Flet hoxha që shkoi për t’i pajtuar familjen Rafuna e Mehmeti

0
8

Një përleshje fizike mes anëtarëve të familjes Mehmeti dhe Rafuna përfundoi me të shtëna armësh. Nga plumbat që u shkrepën aty, mbetën të vdekur Bashkim Mehmeti e Mefail Rafuna, si dhe u plagosën tre persona të tjerë, një prej të cilëve ishte kalimtar rasti. Gjithë ngjarja dyshohet se ndodhi për çështje pronësore. Për t’i qetësuar gjakrat mes familjeve, tash po ndërmjetësojnë dy hoxhallarë 

Dy nga imamët më me zë në Kosovë kanë marrë një mision të veçantë. Ata po synojnë që t’i pajtojnë familjen Mehmeti e Rafuna, anëtarët e të cilave javën e kaluar shkrepën breshëri plumbash mes vete. 

Për t’i qetësuar gjakrat mes këtyre familjeve, në shtëpinë e tyre sot kanë shkuar për vizitë, Hoxhë Fatmir Latifaj dhe Shefqet Krasniqi. 

Hoxha Fatmir Latifaj ka treguar për Gazetën Express se si i pritën familjet Mehmeti e Rafuna dhe për disponimin e tyre për pajtim. 

“Familjarët vërtet na kanë pritë shumë mirë, ishte vërtet një vizitë që na ka lanë shumë mbresa të jashtëzakonshme se si në rrethana kaq të rënda, të dyja familjet ishin shumë të kujdesshme në deklarata dhe në të njëjtën kohë na i hapën dyert në formën më të mirë të mundshme”, thotë Latifaj. 

Deklaron se janë duke pritur edhe përmirësimin e gjendjes së të plagosurve për të filluar bisedimet me familjet për faljen e gjakut. 

“Pritja e tyre ishte vërtetë mbresëlënëse dhe shpresojmë që tash e tutje të vëmë kontakte me familjarët në mënyrë që t’i zbusim gjakrat dhe t’i zbresim tensionet. Do t’i hapim dyert e bisedimeve drejtpërdrejtë për t’i pajtuar familjet apo palët në fjalë. Të dy familjet kanë shprehë admirim për qasjen tonë dhe na kanë falenderu. Më shumë se kaq nuk ka njëherë për njëherë”, tregon hoxha.

Hoxha thotë se ata do të bëjnë çdo përpjekje që familjet të pajtohen mes vete, pasi që siç thotë çdo hap tjetër për të vazhduar atë çka ndodhi para rreth një jave do të ishte gabim fatal për familjen Mehmeti e Rafuna. Ai u ka bërë thirrje edhe të afërme të të dy familjeve që të ndihmojnë në pajtim. 

“Kemi planifiku me shku prapë, por pasi të qetësohen ata meqenëse ende i kanë familjarët në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe situate është shumë e ndërlikuar, ne iu tham që çdo hap tjetër për ta vazhduar këtë që ka ndodhë do të ishte një gabim fatal për të dy familjet dhe për opinionin në përgjithësi. Kodi i burrërisë te ne matet me falje jo me hakmarrje”, tha Latifaj për Express.

Ai shpreson që hasmëria mes familjeve të mos vazhdoj, në të kundërtën thotë se ka frikë që vetëgjyqësia të bëhet model në vend. 

“Ne sa patëm mundësi me vërejtë ishte që familjet vërtetë ishin shumë të prekura nga e gjithë kjo që ka ndodhë, mërzia ishte shumë e madhe, idhnimi dhe shqetësimi ishte shumë i thellë, andaj përveç mungesës së anëtarëve të familjes është një bela që është shumë prezente. Nëse nuk ndërpritet kjo tragjedi që ka fillu me familje, atëherë kam frikë që do të bëhet një model i një të keqje që nuk i duhet shtetit të Kosovës”, deklaroi ai

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here