Aplikimi në UNESCO më 2023, ‘Shtëpia e Xhafer Devës’ simbol i rezistencës kundër betonizimit

0
36

Intervistë me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çekun. Ministri Çeku është përgjigjur për Gazetën Express rreth një morie problematikash e shqetësimesh që kanë të bëjnë me institucionet kulturore dhe trashëgiminë kulturore në vend.

Intervistuan: Donjeta Abazi & Arben Idrizi

Ministri Çeku ka sqaruar ecurinë rreth hartimit të Ligjit për kulturën dhe emërimit të drejtuesve të institucioneve të mbetura prej kohësh me ushtrues detyre; pakënaqësinë e krijuar pas një deklarate të tij rreth edukimit të koreografëve të Baletit të Kosovës; shkarkimin e drejtorit të QKK-së dhe projektin e ministrisë për këtë qendër; planin e ministrisë për trashëgiminë kulturore, në veçanti sa i përket qëndrimit ndaj trashëgimisë serbe në Kosovë dhe restaurimit të shtëpisë së Xhafer Davës.

Deri në fund të vitit synojmë ta kemi (ligjin për kulturë) edhe strategjinë shtetërore për zhvillimin e kulturës

Gazeta Express: Zoti Çeku, një problematikë thelbësore që e përcjell Ministrinë e Kulturës prej vitesh është Ligji për Kulturë. Ka shumë ankesa, nga institucione kulturore e individë të ndryshëm rreth zhagitjes së hartimit të këtij ligji. A na e sqaroni së pari arsyen e mos-hartimit të deritanishëm të ligjit dhe së dyti pozicionin tuaj rreth tij.

Hajrulla Çeku: Reforma në kulturë ka nisur vitin e kaluar, në muajin qershor dorëzojmë në qeveri koncept dokumentin për kulturën. Grupi punues po mbështetet edhe nga pjesëtarë të skenës së pavarur, ndërsa shumë diskutime publike e punëtori janë organizuar deri tani. Të gjitha analizat dhe vlerësimet na çojnë drejt një ligji të ri për kulturën. Deri në fund të vitit synojmë ta kemi edhe strategjinë shtetërore për zhvillimin e kulturës. Reforma në mënyrë të veçantë po i trajton edhe fushat e kinematografisë, veprimtarisë botuese dhe muzetë.

Legjislacioni në fuqi që rregullon fushën e kulturës është tejet kufizues dhe në masë të madhe nuk i përgjigjet nevojave aktuale të sektorit. Reforma në kulturë synon zvogëlimin e burokracisë, nxitjen e krijimtarisë cilësore, mbrojtjen dhe fuqizimin e artistit, diversifikimin e burimeve të financimit, edukimin artistik të fëmijëve dhe të rinjve dhe zhvillimin e audiencave në mënyrë që si rezultat i të gjitha këtyre kultura të ketë ndikim më të madh në rritjen ekonomike, mirëqenien sociale dhe promovimin ndërkombëtar të shtetit tonë.

Duke u thirrur në opinionin e Avokatit të Popullit, i jam referuar nevojës për themelimin e drejtimeve të shkollimit universitar në balet, ndërsa paqëllimshëm në një moment e kam përmendur edhe koreografinë

Gazeta Express: Në një intervistë, lidhur me zgjedhjen e drejtorit të Baletit, keni thënë se koreografeve në Kosovë u mungon shkollimi i duhur, sepse ka mungesë të drejtimeve të tilla për shkollim të lartë. Kjo ka zgjuar reagime të shumta nga një pjesë e madhe koreografëve në Kosovë, të cilët sipas deklaratave, janë ndier të fyer. Cila do të ishte zgjidhja më ideale në këtë rast?

