74-vjeçarja nga Ferizaj nuk ishte e prekur nga Covid -19, familja akuzojnë mjekët për neglizhenc

0
15

Gjatë ditës së shtunë në orët e hershme të mëngjesit në Klinikën e Pulmologjisë ka ndërruar jetë 74-vjeçarja pacientja H.Avdyli nga  Lloshkobare i komunës së Ferizajt. Ajo ishte testuar për Covid 19 por në të gjitha testet ka rezultuar negative. Por familja e së ndjerës shprehin shqetësime për mënyrën se si stafi i Pulmologjisë e trajtoi këtë rast. Thonë se trupi i së ndjerës kishte qëndruar për disa orë në një dhomë bashkë me pacientë të tjerë. E ky nuk është rasti i vetëm që në Pulmologji kufomat lihen në dhoma për orë të tëra bashkë me pacientë të tjerë.

Në një deklaratë për Gazetën Express, djali i së ndjerës, Përparim Avdyli ka hedhur akuza ndaj stafit mjekësor të QKUK-së për neglizhencë ndaj këtij rasti. Ata thonë se në dy testime të bëra në Ferizaj, nëna e tyre doli negativ ndaj COVID-19.

“Nana jem ka dalë negative në dy teste. Në Prishtinë ish krim. Aty ish tmerr. Pakujdesi e mjekëve. Nuk interesohen për pacientin. Jam detyrua që në ora 02:00 të natës me e thirrë policinë. Mjeku nuk u ndalke kur donim ta pyesnim. Kur e thirra policinë dolën krejt mjekët. Dhoma 4 me 3, katër pacientë. Nëna më ka vdek mu në ora 6:30 në mëngjes. Ajo deri pas orës 9 ka qëndrua në dhomë. Me vdekë e me e lanë pacientin ashtu.. unë nuk di se çka të them”, ka deklaruar për Express djali i së ndjerës, Përparim Avdyli.

Ata japin versionin e tyre edhe për çështjen e qëndrimit të trupit të kufomës për orë të tëra në shtratin e Klinikës së Pulmologjisë.

Familja: Në Pulmologji u prish lifti: Trupin e nënës nuk kishim nga ta nxjerrim jashtë

E derisa janë kryer procedurat për lëshimin e trupit të pajetë, në momentin kur familjarët ishin gati për ta marrë turpin e pajetë të 74-vjeçares, në Klinikën e Pulmologjisë nuk punonte lifti.

“Njëherë trupi i nënës ka ndejt aty deri sa i kanë rregullu letrat. Pastaj unë e kam thirë menjëherë atë djalin, një mjeke ma ka gjetë numrin aty. Mandej lifti u prish. U deshtë me pritë ma shumë se një orë për me e tërheq kufomën. Shkallëve poshtë nuk na lenin të zbresim”, deklaron për Express familja e së ndjerës.

Djali i viktimës deklaron se e ka njoftuar edhe policinë rreth këtij rasti.

“Kam thirrë në polici, ata më thanë duhesh me ardhë këtu me e raportua rastin”, deklaron familja.

Shënim: Gazeta Express gjatë ditës së djeshme ka lëshuar një shkrim në të cilin u tha se pacientja në fjalë ka rezultuar pozitiv me Covid 19. Por për rastin, bëhej fjalë për një pacient tjetër. Nga stafi mjekësor i Klinikës së Pulmologjisë kanë konfirmuar për Express se pacientja në fjalë nuk ka qenë e prekur me koronavirus. Express i kërkon faljes familjes të së ndjerës për informatën e dhënë një ditë më parë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here