A i dha Grenelli ‘zemër’ Veliut për kundërshtimin e marrëveshjes me Vetëvendosjen?

0
114

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ka dalë shumë haptas me kundërshtimin e tij për marrëveshjen me Vetëvendosjen për bashkëqeverisje.

Që nga fillimi kur edhe u propozua Vjosa Osmani si kandidate e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për kryeministre në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar, Agim Veliu, nënkryetar i këtij subjekti politik, nuk ishte i kënaqur me propozimin.

Mirëpo, pasi që përfunduan zgjedhjet, LDK-ja doli partia e dytë dhe kjo falë kandidaturës së Vjosa Osmanit.

Tash e 15 javë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk po munden që të arrijnë një marrëveshje për bashkëqeverisje, shkruan lajmi.net.

Krejt ky ngërç politik është krijuar për shkak të apetiteve politike të të dyja partive, por në veçanti për shkak se partia e Isa Mustafës, LDK, po kërkon që posti i presidentit t’i takojë partisë së tij.

Por është nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ai i cili që nga fillimi e ka kundërshtuar një marrëveshje me Vetëvendosjen, e sidomos pas 3 janarit, kur edhe përfaqësues të LDK-së ishin takuar në Berlin me ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell.

Njohësit e çëshjtve politike të në vend kanë thënë se jo vetëm takimi me Grenellin, por vet fuqia që e ka brenda partisë, ka bërë të Veliu të kundërshtojë ashpër marrëveshjen me LVV-në.

Madje sipas Jeton Brajshorit, njohësit të çëshjtve politike, strategjia e Agim Veliut, ka funksionuar në mënyrë të përsosur.

Brajshori në një prononcim për lajmi.net, ka thënë se qëllimi i  Veliut dhe Lutfi Hazirit, ka qenë që Vjosa Osmani të jetë kandidate për kryeministre, por që të mos dalë fituese e zgjedhjeve.

“Së pari duhet të ceket se situata është mjaft serioze duke parë që edhe ambasadori Kosnett po edhe së fundmi ambasadori Grenell i cili vjen si ambasador i SHBA-ve nga Gjermania, pra nga një shtet mjaft i fuqishëm janë duke u angazhuar për zgjedhje ne këtij ngërçi politik. Lirisht mund të them se strategjia e z. Veliut po funksionon në mënyre perfekte. Qëllimi i tij dhe nënkryetarit tjetër, z. Haziri ka qenë që Vjosa Osmani të kandidohet për kryeministre, për shkak se elektorati i LDK-së e dëshironte këtë, mirëpo që ajo të mos fitojë sepse do ta forconte akoma më shumë pozitën e saj në parti”, ka thënë Brajshori për lajmi.net.

Sipas tij, Vjosa Osmani tashmë e ka kuptuar qëllimin e Veliut dhe të Hazirit dhe dëshiron që të faktorizohet edhe në arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje me Vetëvendosjen.

“Tanimë zonja Osmani veç e ka kuptuar këtë dhe dëshiron që të faktorizohet në arritjen e një marrëveshjeje me VV-në duke ditur peshën e saj gjatë zgjedhjeve dhe premtimit se opozita do ta bëj qeverinë”, u shpreh Brajshori.

I pyetur se a mund të ketë ndikuar takimi me ambasadorin Grenell, ku Veliu ishte si udhëheqës i delegacionit të LDK-së, Brajshori ka thënë se, Veliu që nga fillimi ka qenë kundër marrëveshjes me VV-në dhe se sipas tij, për SHBA-të më e pranueshme është Vjosa Osmani sesa Agim Veliu.

Brajshori po ashtu ka thënë se, kundërshtimi i Veliut vije edhe për shkak të frikës nga Lëvizja Vetëvendosje dhe se qëndrimet e Veliut mund ta sjellin LDK-në në një krizë të brendshme.

“Nuk mendoj se ambasadori Grenell të ketë ndikuar në vendimet e z. Veliu sepse ai ka qenë kategorikisht kundër edhe para zgjedhjeve kur flitej për një koalicion të mundshëm mes LDK-së dhe VV-së, dhe unë fuqishëm besoj se SHBA-të si partner të tyre më të afërt e shohin Vjosa Osmanin sesa Agim Veliun, e cila po ashtu është mjaft e përgatitur  për politikat e jashtme të afërta me SHBA-në . Unë mendoj se zoti Veliu këtë kundërshtim e bënë më shumë nga frika se VV-ja do të forcohet dhe mund ti akuzoj edhe anëtarët e LDK-së për keqpërdorime në kohën sa kanë qeverisë bashkë me PDK-në . Edhe VV-ja po gabon që për teket e z. Veliu është duke i shkelur premtimet e tyre elektorale të cilat mund të ju kushtojnë shumë në të ardhmen kur dihet se ky gjithsesi është kundër kësaj marrëveshjeje. Qëndrimet e tilla të z. Veliut mund ta fusin LDK-në në një krizë të brendshme e cila në rast të zgjedhjeve të reja do të ishte goditje e rendë për LDK-në”, ka deklaruar Barjshori.

Në anën tjetër, edhe Imer Mushkolaj, njohës i çështjeve politike në vend, ka thënë për lajmi.net, se kundërshtimi i Agim Veliut për arritjen e marrëveshjes me Vetëvendosjen më shumë ka të bëj për qëllime personale sesa partiake.

