AAK dyshon se LDK e VV arrijnë marrëveshje, thonë se janë të gatshëm për zgjedhje

0
201

Kryetari i Komunës së Deçanit, njëherësh anëtar i Kryesisë së AAK-së, Bashkim Ramosaj dyshon se Lëvizja Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të arrijnë koalicionin për bashkëqeverisje.

Ramosaj në një intervistë për EO thotë se si AAK kërkojnë që sa më parë të formohet qeveria e re, mirëpo shton se dy partitë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 nuk po e shfrytëzojnë mundësinë për të ndërtuar institucionet e reja.

“Prej fillimit edhe kryeministri Haradinaj edhe të gjithë në e kemi bërë publike që duhet të bëhet qeveria sa më shpejtë, mirëpo e kam një përshtypje që njerëzit nganjëherë janë mësuar të kritikojnë ose të kërkojnë më të mirën pa e ditur procesin dhe pa u përballë me to drejtpërdrejtë në punë. Kjo mundësi u është dhënë dy partive më të mëdha që i kanë fituar zgjedhjet, e që me gjasë nuk do të arrijnë ndonjë marrëveshje për të bërë koalicionin”, thotë ai.

Ramosaj është shprehur se edhe në rast se nuk arrihet të bëhet koalicioni, AAK-ja është e gatshme të shkojë në zgjedhje, duke përjashtuar mundësinë për t’u bërë pjesë e një qeverie me Vetëvendosjen.

Por duke e lënë mundësinë e hapur për bashkëpunime me partitë për koalicionet e ardhshme.

“Nuk e di si ka me ardhë mundësia e një koalicioni, mirëpo deri tash nuk e kemi konsultuar në asnjërën prej organeve mbi të cilat Aleanca funksionon. Ideja dhe gatishmëria e jonë është që ta pranojmë një qeveri që ka me u marrë me temat e këtij shteti, mirëpo që jemi të gatshëm edhe për çfarëdo zgjedhje të tjera pa dashur me përjashtua asnjë subjekt politik i cili është i gatshëm me punua për të mirën e qytetarëve, sepse jemi duke humbur kohë kot, jemi duhet hyrë edhe në njëfarë kolapsi financiar. Në anën tjetër Aleanca është e gatshme qysh sot të hyjë në zgjedhjet nacionale pa ndonjë problem”, thotë ai.

Ramosaj ka komentuar edhe zgjedhjet e brendshme në AAK për të cilat tha se po shkojnë mirë dhe se do të ketë fuqizim të organeve drejtuese të saj.

“Ne si Aleancë të përkushtuar për qytetarët e republikës së Kosovës, për kauzat madhore të këtij shteti dhe jemi në proces thuajse krejt tjetër të determinuar më herët ku edhe kryesia edhe këshilli drejtues ku kemi pasur një kuvend, ku janë bërë ndryshime statutore dhe poashtu janë hartuar ndryshime statutore dhe jemi në zgjedhjet e brendshme. Është një lloj riorganizimi konceptual dhe është një ofertë përballë qytetarëve që sa më shumë me qenë të qasshëm brenda këtyre politikave të cilat Aleanca i zhvillon”, përfundoi ai.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here