Cilat kushte të Bullgarisë e pengojnë anëtarësimin e Maqedoninë së Veriut në BE?

0
23

Tashmë është zyrtare që Bullgaria do të përdor veton e saj për të bllokuar Maqedoninë e Veriut në hapjen e negociatave për aderim me Bashkimin Evropian. E gjithë kjo u konfirmua edhe në parlamentin bullgar, ku të gjitha partitë votuan pro bllokimit të Maqedonisë së Veriut, përveç liberalëve.

Deri në momentet e fundit është pritur një lloj marrëveshje e ndërmjetësuar nga BE’ja, mirëpo autoritetet bullgare janë të vendosura që për një kohë të pacaktuar të bllokojnë fqinjët e tyre shkaku i kontesteve historike.

Këto konteste kanë të bëjnë me figurat historike, gjuhën maqedonase dhe problemin me minoritetet që jetojnë në dy shtetet respektive.

Edhe pse para tre viteve është nënshkruar Marrëveshja për fqinjësi të mirë në mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, komisionet e përbashkëta ndërshtetërore nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje për problemet e lartpërmendura.

Te kontestet e figurave historike bëhet fjalë për Goce Dellçevin, Jane Sandanskin dhe Shën Klimentin e Ohrit. Këta tre personazhe janë heronj si në Maqedoni, ashtu edhe në Bullgari.

Goce Dellçev, ka lindur në Kukush të Greqisë Veriore, dhe sipas të dhënave historike është deklaruar bullgar, por ka luftuar për çlirimin e territoreve të Maqedonisë së atëhershme.

Megjithatë, sipas bullgarëve, Dellçevi ka luftuar për çlirimin e gjithë territoreve të tyre nga Perandoria Osmane, kurse për maqedonasit për çlirimin dhe krijimin e shtetit të parë maqedon. Krerët e shtetit bullgarë kanë thënë se pavarësisht Marrëveshjes së fqinjësisë së mirë, pa zgjidhjen e këtyre dallimeve historike, Shkupi mund të hasë në bllokimin e anëtarësimit përfundimtar në BE.

“Asnjëherë nuk kemi thënë se pa kushte do të mbështesim anëtarësimin e saj (Maqedonisë së Veriut) në BE. Kemi 71 instrumente që këtë ta bëjmë gjatë procesit të hapjes së kapitujve. Prandaj, apeloj që t’i japin fund lojërave me historinë dhe të kaluarën dhe të koncentrohen te e ardhmja”, ka deklaruar presidenti bullgar, Rumen Radev.

Ndërkaq, historiani, Llazar Llazarov thotë se me këto kontestime për figura të ndryshme historike, Bullgaria po “mohon” identitetin e popullit maqedonas,

“Unë nuk mund ta kuptoj se si mund të quhet Marrëveshje e fqinjësisë së mirë, kur miku me të cilin ke nënshkruar marrëveshjen mohon identitetin tënd. Nuk janë kontestuese vetëm kërkesat për Goce Dellçevin, Jane Sandanskin apo Klimentin e Ohrit, bëhet fjalë për mohimin e një populli të tërë, të maqedonasve si komb apo përvetësimin e këtyre personaliteteve të rëndësishme për identitetin tonë kombëtar. Kjo nuk është në interes të raporteve të fqinjësisë së mirë”, thotë historiani, Llazarov.

“Nuk mundet ajo të mohojë të drejtën e një populli që të quhet ashtu siç është. Askush nuk ka të drejtë të na e ndërrojë emrin apo të përvetësojë personalitete nga e kaluara historike, që kanë lënë gjurmë në çlirimin e kombit tonë. Unë kam kritikuar edhe kryeministrin (e Maqedonisë së Veriut, Zoran) Zaev kur thoshte se Kryengritja e Ilindenit është edhe e maqedonasve edhe bullgarëve. Nuk është kështu, pasi ajo ka ndodhur në Maqedoni dhe nuk mund të jetë ndryshe”, thekson Llazarov për REL.

Tjetër problem është ai i gjuhës dhe i identitetit. Bullgaria kërkon që gjuha maqedonase të njihet si dialekt bullgar, ndërsa Shkupi zyrtar nuk e pranon një gjë të tillë.

“Bullgaria nuk e konteston gjuhën dhe identitetin modern të popullatës së atjeshme. Ne qartë dhe me kohë e kemi bërë të ditur qëndrimin tonë, që vitin e kaluar qeveria dorëzoi në Kuvend deklaratën, e cila ishte mbështetur nga të gjitha partitë”, ka deklaruar në një prononcim për televizionin shtetëror bullgar (BTV) ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva.

Ajo vuri në dukje se është në interes të Bullgarisë që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian.

“Nuk është vetëm historia ajo që shqetëson, por edhe gjuha e urrejtjes”, ka theksuar Zaharieva, duke shprehur indinjatën për, siç ka thënë, “mosnjohjen e së vërtetës historike që çon në probleme mjaft serioze në marrëdhëniet midis dy vendeve”.

Duke komentuar kërkesat e palës bullgare, Nano Ruzhin, ish- ambasador i Maqedonisë së Veriut në NATO dhe njohës i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se duhet pritur deri në momentin e fundit dhe të besohet se megjithatë mund të arrihet zgjidhje që vendi të mos bllokohet në procesin e integrimit në BE.

“Për çështjen e gjuhës maqedonase, për të cilën pala bullgare kërkon që të definohet si gjuhë me rrënjë bullgare, mendoj se zgjidhje mund të gjendet pasi kur kjo çështje është ngritur në Bruksel, pala bullgare sikur ka shprehur gatishmëri që të heqë dorë nga qëndrimi i fortë dhe të mos flitet për gjuhë maqedonase, por si gjuhë që është zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Apo, nëse duam të përmendim gjuhën maqedonase, atëherë duhet të pranojmë se ajo ka rrënjë bullgare. Mendoj se formula e parë nuk do të ishte problematike dhe mbi të mund të arrihet zgjidhje”, ka deklaruar Ruzhin.

Para disa ditëve, në një takim që kishte pasur Nikolla Dimitrov, udhëheqës i sekretariatit për çështje evropiane, me përfaqësuesit bullgarë, Dimitrov ka lëshuar takimin në mënyrë demonstruese shkaku i ofendimeve që iu kanë bërë gjatë atij takim. Sipas mediave maqedonase, pala bullgare e ka quajtur Maqedoninë si “Shteti i ashtuquajtur maqedon”, dhe me ç’rast ka rezultuar me ndërpreje të takimit nga ana e Dimitrovit.

Pa probleme nuk kishin kaluar as komisionet ndërshtetërore që kishim për qëllimin mbylljen e kontesteve historike. Madje në një rast, mediat raportojnë se ka pasur edhe përleshje fizike në mes anëtarëve të komisioneve gjatë mbledhjes që është mbajtur në Ohër.

Si përfundim, Maqedonia e Veriut edhe këtë vit do të pres për fillimin e negociatave me BE’në, shkaku i vetos së Bullgarisë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here