Edhe shqiptarët e Malit të Zi bëhen bashkë në zgjedhje, do të dalin me një listë të përbashkët

0
15

Partitë shqiptare në Malin e Zi po bëjnë përpjekje për të dalë me një listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në 30 gusht.

Kreu i Forcës së Re Demokratike, Nazif Cungu ka bërë me dije lajmin përmes një njoftimi në faqen e tij në Facebook, se subjektet shqiptare në shtetin fqinj kanë vendosur të bashkojnë forcat, shkruan Euronews Albania.

“Alternativa Shqiptare e kryesuar nga Nik Gjeloshaj, Forca e re demokratike e kryesuar nga Nazif Cungu, Lidhja Demokratike Shqiptare e kryesuar nga Nikollë Camaj, Unioni i Tuzit i kryesuar nga Fadil Kajoshaj dhe Levizja qytetare Perspektiva, e kryesuar nga Amir Hollaj, duke kuptuar rëndësinë e zgjedhjeve parlamentare të 30 gushtit, kërkesën e qytetarëve, pritjen dhe ftesën e diasporës për bashkim, kanë rënë dakord që, në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit, të dalin në një listë të përbashkët.”

Bashkimi i partive shqiptare, sipas udhëheqësve politikë, do të garantonte më shumë vende në parlament dhe do t’i bënte ata faktorë të rëndësishëm në Malin e Zi.

“Të bindur se një list është zgjedhja më e mirë, dhe me kërkesë të vëllezërve tonë nga diaspora, dhe insistimin e asamblistit të Nju Jorkut, z. Mark Gjonaj, që t’i japim mundësinë formimit të një liste të përbashkët, për të gjitha subjektet shqiptare, nënshkrimin e marrëveshjes, të paraparë për nesër në mesditë, kemi vendosur ta shtyjmë deri në momentin kur shpresat për një veprim të tillë të jenë shuar”.

“Ne, si subjekte të dëshmuara në bashkveprim, edhe në këtë mënyrë dëshrojmë të dëshmojmë qendrimin dhe kërkesën tonë për formimin e një liste të përbashkët shqiptare, për zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit” thuhet mes tjerash në njoftimin e Cungut.

Në zgjedhjet e kaluara parlamentare në tetor 2016, pati një rënie të theksuar të përfaqësimit të shqiptarëve në parlament si pasojë e përçarjes dhe mungesës së unifikimit mes tyre.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here