“Së pari është interesant vet përbërja e ekipit të LDK-së që e ka takuar Grenellin edhe nuk dihet ende, të paktën nuk është bërë publike se me ftesë të kujt ka ndodhur takimi. Mendoj se Veliu është një prej njerëzve të rëndësishëm brenda LDK-së, edhe ka arritur që të imponoj duke marrë fitore të vazhdueshme të LDK-së në Llap, në Podujevë edhe pse kjo për mua nuk do të duhej të çonte shumë peshë sidomos kur vjen puna te përgjegjësia kur ky njeri ose të tjerët si ky e kanë marrjen e vendimeve brenda LDK-së. Por fitorja në Llap ia ka siguruar atij që të bëhet edhe nënkryetar i LDK-së se vet LDK-ja e ka që posti i nënkryetarit me i taku njerëzve të cilët kanë arritur suksese në nivel lokal, për shembull Lutfi Haziri në Gjilan, Haki Rugova, Agim Veliu e kështu me radhë edhe pikëpamjen e LDK-së e shoh më shumë mbrojtjen e interesave që i ka Veliu, kur po them mbrojtjen e interesave, po flas për mbrojtje të interesave në kuptimin puro personal, por tipike e LDK-së që i ka mbërri këto privilegje duke qenë në koalicion me PDK-në për vite me radhë. Nuk shoh ndonjë fuqi tjetër përpos fuqisë së tij të postit së nënkryetarit i takon me qenë në krah me vendimmarrësit, por më shumë e shoh se këtë fuqi Veliu e në lidhjet me PDK-në edhe sigurinë që ia jep pikërisht ky raport jo vetëm i tij, por i gjithë LDK-së për shkak se jo rastësisht edhe në opinion është përshtypja se pikërisht kjo garda e vjetër e LDK-së është e lidhur me PDK-në e s’ka si mos me qenë ndryshe kur pikërisht me ndihmën e kësaj garde Hashim Thaçi ia ka arritur që të bëhet kryeministër e president dhe Kadri Veseli kryeparlamentar”, ka deklaruar Mushkolaj.

Për Blerim Burjanin, mosarritja e marrëveshjes në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka të bëj me mosbesimin e LDK-së në LVV-në.

Burjani për lajmi.net ka thënë se që nga fillimi në LDK ka pasur zëra që e kanë kundërshtuar marrëveshjen për bashkëqeverisje.

“Siç e dini në LDK ka pas shumë zëra që kanë thirr për mosmarrëveshje me LVV-në. Brengat, dyshimet mund të jenë me vend, por me vend është edhe presioni publik që i behet edhe LDK-së edhe VV-së. LDK nuk beson në VV që ka kapacitete të kësaj natyre të madhe qeverisëse me njerëz të papërvojë në politikë po që votat i kanë fituar vetëm duke kritikuar dhe duke bërë lojëra të natyrës protestuese”, ka thënë Burjani për lajmi.net.

Sipas tij, arsyeja pse LDK-ja nuk beson në LVV-në është për shkak se në Vetëvendosje nuk ka njerëz aq me përvojë sa në LDK dhe se për këtë partia e Mustafës është e vetëdijshme.

Madje Burjani thotë për lajmi.net, se Vetëvendosje në asnjë mënyrë nuk do ta lërë postin e kryeministrit dhe se më parë e dërgon vendin në zgjedhje sesa që e bën një gjë të tillë.

“Realisht tash ka ardhur momenti kur nuk të beson kush më nëse nuk ke kapacitete për të qeverisur me shtetin. VV ka probleme esenciale në qeverisje, mbi 90 % e anëtarësisë janë të papunë, të gjithë kanë nevojë për edukim dhe punësim në radhë të parë por ata kanë zgjedhë të merren me politikë. Tash LDK është e vetëdijshme për këtë fakt. Një numër i njerëzve që janë të shkolluar kanë shkuar kot në këtë parti sepse lideri i VV-së nuk iu beson për ti dhënë poste, pra ka probleme të natyrave të shumta brenda saj. Nuk ka njerëz të besueshëm dhe profesional që mund lideri i tyre t’iu besoj. LDK duhet të jap vendim definitiv dhe të deklarohet nëse e do apo jo këtë  koalicion. Për VV-në nuk pritet të heq dorë. VV-ja nuk do të jetë e gatshme asnjëherë të jap postin e kryeministrit si dikur PDK-ja, dhe kjo jep linjat e kuqe ose Albini ose zgjedhjet. Këtu është fundi”, u shpreh Burjani.

Sipas tij, në tërë këtë situatë po e pësojnë qytetarët, të cilët si zgjidhjen e vetme po e shohin ikjen nga Kosova.

“Më e keqja është se është lënë peng populli i cili u dëshpërua  edhe më shumë kur pa të njëjtin skenar si të mëhershëm për poste dhe pushtet gjithçka e asgjë për qytetarët për të bërë. Derisa këta merren  me postet, qytetarët po ikin, vetëm në vitin 2019 kanë ikur 30 mijë qytetarë. Ikja po bëhet protestë në këtë vend. Është fituar përshtypja se s’ka asgjë dhe vetëm me ik. Kjo është  e rëndë dhe më e dëmshme për shtetin”, deklaruar Burjani.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here