Skenari i mundshëm në LDK – Mustafa rizgjedhet, Haziri kandidat për kryeministër?

0
28

Teksa LDK po vazhdon procesin e brendshëm elektoral, që do të kulmojë me zgjedhjen e të kryetarit, drejtuesit e këtij po merren edhe me skenarë që do të mund ta definojnë këtë parti për katët vitet e ardshme. Burime të Gazetës Express bëjnë me dije se LDK po e diskuton seriozisht skenarin në të cilën Isa Mustafa do të mbante postin e kryetarit, ndërsa Hazirit do t’i jepet kandidatura për Kryeministër nga kjo parti. Haziri në një prononcim për Gazetën Express thotë se nuk ka asnjë zhvillim në parti deri  sa të mbahet Kuvendi. E Vjosa Osmani thotë se do të kundërshtojë një skenar të tillë.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës nominalisht ka shumë pretendetë që synojnë kreun e partisë. Por ata që kanë guxuar të japin sinjale se duan ta zëvendësojë Isa Mustafën janë megjithatë të paktë. Deri më tani, në publik, mund të identifikohen dy pretendentë Lutfi Haziri dhe Vjosa Osmani edhe pse nuk i kanë bërë publike kandidaturat në mënyrë eksplicite duke thënë “unë jam kandidati”. Neutral po qëndron edhe Isa Mustafa. Por, vetëm publikisht.

Por, burime të mirë informuara brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë bërë të ditur për Express se ekziston mundësia që me postin e kryetarit po bëhen pazare nga vetë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa e nënkryetari Lutfi Haziri.

Sipas një marrëveshje që është ende në suazat e diskutimit, Isa Mustafa do të kandidojë për të tretën herë në pozitën e kryetarit, duke i premtuar kështu nënkryetarit Haziri postin e kandidatit për kryeministër, kurdo që të shpallen zgjedhjet.

Gazeta Express ka kontaktuar nënkryetarin Lutfi Haziri për këtë temë por i njëjti ka mohuar se është diskutuar një gjë e tillë.

Haziri njëjtë si bashkë partiakët e tij nuk ka pranuar të flasë se a do të kandidojë apo jo për këtë post, duke thënë se deri në përfundim të zgjedhjeve në nëndegë nuk do të ketë asnjë zhvillim në qendër.

“Nuk është e vërtetë. LDK ka hyrë në fazën zgjedhore në Nëndegët për 22 Degët e para. Grupi tjetër do të jetë në Maj. Koha është për kandidatura lokale në nivel Degës. Në kemi Kryetar, Kryesi, KP dhe Kuvend. Deri në Kuvendin zgjedhor nuk ka asnjë zhvillim tjetër në parti”, u deklarua për Express, Haziri.

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa në anën tjetër thotë se nuk komentojnë këto që sipas tij janë spekulime.

“Kandidaturat për kryetar të partisë zyrtarisht shpallen në Kuvendin e LDK-së, i cili mbahet pas përfundimit të kuvendeve të 38 degëve. Prandaj nuk kemi ndonjë datë të caktuar për Kuvendin e LDK-së. Gjithçka përtej kësaj është spekulim”, deklaroi Mustafa.

Isa Mustafa asnjëherë nuk ka mohuar se do të kandidojë për postin e të parit të partisë për mandatin e tretë, madje, përmes disa shkrimeve që i ka bërë përmes Facebook’ut ka lënë të nënkuptohet se një gjë e tillë mund edhe të ndodhë.

Të gjithë ata që po shihen si kandidat të mundshëm për të garuar në postin e të parit të LDK-së, madje çuditërisht kanë dhënë edhe përgjigjen e njëjtë të pyetur për këtë temë.

“Për kandidaturë do të vendoset sa po të përfundojnë zgjedhjet nëpër degë”, thanë disa nga të përfolurit e LDK-së, përfshirë këtu edhe Isa Mustafën.

Gazeta Express për të komentuar marrëveshjen që mund të ketë ndodhur në mes të Mustafës e Hazrit ka kontaktuar edhe deputeten Vjosa Osmani, që në zgjedhjet e kaluara nuk pati marrë votat e nevojshme të delegatëve për të kandiduar.

Osmani që ka marrë më së shumti vota nga gratë e kandiduara për deputete shihet edhe si një pretendente me shumë mundësi për të marrë postin e të parës së partisë. Në emisionin “Pressing” javë më parë, Osmani ka thënë se kryetari i ri LDK’së do të jetë edhe kandidat për Kryeministër.

Deputetja duke folur për Express ka thënë se nuk do të komentojë këtë temë për sa kohë që është vetëm spekulim, mirëpo, shton se do të reagojë, nëse një gjë e tillë del e vërtetë.

Në muajin maj, pritet që Lidhja Demokratike t’i shpallë zyrtarisht kandidaturat për kryetar të kësaj partie. Deri tani, Fatmir Sejdiu, Vjosa Osmani, Isa Mustafa, Agim Veliu, Lutfi Haziri e Kujtim Shala janë përmendur si pretendentët kryesorë për postin e kryetarit të LDK-së.

Procesi zgjedhor në Lidhjen Demokratike ka filluar në muajin mars ndërkaq pritet të përfundojë në muajin maj. Teksa LDK po e zhvillon procesin zgjedhor në mënyrë të heshtur, është bërë e ditur votimi do të bëhet në mënyrë të fshehtë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here