A PO SHKON MARRËVESHJA GJITHËPËRFSHIRËSE GJURMËVE TË SKENARIT TË QOSIQIT PËR COPTIMIN E KOSOVËS?!

0
129

Nga Zeqir Bekolli

Diku kah viti 1977, “Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Serbisë” pat hartuar “Librin e kaltër”, një skenar antishqiptar për rënimin e autonomisë së Kosovës. Atë kohë, shumë është është folur rreth këtij libri, por asnjëherë asgjë nuk është bërë publike. Udhëheqja e atëhershme e Kosovës heshte, edhe pse e dinte fare mirë se çka kishte në përmbajtjen e saj.

Meqë, nuk u bë publik libri dhe përmbajtja e tij, dyshimet dhe shushurimat në publik nuk kishin të ndalur, se diçka e keqe po zihej ndaj Kosovës dhe popullit të saj. Në realitet, aty parashihej skenari për pastrimin etnik të Kosovës. Mirëpo, për të amortizuar këto dyshime e shushurima pushteti i atëhershëm lëshoi antiporopaganden se kur të hapej ai libër (Libri i Kaltër) do të dalë mrekullia për Kosovën. Ja çfarë mashtrimi bënte pushteti i atëhershëm, mbrapa syve dhe veshëve të publikut?

Analoge me këtë, sot, po flitet për një Marrëveshje Gjithpërfshierse dhe publiku nuk di gjë për përmbajtjen e saj. Dikush thotë se, ajo tashmë është fakt i kryer, i nënshkruar ndërmjet akterëve kryesor Thaçit (Prishtinë) dhe Vuçiqit (Beograd). Kurse, përballë të saj, në sipërfaqe është shpërfaqur një eufori për ta nënshkruar marrëveshjen sa më parë, sepse sipas atyre që po propagandojnë këtë version, do të krijohet mrekullia për Kosovën.

Kosova do të fitojë favore, territor, do të zgjerohet, anëtarësim në mekanizma ndërkombëtarë, e çka jo . Flasin naivët në këtë mënyrë, sikur të mos kishin dëgjuar kurrë për Serbinë?! Po ashtu, me një naivitet skajshmërisht të përçudshëm flitet se si Kosova do t’i merr Presheven dhe disa fshatra dhe asgjë nuk do të humbet, dhe këtë kallxim në trajtën dëshirore përpiqen t’ia shesin masës së gjerë, duke menduar se ajo ha bar!

Por, për ballë saj, janë publikuar edhe të dhënat se 20 për qind e territorit të vendit, me këtë marrëveshje “avullohet”, me resurset më të fuqishme ekonomike që i ka vendi, në këmbim të disa fshatrave të Kosovës Lindore. Ndërkaq, kishat tona, të grabitura nga serbët, do të fitojnë eksteritorialitetin dhe një lloj statusi sikur të Manastirit të Hilandarit. Në këtë situatë, Kosova e pavarur dhe e njohur edhe ndërkombëtarisht po lejohet të çmontohet deri në atë shkallë, sa për ta marrë fizionominë e një karikature.

Çuditërisht, nëpër qarqe të caktuara, sidomos nga radhët e atyre që përkrahin idenë e coptimit të vendit (korrigjimit), kanë lëshuar propaganden se gjoja kjo marrëveshje është fakt i kryer dhe se çdo përpjekje është e kotë. Të tjerët, madje edhe nga radhët e pjesëmarrësve të bisedimeve “ turistike” me Serbinë, Marrëveshjen gjithëpërfshierse për Kosovën e konsiderojnë si kurth dhe skenar ruso-serb!

Me një fjalë, nga ajo që deri tash është lansuar në publik, po del qartë se kjo marrëveshje ka gjasë të ndjek gjurmët e skenarit të Dobrica Qosiqit, për coptimin e Kosovës, i bërë publik gjatë periudhës së sundimit të kriminelit Millosheviq, i cili këtë ide e përkrahu fuqishëm.

Tash, në 11 vjetorin e pavarësisë së vendit, çmontuesit e saj përhapen propaganda se gjoja skenarist të coptimit (çmontimit) të pavarësisë janë edhe ata, që të parët na kanë njohur! Por këto gënjeshtra janë hedhur poshtë nga pohimet e ambasadorëve të SHBA-së në Prishtinë e Beograd.

Atëherë, shtrohet pyetja: Në interes të kujt veprojnë “tugjarët” të cilët me kaq ngulm punojnë në drejtim të çmontimit të pavarësisë së vendit? Apo, ky realitet mos po i përgjigjet pohimit të analistit Kim Mehmeti, i cili këto ditë tha : “Atë që nuk mundi ta realizojë Millosheviqi, po e bëjnë “tugjarët” në Prishtinë”.

(Opinionet nuk pasqyrojnë qëndrime redaksionale)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here