Baton Haxhiu: 30 qershori fundi i tranzicionit, pas 1 korrikut Rama flet me Bashën

0
33

Të dielën e 30 qershorit pritet të mbahen zgjedhjet lokale në Shqipëri.

Por, data e mbajtjes së zgjedhjeve ka shkaktuar një ndarje të thellë mes pozitës dhe opozitës atje.

Derisa pozita thotë prerazi se zgjedhjet do të mbahen këtë të diel, opozita po e kundërshton ashpër mbajtjen e tyre.

Në ndërkohë që presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, përmes një dekreti ka shpallur një datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve lokale që është 13 tetori.

Publicisti Baton Haxhiu është shprehur i bindur se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor.

“Unë besoj që të dielën do të votohet në Shqipëri për zgjedhje lokale. Këto zgjedhje lokale përcaktojnë një definim ose një përcaktim për të ardhmen e Shqipërisë dhe fundin e një të kaluare me probleme që realisht e përcakton edhe fundin e tranzicionit në Shqipëri”.

“Mund ta them me bindje të plotë që kryeministri Edi Rama, një kryeministër shqiptar, për herë të parë e mbrojti shtetin nga bisedat të cilat e çojnë pozitën dhe opozitën në tavolinë për të negociuar për të ricikluar situata dhe për të përcjellë atë që ka ndodhur për 30 vite në Shqipëri”.

“Ky ngulmim i kryeministrit [Edi Rama] që zgjedhjet duhet të mbahen më 30 qershor dhe nuk ka kompromis ka treguar se opozita, duke përfshirë edhe presidentin e Shqipërisë, kanë nënçmuar guximin, përkushtimin dhe natyrshëm edhe qëndrimin e kryeministrit dhe Qeverisë shqiptare që fundi i tranzicionit duhet të ndodhë me mungesën e dialogut në tavolinë për çështjet që janë shtetërore dhe për t’i ikur riciklimit të një situate që Shqipëria e ka vendosur në 30 vitet e fundit”.

Haxhiu ka thënë se beson se situata ditën e zgjedhjeve do të jetë e qetë.

“Shqipëria është e njohur për incidente të vogla dhe të mëdha gjatë zgjedhjeve. Mund të ketë ndonjë incident, por që nuk besoj se do ta prishë votimin ditën e diel”.

Ai ka thënë se nga data 1 korrik për Shqipërinë do të fillojë një etapë tjetër.

“Shqipërinë duhet ta konsideroni pas datës 1 korrik dhe jo me datën 30 qershor për arsye se 1 korriku vendos kritere të reja të dialogimit politik. Ky dialogim mendoj se do të ndodhë mes Edi Ramës dhe përfaqësuesit të Partisë Demokratike që besoj do të jetë Lulzim Basha”.

“Nuk besoj që ‘plaku’ i Partisë Demokratike, pra themeluesi i saj do të jetë edhe shkatërruesi i saj. Besoj se nuk e ka të drejtën ta luajë rolin e shkatërruesit të PD-së”.

“Lulzim Basha do të udhëheqë dy procese – procesin e dialogut për Reformën Zgjedhore dhe procesin e dialogut për Reformën Territoriale”.

“Gjatë këtij procesi, Shqipëria do të lirohet nga një president i cili ka qenë përfaqësues i opozitës dhe nuk e ka luajtur rolin e presidentit dhe më fund një të rrituri politikisht që është Lulzim Basha që në një mënyrë me djegien e mandateve edhe pse bëri keq politikisht bëri mirë për veten sepse ishte lodhur nga diskursi politik në parlament i ish-kryetarit të Partisë Demokratike”.

“Ish-kryetari i PD-së [Sali Berisha] me gjithë përvojën e gjatë politike nuk hoqi dorë duke qenë protagonist i panevojshëm dhe duke marrë peng Partinë Demokratike dhe Shqipërinë”.

“Kjo është arsyeja që ky riciklim ka qenë i pamundur dhe që SHBA-të dhe Bashkimi Europian kanë votuar më shumë për një Shqipëri të re sa sa për të dënuar përgjimin i cili me siguri pas 1 korrikut do të jetë pjesë e një debati publik dhe një negocimi që mund ta bëjë Bashkësia Ndërkombëtare me sistemin e drejtësisë në Shqipëri”.

“Pas 1 korrikut, gjëja e parë që do të ndodhë do të jetë procesi i shkarkimit të presidentit dhe krijimi i Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese dhe të gjitha ato që quhen parametra të drejtësisë në Shqipëri që realisht e ndërtojnë rrugën për një Shqipëri të re dhe fundin e riciklimit të njerëzve problematikë që më së paku në kohët e fundit e kanë dashur Shqipërinë”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here