Hajrulla Çeku: Kosova ka koreografë shumë cilësorë. Kontributi i tyre për zhvillimin e baletit është i paçmueshëm. Vendi ynë është me fat që ka kuadro të tilla, me shkollim brenda dhe jashtë vendit. Krahas koreografëve të diplomuar, disa të tjerë janë duke u shkolluar tani. Kjo na jep siguri që baleti në Kosovë pasurohet rregullisht me profesionistë të ri. Nuk kam dëgjuar gjë më absurde se akuza kinse kam thënë që Kosova nuk ka koreografë ose që atyre u mungon shkollimi i duhur.
Në intervistën televizive, në asnjë moment nuk kam folur për koreografët, e lëre më të mohoj shkollimin a profesionalizmin e tyre. Aty kam dhënë sqarime në lidhje me procesin e rekrutimit të drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës dhe i jam referuar një opinioni të lëshuar nga Avokati i Popullit përkitazi me këtë proces. Në opinionin në fjalë thuhet se “Avokati i Popullit vëren se në Republikën e Kosovës niveli më i lartë i arsimimit në fushën e baletit është shkollimi i mesëm, përkatësisht shkolla e mesme e lartë profesionale”. Prandaj, Avokati i Popullit, referuar kritereve të konkursit për drejtor të BKK, ka ardhur në përfundimin që përvoja profesionale e punës për balerinët duhet të llogaritet periudha prej momentit kur ata kanë lidhur marrëdhënie pune me Baletin Kombëtar të Kosovës, pa marrë parasysh a kanë pasur shkollim universitar, por vetëm ta kenë të përfunduar shkollimin e mesëm të lartë profesional në fushën e baletit.
Megjithatë, dikush me ngulm po mundohet të shtrembërojë të vërtetën duke më akuzuar për fyerje ndaj koreografëve. Në sqarimin që kam ofruar duke u thirrur në opinionin e Avokatit të Popullit, i jam referuar nevojës për themelimin e drejtimeve të shkollimit universitar në balet, ndërsa paqëllimshëm në një moment e kam përmendur edhe koreografinë. Si duket kjo u mjaftoi disave që përmes prerjes së videove të nisin një fushatë denigruese të bazuar në të pavërteta. Shkurt, një fushatë linçimi publik me një mal akuzash për diçka që asnjëherë nuk e kam thënë.
Puna jonë për zhvillimin e baletit nuk do të ndalet. Pas zgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm vazhdojmë me rekrutimet tjera për t’i plotësuar mungesat, ndërsa së shpejti do të emërojmë edhe përbërjen e re të këshillit drejtues. Pas renovimeve në hapësirat e BKK, së shpejti vazhdojmë me renovimin e përgjithshëm të ndërtesës së përbashkët të Teatrit Kombëtar dhe Baletit Kombëtar. Po punojmë me insensitet edhe për autonominë financiare të BKK përmes angazhimit të zyrtarëve financiarë. Ndërsa tashmë kemi lëvizje konkrete edhe në procesin e shumëpritur të Teatrit të Operës dhe Baletit, që do t’i ofrojë baletit infrastrukturën dhe hapësirën e dinjitetshme për veprim.

Gazeta Express: Institucionet kulturore në Kosovë viteve të fundit kanë hasur në probleme të ndryshme sa i përket menaxhimit. Teatri Kombëtar ka qenë për disa vite pa drejtor, njëjtë edhe Baleti. Çfarë mund të thoni për Galerinë Kombëtare, kur do të finalizohet zgjedhja e drejtorit?

Hajrulla Çeku: Gati të gjitha institucionet kombëtare të kulturës i kemi gjetur me ushtrues detyre të pozitave udhëheqëse. Deri tani kemi bërë përzgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar, drejtorit të Përgjithshëm të Baletit Kombëtar, udhëheqësit artistik të Ansamblit Shota, ndërsa në proces janë pozitat e drejtorit të përgjithshëm të Galerisë Kombëtare dhe udhëheqësit artistik të Teatrit Kombëtar. Në javët në vijim planifikojmë shpalljen e pozitës së drejtorit të përgjithshëm të Qendrës Kinematografike.

Ruajtja e pronësisë dhe destinimit të kinemave publike, funksionalizimi i Kosova Filmit, krijimi i rrjetit të kinemave publike, mbështetja për film bërësit e rinj, fuqizimi i Qendrës Kinematografike janë disa elemente shtesë të legjislacionit dhe politikave tona në fushën e kinematografisë

Gazeta Express: Qendra Kinematografike e Kosovës është po ashtu pa drejtor. Drejtorin e fundit madje e keni shkarkuar ju vetë dhe ka qenë një vendim befasues, duke qenë se Arben Zharku kishte vite në krye të Qendrës dhe mund të themi se ka bërë një punë, të paktën shumë më të mirë se parardhësit e tij.

