokurorisë Laureta Ulaj për Gazetën Express.

Kjo lëndë, pritet që të shkojë në short dhe më pas i caktohet ndonjë prokurori që të merret me të. Kjo, sipas prokurorisë, mund të ndodhë brenda 1 javë ose 10 ditëve.

Teologu Emin Behrami ka kërkuar që pas hetimit të këtij rasti, pret që organet kompetente të shtetit ta dënojnë Naim Tërnavën sipas ligjit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here