Apeli vërteton pjesërisht dënimin me burg ndaj të akuzuarit që postoi foto kërcënuese ndaj Ramush Haradinajt

0
13

Gjykata e Apelit ia ka vërtetuar dënimin me burg të akuzuarit Bledar Elshani, për veprën penale “shtytje në kryerjen e veprave terroriste”, ndërsa për “armëmbajtje pa leje” e ka ndryshuar vendimin e nxjerrë në shkallë të parë.

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë e kishte dënuar Bledar Elshanin me gjithsej 20 muaj burgim unik, për këto dy vepra penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për shtytje në kryerjen e veprave terrorist ai ishte dënuar me 18 muaj burg, derisa për armëmbajtje pa leje është dënuar me katër muaj burg.

Mirëpo, Apeli pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore, kishte vendosur që të aprovojë pjesërisht ankesën e mbrojtjes, ndërsa atë të prokurorisë e kishte refuzuar si të pabazuar.

Prandaj, Apeli e ka vërtetuar dënimin e shqiptuar nga gjykata e shkallës se parë në kohëzgjatje prej 18 muajsh për shtytje në vepra terroriste, ndërsa për armëmbajtje pa leje i ka shqiptuar Elshanit gjobë në lartësi prej 400 euro.

Gjykata e Apelit, në vendimin e 11 nëntorit 2019, ka vlerësuar se thika që i akuzuari e posedonte kategorizohet si armë, por nuk përbën mjet me nivel të lartë të sofistikimit dhe efektshmërisë.

“Kjo Gjykatë vlerëson se në rrethana të tilla të kryerjes së veprës penale, që në rastin konkret kemi të bëjmë me posedimin e një arme të ftohtë – thikë me teh prej 11 cm, dhe në tërësinë e saj 24 cm me dorezën e saj, fakt që si e tillë kategorizohet se përbën armë, megjithatë marrë parasysh faktin se i akuzuari vetëm e posedonte, pra që nga shkresat e lëndës rezulton se ai as nuk e kishte shpërfaqur në publik. Duhet të kemi parasysh në rrethana të këtilla, se arma e tillë përkundër se e kategorizuar si armë, nuk përbën mjet të tillë me nivel të lartë të sofistikimit dhe efektshmërisë, prandaj për këto rrethana gjykata ka aprovuar pjesërisht ankesën e mbrojtjes me ç’rast edhe ka shqiptuar dënimin me gjobë sikurse në dispozitiv të aktgjykimit për këtë vepër penale, duke e ndryshuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë” thuhet në vendimin e Apelit.

Ndërsa, pretendimet ankimore të mbrojtjes për të shqiptuar një dënim nën minimumin e paraparë ligjor, në raport me veprën penale “shtytja në kryerjen e veprave penale terroriste”, Apeli nuk i ka vlerësuar si të qëndrueshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i pandehuri Bledar Elshani, nga muaji gusht i vitit 2018 e deri në muajin janar të vitit 2019, si administrator i një kanali në rrjetet sociale, me anë të fotografive dhe video – incizimeve ka bërë propagandim në lidhje me organizatën terroriste “ISIS”, duke përkrahur haptazi veprimet e tyre terroriste siç janë sulmet e fundit në botë në krijimin e “Shtetit Islamik”.

Po ashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri Bledar Elshani, më 23 gusht 2018, përmes po të njëjtit kanal ka postuar foton e animuar me mbishkrim: “Melodia e parapëlqyer e Muxhahidit është zëri i qafirit gjatë heqjes së kokës”, dhe më 10 janar 2019, përmes kanalit të njëjtë ka postuar foto me përmbajtje kërcënuese ndaj ish-kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, me mbishkrim “Do t’ju vijë fundi o taguta shqiptar Bi’Idhnilah”, i bërë nga një person i maskuar e ku në prapavijë shihet flamuri i organizatës terroriste “ISIS”.

Me këto veprime, sipas prokurorisë, Elshani, ka kryer veprën penale “shtytja për kryerjen e veprave terroriste”, nga neni 141 i KPRK-së.

Gjithashtu, ai akuzohet se më 11 janar 2019, në Drenas, në vend publik me rastin e ndaljes dhe kontrollimit nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në Prishtinë, është vërtetuar se i njëjti në kundërshtim me nenin 2 nën paragrafi 1.24 të Ligjit për Armët në Kosovë, ka mbajt dhe bartur në trup një armë të ftohtë – thikë luftarake e përshtatshme për shkaktimin e lëndimeve trupore dhe e njëjta i është sekuestruar.

Me këto veprime Elshani, akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK-së.

Ndryshe, kallëzimi penal kundër të pandehurit Bledar Elshanit ishte ngritur nga Drejtoria Kundër Terrorizmit e Policisë së Kosovës.

Sipas kallëzimit penal, e gjithë kjo ka ndodhur me qëllim të frikësimit serioz të popullatës apo që seriozisht të destabilizojë strukturat themelore politike e Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, Drejtoria Kundër Terrorizmit në Prishtinë, kishte bërë bastisjen e shtëpisë së të dyshuarit ku i ishte sekuestruar një “Iphone 6”, pasi që i ishte gjetur një fotografi kërcënuese si dhe një thikë.

Pas kësaj, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 12 janar të këtij viti, personit në fjalë i kishte caktuar masën e paraburgimit. 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here