Hajrulla Çeku: Procesin e shkarkimit të ish-drejtorit Arben Zharku e ka iniciuar Këshilli Drejtues i Qendrës Kinematografike të Kosovës. Kjo çështje është trajtuar në të gjitha instancat administrative, ndërsa është konstatuar që dëshmitë në lidhje me këtë rast ofrojnë bazë të mjaftueshme për largimin e tij nga detyra bazuar në ligjet në fuqi. Ministri në fund vetëm e nënshkruan vendimin për shkarkim, pasi të jenë trajtuar të gjitha procedurat, nga inicimi në këshill drejtues, te komisioni disiplinor, e drejta e ankesës, komisioni i ankesave dhe të tjera. Duhet qartësuar po ashtu që kjo procedurë nuk e ka vlerësuar suksesin e tij, por pretendimet dhe dëshmitë mbi parregullsitë në menaxhimin e QKK-së.

Gazeta Express: Ligji për kinematografi, që duhej të finalizohej së fundmi, është rikthyer në pikën zero. Çfarë po ndodh në të vërtetë?

Hajrulla Çeku: Arsyeja themelore pse nuk kemi dashur të ngutemi me ligjin për kinematografinë ishte nevoja për diskutime shtesë, një kërkesë e ardhur nga komuniteti. Në koncept dokumentin e kulturës, kinematografinë po e trajtojmë me prioritet të veçantë. Filmin po e trajtojmë si sektor të interesit të veçantë publik. Financimi për filmin është dyfishuar, ndërsa rritja do të jetë e vazhdueshme edhe viteve të vijim. Po planifikojmë masa nxitëse për të tërhequr investime të huaja në fushën e filmit, përfshi rabatin. Dy marrëveshjet e radhës për bashkëprodhim filmik janë me Francën dhe Izraelin, për të vazhduar me shtete të tjera, ndërsa synojmë qasjen edhe në Programin Media të Europës Kreative si mundësi shtesë financimi për film bërësit e Kosovës. Ruajtja e pronësisë dhe destinimit të kinemave publike, funksionalizimi i Kosova Filmit, krijimi i rrjetit të kinemave publike, mbështetja për film bërësit e rinj, fuqizimi i Qendrës Kinematografike janë disa elemente shtesë të legjislacionit dhe politikave tona në fushën e kinematografisë. 

Nga 200 monumente në rrezik, rreth një e katërta janë shpëtuar. Deri në fund të vitit të ardhshëm synojmë të mos kemi asnjë aset të trashëgimisë në rrezik.

Gazeta Express: Zoti ministër, ju jeni një profesionist në fushën e trashëgimisë kulturore. Jeni marrë me këtë problematikë kohë të gjatë, edhe sa keni qenë pjesë e shoqërisë civile. Sa jemi të informuar, ju e keni prioritet trashëgiminë, në krahasim me qeverisjet e mëparshme. Çfarë në të vërtetë po bëni?

Hajrulla Çeku: Përgjatë një viti kemi dyfishuar fondin për ndërhyrje emergjente, nga 200 monumente në rrezik, rreth një e katërta janë shpëtuar. Deri në fund të vitit të ardhshëm synojmë të mos kemi asnjë aset të trashëgimisë në rrezik. Ndërhyrjet emergjente dhe restauruese po vazhdojnë në gjithë Kosovën, dhjetëra sosh aktualisht. Pas shumë vitesh është aktivizuar sistemi i mbrojtjes së përhershme të aseteve të trashëgimisë, 54 monumente janë në proces të shqyrtimit nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Kemi rritur ndjeshëm mbështetjen për projektet e trashëgimisë kulturore. Janë miratuar disa akte nën-ligjore me rëndësi të madhe, përfshi gërmimet arkeologjike, trashëgiminë e luajtshme, licencimin e operatorëve, përcaktimin e perimetrit.

