A e preferon SHBA koalicionin LV – LDK

0
69

SHBA-t nuk po i besojnë LV-s se mund të jetë kooperative, fleksibile dhe e dobishme në raport me interesat gjeopolitike evro-atlantike që ka SHBA në Ballkan, konkretisht në raportin Kosovë – Serbi, edhe më konkretisht në negociatat që duhet të ndodhin ndërmjet këtyre dy shteteve. LDK në anën tjetër me asgjë nuk ka mundur të lë të nënkuptohet se e ka kapacitetin e nevojshëm që të jetë e drejtpërdrejtë në vendime dhe e guximshme në veprime për ta bërë ndonjë ndryshim në këtë drejtim.


Shkruan: Faton Abdullahu

LV dhe LDK janë dy forca politike të cilat nuk i besojnë njëra tjetrës. Ky mosbesim ka traditë të gjatë. Në marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy forcave ka pas edhe element kriminal, akuza të vrazhda, dhe këto dy forca kanë ideologji e mendësi krejt të ndryshme jo vetëm politike. Muajve të fundit gjatë periudhës së përpjekjeve për ta bërë qeverinë, ato edhe specializuan teknikën e re të fajësimit ndaj njëra tjetrës dhe këtë po e bëjnë edhe më tutje me qëllim që të shfajësohen para anëtarësisë së gjerë për dështimet për krijimin e qeverisë.

Ndërkaq tani pas tre muajve mund të konstatohet se, nuk janë vetëm këto dy forca që nuk i besojnë njëra tjetrës, por edhe partnerët tanë ndërkombëtar, konkretisht edhe SHBA-t, nuk i besojnë, apo thënë ndryshe, nuk e preferojnë koalicionin e mundshëm LV-LDK. A kam të drejtë të konstatoj kështu ? Konsideroj  se po. Bazuar në të kaluarën jo fort të largët në raportet tona me partnerët tanë dhe konkretisht me SHBA-t, mund të thuhet se ata  kanë dit të involvohen shumë dhe drejtpërsëdrejti, kur kanë konsideruar se kjo është e nevojshme për ta tejkaluar një situatë si kjo apo të ngjashme. Raste të tilla janë të panumërta.

Kjo nuk mund të thuhet se po ndodh tani me qëllim që të tejkalohet ngërçi i krijuar ndërmjet LV dhe LDK-së për krijimin e qeverisë. A nuk po ndodh kjo për shkak se kanë ndryshuar raportet tona me SHBA-t në përgjithësi apo pse tani kemi shkallë më të lartë të pavarësisë shtetërore dhe nuk është i nevojshëm involvimi i një ambasade të huaj edhe nëse ajo është e SHBA-s ? Jo nuk është asnjëra. Ka të bëjë me diçka tjetër. Në rend të parë si duket ka të bëj me mosbesimin ndaj LV-së. SHBA-t nuk po i besojnë LV-s se mund të jetë kooperative, fleksibile dhe e dobishme në raport me interesat gjeopolitike evro-atlantike që ka SHBA në Ballkan, konkretisht në raportin Kosovë – Serbi, edhe më konkretisht në negociatat që duhet të ndodhin ndërmjet këtyre dy shteteve.

Në takimin e parë kryetari i LV-së zoti Kurti me ambasadorin Kosnet bëri gabim të madh, duke ra në kundërshtim me këto interesa. Ai i tha se LV nuk e ka me nxitim dialogun me Serbinë në kohën që SHBA-t po kërkonin që kjo të bëhet menjëherë. Nuk është vetëm çështja e kohës për dialogun, Kurti nuk dha asnjëherë kurrfarë sinjale e lë më garanci se do të jetë kooperativë dhe në një vijë me interesat e SHBA-së në këtë drejtim. Prandaj është e kuptueshme pse ka hezitim tek SHBA-t që të involvohen për ta shtyrë përpara këtë koalicion.

Por krejt kjo nuk është krejt. LDK me asgjë nuk ka mundur të lë të nënkuptohet se e ka kapacitetin e nevojshëm që të jetë e drejtpërdrejtë në vendime dhe e guximshme në reagime për ta shtyrë dhe ndikuar LV-n që të jetë ndryshe në koalicionin e mundshëm nga që dyshohet me të drejtë se ajo do të jetë, jo kooperuese me SHBA-t. Thënë përmbledhtazi sa më shumë po kalon koha brenda të cilës nuk ka pajtim ndërmjet LV-së dhe LDK-së, aq më shumë po krijohet bindja se përkundër të gjitha mospajtimeve, mospajtimi mbi dialogun me Serbinë, është baza e mosmarrëveshjes, apo pengesa kryesore për të cilën nuk ka gatishmëri as guxim të tejkalohet.

Për këtë fajin e kanë dy forcat politike të cilat jo vetëm gjatë fushatës, dialogun herë e anashkaluan e herë e prezantuan si jo prioritet  dhe asnjëherë nuk u morën me te ashtu sa e si duhet me çka mashtruan qytetarët dhe tani kjo po ju kthehet si pengesë që nuk mund të tejkalohet.

(Autori është analist politik i njohur dhe kolumnist i rregullt në Gazeta Metro)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here