Hoxhë Abazi tregon se kujt i lejohet të agjërojë dhe çfarë e prish agjërimin

0
13

Imami i Xhamisë te ‘4 Llullat’ në Prishtinë, Husamedin Abazi, duke folur për veçorit e muajit të shenjtë të Ramazanit, ka thënë se agjërimi në këtë muaj lehtëson njerëzit nga lodhja, streset, e rutina e përditshme të cilën ata e kanë marrë në muajt e tjerë.

Në një intervistë për Telegrafin, ai ka treguar edhe kujt i lejohet të mos e agjërojë këtë muaj.

“Të gjitha ibadetet në Islam janë prehje kënaqësi, nuk janë të obliguar që me to me i rëndu njerëzit. Krijuesi ynë është më i mëshirshëm ndaj neve, sesa ne jemi ndaj vetes dhe fëmijëve tanë. Edhe agjërimi është i dobishëm si në aspektin psiqik, intelektual edhe shëndetësor. Por, për disa raste ka përjashtime. Tek të sëmurit me sëmundje kronike të rënda, gratë me mujore, gratë lehona, ato të cilët i japin gji fëmijëve, e sa e sa raste tjera. Kushdo që ka arsye të mos agjërojë, feja e liron nga agjërimi. Ndërsa nëse është fjala për pengesa momentale, atëherë ky agjërim që iu ka mbetur pa e bërë e kompensojnë mbas Bajramit kurdo që kanë mundësi”, ka thënë ai.

Abazi ka folur edhe për ata të cilët nuk agjërojnë, duke treguar se si mund të zëvendësohet ky agjërim.

“Ata të cilët janë të sëmurë kronik dhe nuk pritet që të shërohen, të tillët obligohen të japin para që të ushqejnë një të varfër gjatë ditës, për çdo ditë të Ramazanit. Pra me 2 deri në 3 euro gjatë ditës. Pra Ramazani e ka edhe aspektin e humanizmit e solidaritetit”, ka thënë ai.

Ndër të tjera ai ka treguar se kush dhe çfarë e prish agjërimin.

“Ne abstenojmë që nga Imsaku, që e quajmë agimi i hershëm e deri në perëndim të diellit. Abstenojmë nga ngrënia dhe pirja. Edhe aspekti i marrëdhënieve mes bashkëshortëve, kuptohet gjatë kësaj kohe duhet të ndërpritet. Larja e dhëmbëve nuk e prish agjërimin, por duhet pasur kujdes të mos na shkoj uji, apo pasta. Mandej, kur është fjala tek harresa, edhe nëse kemi ngrënë apo kemi pirë dhe jemi ngopur atëherë nuk prishet agjërimi, sepse ka qenë për shkak të harresës. Po ashtu agjërimin e prish edhe përgojimi, thashethemet. Ata njerëz që bien në këto sprova, atëherë ndoshta borxhin e kryejnë, por shpërblim nuk do të kenë për atë agjërim”, është shprehur hoxha, duke shtuar se qëllim i agjërimit nuk është vetëm të na sheh Zoti sa po qëndrojmë pa ngrënë e pa pirë, por që sipas tij të avancohemi në devotshmëri e jo vetëm si agjërim mekanik.

I pyetur për qytetarët të cilit nuk i takojnë besimit islam e që shprehin vullnet të agjërojnë ditë të këtij muaji, ai ka thënë se është gjë pozitive dhe respektim i njëri tjetrit.

“Unë e shoh që është shenje pozitive dhe respektim i njëri tjetrit. Këto gjëra neve si popull na kanë dalluar dhe i kemi pasur. Njihemi si populli më tolerant në Evropë, dhe na kanë shembull edhe popujt tjerë. Ne bashkjetojmë natyrshëm me njëri-tjetrin, dhe i kemi respektuar gjithmonë edhe ritet e njëri-tjetrit. Janë gjëra pozitive dhe kurrë nuk kemi pasur probleme. Unë i falenderoj të gjitha ata të fesë tjetër që i respektojnë shokët dhe shoqet e tyre duke agjëruar”, ka thënë ai.

Në fund ai ka dhënë një mesazh për të gjithë ata që agjërojnë muajin e shenjtë të Ramazanit, duke iu bërë thirrje që të përmirësojnë dhe avancojnë vetën.

“E lus Zotin që të gjithë neve të na përfshijë mëshira e tij dhe kjo atmosferë e Ramazanit që është e paqes, e mirëqenies dhe solidarizimit mes njerëzve. Të gjithë agjëruesit të bëhemi ata që përmirësojmë vetën, avancojmë vetën. Po ashtu me sjelljen tonë arrijmë që edhe të tjerët që nuk ia kanë ditur vlerën e agjërimit t’ia fillojnë, sepse kjo padyshim që iu dhuron mirësi”, ka thënë Imam Abazi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here