Po vazhdojnë ndërhyrjet emergjente në kullat e rrezikuara në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, ndërsa gjatë vitit synojmë ta kemi edhe Master Planin e kësaj zone. Po vazhdon puna e Komisionit Shtetëror për dokumentimin e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore nga forcat serbe gjatë luftës në 1998-1999. Së fundmi kemi nisur programin për muzetë, në kuadër të të cilit po punojmë në konsolidimin e muzeve ekzistues dhe themelimin e muzeve të ri, përfshirë këtu edhe bazën ligjore.

Edhe konventat ndërkombëtare e promovojnë qasjen tonë, pra universalitetin e trashëgimisë kulturore.

Gazeta Express: Si do të trajtohet trashëgimia serbe në Kosovë?

Hajrulla Çeku: Kosova ka trashëgimi kulturore mjaft të pasur. Ne po i angazhojmë të gjitha kapacitetet tona për të shpëtuar trashëgiminë tonë kulturore, duke e vendosur në shërbim të mirëqenies socio-ekonomike të komunitetit. Në po bëjmë më të mirën që trashëgiminë tonë të pasur kulturore ta shndërrojmë në platformë komunikimi dhe bashkëpunimi mes komuniteteve të ndryshme, duke u shmangur nga interpretimet një-dimensionale. Fundja edhe konventat ndërkombëtare e promovojnë këtë qasje, pra universalitetin e trashëgimisë kulturore.

Kishat ortodokse në Kosovë janë një thesar i jashtëzakonshëm kulturor i gjithë qytetarëve të Kosovës, po aq sa edhe i gjithë njerëzimit. Ne kemi një nga modelet më të avancuara në botë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore ortodokse dhe ne angazhohemi rregullisht që kishat ortodokse, klerikët që shërbejnë në këto kisha dhe të gjithë besimtarët t’i gëzojnë në mënyrë të papenguar këto të drejta që rrjedhin nga korniza ligjore. Kosova ndër vite ka bërë shumë në rritjen e nivelit të sigurisë, restaurimin dhe funksionalizimin e kishave ortodokse.

Mundësia e radhës për aplikim është në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s, në pjesën e dytë të vitit 2023.

Gazeta Express: Një shqetësim i madh, që po ashtu është përcjellë edhe me një dështim të madh në herën e parë, është aplikimi në UNESCO. A do të kemi një tentim të dytë aplikimi, me më shumë mundësi suksesi?

Hajrulla Çeku: Kosova e ka vendin në UNESCO. Nuk ekziston as edhe një arsye legjitime pse Kosova nuk duhet të jetë anëtare e UNESCO-s. Për sa i takon trashëgimisë kulturore, ne po i konsolidojmë strukturat institucionale dhe politikat në mënyrë që të jemi teknikisht sa më të përgatitur në momentin e aplikimit për anëtarësim. Mundësia e radhës për aplikim është në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s, e cila mbahet në pjesën e dytë të vitit 2023.

‘Shtëpia e Xhafer Devës’, është pjesë e kujtesës kolektive të banorëve të Mitrovicës dhe së fundmi edhe simbol i rezistencës qytetare karshi betonizimit.

Gazeta Express: Kur jemi te trashëgimia, një vendim i juaji (edhe pse i trajtuar edhe nga qeverisjet e mëparshme) ka zgjuar një debat të gjerë kohëve të fundit, ai rreth restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës. A mund ta ndajmë injorojmë  figurën politike të Devës? A do të ishte heshtja para një bashkëpunëtori të nazizmit një lloj amnistie?

Hajrulla Çeku: Restaurimi i monumenteve bëhet për t’i shërbyer komunitetit, jo për revizionizëm historik apo rehabilitim figurash. Monumenti në fjalë është pronë publike, ka vlera të mëdha estetike dhe për nga tipologjia e ndërtimit paraqet ndër shembujt e parë në Kosovë të kalimit në arkitekturën moderne evropiane. Është pjesë e kujtesës kolektive të banorëve të Mitrovicës dhe së fundmi edhe simbol i rezistencës qytetare karshi betonizimit. Është ndërtuar në vitin 1930 dhe në Listën e Trashëgimisë Kulturore figuron si “Shtëpia e Xhafer Devës” edhe pse kryesisht ka pasur përdorim publik, përfshi si shtëpi shëndeti. Prandaj nuk është e thënë që duhet ta mbajë këtë emër me çdo kusht. Emri që mban monumenti është shënjuesi më i parëndësishëm krahasuar me funksionet publike dhe vlerat që përfaqëson kjo ndërtesë për qytetin dhe qytetarët. Ndërtesa ka marrë statusin e asetit të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të ligjit në vitin 2011. Prandaj ne jemi të përkushtuar që të sigurojmë të gjitha kushtet e domosdoshme për të vazhduar këtë proces të restaurimit.

