A ekziston vërtetë rreziku i një sulmi terrorist në Kosovë?

0
28

Gjatë ditëve të fundit, në media është raportuar për sulme të mundshme terroriste në Kosovë në prag të festave të fundvitit.

Raportimet kanë ndodhur pasi që ambasada të ndryshme në Kosovë, kanë njoftuar punonjësit e tyre që të kenë kujdes në zona që janë të frekuentuara me qytetarë, për shkak të mundësisë të ndonjë sulmi,

Rreth këtyre paralajmërimeve të ambasadave, lajmi.net ka kontaktuar me njohësin e çështjeve të sigurisë, Avni Islami, i cili ka thënë se ato nuk duhet të merren si thirrje alarmuese.

Islami ka theksuar se në vendin tonë shpesh herë ka pasur kësi lloj thirrje, të cilat zakonisht bëhen gjatë festave fetare, protestive masive apo edhe festa të fundvitit.

“Sa i përket gjendjes së sigurisë së përgjithshme nga ana ime analitike nuk e shoh ndonjë përkeqësim të situatës, pavarësisht asaj që në veri të vendit gjatë kohës së fundit kemi pasur protesta nga ana e serbëve dhe disa veprime operacionale të Policisë së Kosovës në shkallë vendi kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe krejt kësaj kur ja shtojmë edhe vrasjet e fundit ku u përdor arma e kallashnikovit për sulm në masë, ajo mund të kenë ndikuar që në vendin tonë njerëz të akredituar si ambassador e atashe të marin rekomandime të nevojshme prej nga vijnë nga shtetet përkatëse, që t’i ikin turmave të njerëzve. Ky është një paralajmërim për qytetarët e vet pse jo, andaj nuk mendoj asesi që në Kosovë mund të ketë sulme terroriste për shkak se Kosova nuk është target i sulmeve terroriste pasi që nuk është vend që mund të bëj bujë dhe të arrihet qëllimi i terroristëve”, ka deklaruar Islami.

Tutje, ai ka thënë se organet e sigurisë si Policia e Kosovës, AKI-ja dhe mekanizmat e tjerë të sigurisë si EULEX dhe KFOR, zakonisht zbatojnë plane operacionale përgjatë secilit vit, e sidomos në periudhën e festave të fundvitit, andaj nuk ka vend për panikë dhe pasiguri edhe kur shtetet e ndryshme ju bëjnë thirrje qytetarëve të tyre për kujdes të shtuar në vendet e frekuentuara me shumë qytetarë.

Islami ka thënë se nuk e sheh të nevojshme krijimin e një Task-Force Kundër Terrorizmit në Kosovë, pasi që Policia e Kosovës është mjaft e përgatitur edhe në këtë aspekt.

“Nuk është e nevojshme që të krijohen Task-Forca të ndryshme, për shkak se kemi njësi të specializuar të Policisë së Kosovës si NJSO-ja dhe Njësia Speciale për Mbrojtjen e Afërt dhe trupat e tilla çfarë i kemi ne në Kosovë, mendoj që janë disa nga trupat më elite në Ballkan dhe janë të aftë të kryejnë të gjitha operacionet qoftë edhe në parandalimin dhe luftimin e sulmeve terroriste”, ka thënë Islami.

Në anën tjetër, njohësi tjetër i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, ka thënë se paralajmërimet e tilla nga ambasadat mund të vijnë në rastet kur kanë informacione të caktuara se mund të ketë sulme të tilla, sidomos për vendet ku mund të kenë turma më të mëdha të njerëzve.

Ai ka thënë se organet e sigurisë në Kosovë kanë nisur të zbatojnë në përpikmëri paralajmërimet për raste të tilla, duke zbatuar masa parandaluese për ndonjë sulm të mundshëm.

“Për këto paralajmërime institucionet e sigurisë në Kosovë, në veçanti Policia e Kosovës ka filluar t’i zbatojë në përpikmëri masat parandaluese që të mos vie deri tek ndonjë akt i mundshëm terrorist ku mund të ketë viktima edhe pse dihet që ka pasur tentative më herët për akte terroriste por që fatmirësisht janë parandaluar dhe nuk ka pasur ndonjë tragjedi”, ka thënë Ibishi për lajmi.net.

Ai ka thënë se edhe pas paralajmërimeve të tilla, nuk beson se ka nevojë për krijimin e ndonjë Task-Force Kundër Terrorizmit pasi që puna permanente e sigurisë sërish i mbetet policisë.

“Nuk ka nevojë për krijimin e ndonjë Task-Force pasi që ajo nuk ka ndonjë efekt, sepse puna permanente pastaj i mbetet sërish policisë. Në raste të paralajmërimeve për rreziqe, atëherë normal institucionet e sigurisë duhet të jenë më të përqendruara në mbulimin e territorit dhe kontrollin e shtuar edhe të qytetarëve ku ekziston dyshimi i caktuar, por edhe të automjeteve dhe vendeve të caktuara në mënyrë që të mos vie deri te një akt i tillë. Gjithashtu, Policia e Kosovës duhet të njoftojë qytetarët me shumë detaje në rast se vëren ndonjë rrezik të mundshëm, në mënyrë që të mos krijohet panikë nëse vie deri te një akt terrorist, që qytetarët të jenë të informuar edhe me mënyrat se si të largohen nga ai vend pa u shkaktuar pasoja kolaterale”, ka deklaruar Ibishi.

Ai ka thënë se në raste të rreziqeve të tilla, duhet të ngritet niveli i bashkëpunimit mes qytetarëve dhe Policisë së Kosovës, në mënyrë që organet e sigurisë të lajmërohen për çfarëdo dyshimi të mundshëm.

“Në këto raste, duhet të ngritet edhe niveli i bashkëpunimit i qytetarëve që të lajmërojnë policinë për ndonjë mjet, person apo vend të caktuar që mund të ketë ndonjë rrezik për sulm. Policia nuk mund t’i mbikqyr rregullisht ato momente, por mund t’i parandalojnë ato duke reaguar në kohë”, ka thënë Ibishi.

Në fund, ai ka thënë se qytetarët duhet të jenë mirë të informuar rreth rreziqeve të tilla, në mënyrë që të dijnë se si të veprojnë në rast të ndonjë akti terrorist qoftë me armë zjarri apo edhe me ndonjë mjet eksploziv që mund të shkaktojë pasoja më të mëdha për njerëzit në vendin e ngjarjes. 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here