Tribunalin për krime lufte, Serbia e sheh si barazpeshë për Gjykatën Speciale

0
17

Me një seancë të jashtëzakonshme dhe një rezolutë Kuvendi i Kosovës pritet të autorizojë një komision shtetëror për themelimin e Tribunalit për krimet serbe në Kosovë.

Parlamenti i Kosovës me një seancë të jashtëzakonshme do ta themelojë komisionin shtetëror për themelimin e Tribunalit, që do të gjykojë krimet e pretenduara të luftës të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë 1998-99. Kryesia e Kuvendit vendosi që këtë të enjte (16.05)të mbahet seanca e jashtëzakonshme, ku do të shpallet edhe një rezolutë “lidhur me krimet dhe gjenocidin e kryer gjatë luftës së Kosovës”. Gjatë seancës së jashtëzakonshme të së enjtes do të themelohet “Komisioni shtetëror për konfirmimin, hulumtimin dhe klasifikimin e gjenocidit të kryer gjatë luftës së fundit në Kosovë, do të vendoset për një rezolutë lidhur me gjenocidin e Serbisë në Kosovë, një vendim për themelimin e “Muzeut të gjenocidit”, si dhe vendimi për “Memorialin e dëbimit”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli pas një mbledhjeje të kryesisë, ku u vendos për seancë të jashtëzakonshme.

“Pres përkrahje nga të gjitha grupimet politike, mbështetje, për faktin se ky është një mision që i takon gjeneratës sonë. I takon Kosovës që të dokumentojë të faktojë dhe dëshmojë të gjitha krimet dhe gjenocidin që ka kryer Serbia ndaj Kosovës, në mënyrë që t’i hapet një perspektivë e re rajonit të Ballkanit Perëndimor në proceset integruese euroatlantike, për të gjitha vendet”, tha Kadri Veseli.

Tribunali do të kërkojë kohë

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli thotë, se “për krimet e Serbisë në Kosovë do të punojë drejtësia vendase dhe ndërkombëtare, por aktakuzat do të ngrihen nga prokuroria e vendit. “Tribunali ndërkombëtar do të marrë kohë dhe ne e dimë që ai nuk do të ndodhë ditën e enjte, kjo mund të marrë pak kohë, sepse Komisioni shtetëror, pasi të krijohet, i ka një varg masash dhe hapash, të cilat duhet t’i përfundojë. Mirëpo, kësaj duhet shkuar deri në fund e që do jenë aktakuzat. Pra, aktakuzat do të ngrihen nga vetë Prokuroria jonë”, tha kryetari i Kuvendit Veseli. Pas vendimit të kryesisë që përmes një seance të jashtëzakonshme të formohet komisioni shtetëror për themelimin e Tribunalit për krimet serbe në Kosovë, doli në mbështetje edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaҁi.

“Eshtë mirë që më në fund, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka vendosur që në mënyrë të bashkuar të lëvizet përpara me nxjerrjen e një rezolute dhe dokumenteve të tjera pasuese, ku dënohet qartë gjenocidi i Serbisë i kryer në Kosovë dhe kërkohet drejtësi nga të gjitha instancat ndërkombëtare”, u shpreh Presidenti Thaҁi, gjatë një tubimi përkujtimor për viktimat civile të luftës të vrarë nga forcat serbe në fshatin Korishë.

Plotësohet Kodi i Procedurës Penale

Ministria e Drejtësisë tashmë ka nisur procedurat për plotësim të Kodit të Procedurës Penale, ku është paraparë edhe dispozita për gjykimin dhe dënimin në mungesë. Këtë e konfirmon edhe ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, i cili e pranon që Kosova do ta ketë të vështirë 20 vjet pas luftës që të gjejë dhe gjykojë në Kosovë personat përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës. “Ne jemi të vetëdijshëm se nuk është e lehtë t’i sjellim në Kosovë të gjithë ata që kanë kryer krime gjatë luftës së viteve 1998-99, mirëpo është me rëndësi të kalojë kjo dispozitë për faktin që pavarësisht nëse nuk mund t’i arrijmë t’i nxjerrim fizikisht në gjykatat tona, këta njerëz të marrin dënimin e merituar dhe të jenë të ndjekur nga drejtësia kosovare që kurdoherë ta vuajnë dënimin për krimet e kryera”, thotë Abelard Tahiri. Sipas tij, “dënimi i kriminelëve të luftës është e vetmja rrugë për të jetuar së bashku të gjitha komunitetet në Kosovë”.

Serbia e she Tribunalin si barazpeshë për Gjykatën Speciale

Mirëpo, nga ana tjetër, zyrtarë të qeverisë në Beograd pavarësisht nismës së Prishtinës, nuk besojnë që bashkësia ndërkombëtare do ta përkrahë krijimin e një Tribunali që do të gjykojë krimet serbe në Kosovë. Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daciq, ka thënë se “paralajmërimet e Prishtinës rreth iniciativës së formimit të një Tribunali, që do të merrej me krimet e serbëve në Kosovë, është përpjekje për të gjetur një barazpeshë me punën e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë”.

“E kam të vështirë ta mendoj, se bashkësia ndërkombëtare mbështet që në Kosovë të krijohet një Gjykatë, e cila do të dirigjohej nga ish-anëtarë të UÇK-së, tani politikanë, e që shumë lehtë mund të gjenden para Gjykatës Speciale për krimet e UÇK-së”. Unë mendoj, se i vetmi synim është që të qetësohet opinioni kosovar në momentin kur duhet të priten thirrje të tjera për liderët e UÇK-së që të paraqiten para Gjykatës Speciale”, pati thënë Ivica Daciq, për median në Serbi Novosti.

Sidoqoftë, përfaqësues të organizatave joqeveritare që angazhohen për fatin e personave të zhdukur gjatë luftës së Kosovës dhe zbardhjen e së vërtetës për vrasjen e civilëve, janë skeptik nëse Kosova mund të krijojë Tribunal për krime lufte, sepse sipas tyre “Tribunalet ndërkombëtare për krime lufte krijohen vetëm nga OKB-ja”. Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare, pati thënë në një intervistë për DW-së, se nga evidencat e organizatës që ai e udhëheq 13,500 persona janë vrarë në luftën e fundit në Kosovë, ndërkaq, 1600 persona akoma konsiderohen të zhdukur, shumica e tyre shqiptarë të Kosovës. Sipas kryetarit të Kuvendit të Kosovës, gjatë luftës në Kosovë 1998-99 forcat serbe kanë kryer 183 masakra.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here