Gazeta Express: Po në raport me trashëgiminë moderne në tërësi, atë të pasluftës së Dytë Botërore?

Hajrulla Çeku: Lista e trashëgimisë kulturore në mbrojtje krahas monumenteve të antikitetit e periudhës mesjetare, përmban edhe shembuj të arkitekturës moderne. Vlerësimi i kësaj periudhe si pjesë e trashëgimisë kulturore ka filluar gjatë dekadës së fundit dhe ka qenë kryesisht si kundërpërgjigje ndaj fasadizimit e tjetërsimit stilistik. Vlerësimi i dëshmive materiale dhe jo-materiale nga të gjitha periudhat historike në përputhje me konventat ndërkombëtare është parimi bazë mbi të cilin ne punojmë. Në kuadër të programit tonë përfshihen projekte që trajtojnë monumente nga trashëgimia moderne, sikurse Projekti për studimin e fizibilitetit dhe hartimit të Planit të Menaxhimit për Qendrën Historike të Prishtinës, ku janë të koncentruar një numër i madh i monumenteve të trashëgimisë moderne. Pastaj Revitalizimi i Kinemasë Lumbardhi në Prizren, dhe trajtimi i Kinemave në qytetet tjera që i takojnë kësaj periudhe.

Mënyra e financimit përfundimisht do të ndryshojë me reformën ligjore dhe institucionale në fushën e kulturës.

Gazeta Express: Ministria e Kulturës është njëri prej institucioneve kryesore të financimit të projekteve kulturore. Pikërisht për këtë zakonisht ka pasur ankesa të vazhdueshme nga përfituesit potencialë të këtyre financimeve. A do të ndryshojë ajo politikë, ajo mënyrë e financimit?

Hajrulla Çeku: Mënyra e financimit përfundimisht do të ndryshojë me reformën ligjore dhe institucionale në fushën e kulturës, por punën në këtë drejtim tashmë e kemi filluar. Thirrja e fundit për mbështetje financiare e cila është mbyllur para ca kohësh është rikonceptuar. Krahas rikonceptimit të përmbajtjes së skemës, ku kemi vendosur programe dhe kritere që nuk kanë qenë më parë dhe mundësisë për aplikim online po punojmë edhe në masa të tjera për të siguruar integritet maksimal të procesit. Dhe natyrisht ajo që e kemi thënë shpesh herë, do të ndryshojë edhe qasja ndaj numrave. Nga “të gjithëve nga pak dhe askujt mjaftueshëm” do të kalojmë në shuma më të mëdha të mbështetjes dhe mbase numër jo aq të madh të përfituesve.

Gazeta Express: Skena e pavarur artistike në Kosovë, e një rëndësie bukur të veçantë, është mjaft e varur nga financimet që vijnë sidomos nga ministria juaj. A mund të na thoni çfarë keni planifikuar për të?

Hajrulla Çeku: Po punojmë ngushtë me skenën e pavarur, ata janë pjesë integrale e procesit të reformës në kulturë. Krahas rritjes së shumës së mbështetjes, thirrja e fundit për grante është më e fokusuar te cilësia artistike. Jemi duke e zhvilluar një model alternativ për menaxhimin dhe shpërndarjen e fondit publik për skenën e pavarur. Në diskutimet publike dhe të brendshme të reformës, temë me rëndësi të veçantë është edhe gjetja e formave për të zvogëluar varësinë e skenës së pavarur nga financimi publik. Gjithashtu, sivjet kemi miratuar vendimin për ndarjen e mbi një milionë eurove për blerjen e veprave të artit përgjatë tri viteve. Krahas thirrjes për blerjen e veprave të artit nga artistët vendorë, vazhdon të jetë e hapur edhe thirrja për 20 bursa në kulturë dhe trashëgimi kulturore.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here