Thaçi, Veseli e Haradinaj njëzëri: Kryerësit e masakrave në Kosovë, do të dënohen

0
26

Me rastin e 20-vjetorit të masakrave në fshatrat Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Llabjan, sot u mbajt një akademi përkujtimore.

Në një fjalë rasti, Presidenti Hashim Thaçi tha se mospërgjegjësia për krimet e luftës është një diskriminim që iu është bërë Kosovës, ai shtoi se mbështet rezolutën e Kuvendit të Kosovës për krijimin e një Tribunali që do të dënojë kryerësit e veprave të masakrave, raporton Ekonomia Online.

“Sot jemi mbledhur të nderojmë martirët dhe dëshmorët që u vranë nga Serbia në mënyrë sistematike gra pleq e fëmijë vetëm pse ishin shqiptarë prandaj Kosova ka pasur rrugëtimin e saj të suksesit të pavarësisë e lirisë dhe sot kur presim të shënojmë njëzet vjetorin e fitores mbetet breng për të gjithë që ende nuk është dënuar nga shteti i Serbisë dhe kjo është padrejtësi dhe diskriminim për vetë popullin e Kosovës. Prandaj shpresoj që në seancën e ardhshme të kuvendit do nxirret rezoluta që dënon krimet e shtetit serb. Të gjithë këta njerëz të aparatit të shtetit serb të ballafaqohen me drejtësinë”, tha Thaçi

Ndërsa Kryekuvendari, Kadri Veseli, tha se Serbia nuk po mbrapset nga kërcënimi për Kosovën, duke shtuar se Kosova këtyre kërcënimeve do i përgjigjet me të njëjtën monedhë e cila sipas tij do jetë më e rëndë se ajo para 2 dekadave.

“Mbi 13 mijë e 500 qenie njerëzore të vrarë e të pafajshëm kërkojnë drejtësi dhe kjo është ajo që po kërkojmë Kosova ka të drejtë të kërkojë drejtësi për faktin se shteti serb nuk po mbrapset së kërcënuari shtetin tonë. Pjesës së kërcënimit do i përgjigjemi me të njëjtën monedhë por do jetë më e rëndë se para dy dekadave. Ne jemi për paqe dhe duam fqinjësi të mirë por nuk do i nënshtrohemi asnjë provokimi”, tha ai.

Ai në fund pati edhe një mesazh për kryerësit e masakrave gjatë luftës së fundit në Kosovë, duke ju thënë se do iu zënë edhe në gjumë.

“Duhet të fillojmë rrugëtimin për të kërkuar drejtësi për të gjithë këta që janë vrarë në mënyrë të pafajshme. Shteti serb duhet të dënohet për gjenocidin që e kanë kryer në Kosovë. Gjithë kriminelët që kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë do i zëmë në gjumë”.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se kjo që po bën sot Kosova dhe Qeveria për ligjin për martirët dhe të pagjeturit është vendosje e një drejtësie të vonuar.

“Meqenëse është 20 vjetori e kemi vlerësua që të takohemi sot në Prishtinë dhe ajo që njihet si masakër e Qyshkyt duhet të vlerësohet sakrifica dhe plaga më e madhe. Edhe kur kam qenë në Qyshk e vendndodhjet tjera ndjenjat kanë qenë çdo herë të përziera pasi qe Peja dhe ajo zonë ka qenë një zonë me interes për armikun tonë pra ballafaqimi i UCK-së dhe forcave të armikut ka qenë jetik dhe i vështirë. Kjo që po bën sot Kosova dhe qeveria për ligji për martirët dhe të pagjeturit është vendosje e një drejtësie të vonuar”.

Ai shtoi se nuk duhet të ketë diskutime se kush e inicioi ligjin i cili do të dënojë kryerësit e masakrave gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Me duhet me ligj ta mbrojmë flijimin e tyre. Inicimi i një ligji për me dënu të fajshmin është obligim i ynë. Po dëgjoj shumë diskutime kush e nisi dhe ku e nisi këtë iniciativë por mos i bëni këto. Dikush po thotë vonë por a ta lëmë edhe tash pas 20 vitesh? Do t’i mbrojmë me ligj familjet e të rënëve për liri ai dhe të drejtën e viktimave tona që mos me i mohu krimet pasi kjo është si me të vra për së dyti”, tha Haradinaj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here