Griep: Mandati i Gjykatës Speciale vazhdon derisa t’i përfundojmë të gjitha punët

0
15

Kur po afrohet fundi i mandatit pesë vjeçar i “Dhomave të Specilazuara të Kosovës”, apo siç njihet me emrin “Gjykata Speciale”, në Kosovë kanë filluar të shpeshtohen zërat të cilët kërkojnë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që të mos e jap dritën e gjelbër që Specialja të vazhdojë punën edhe për pesë vite të tjera.

Besnik VELIU

Këtë çështje, përveç thirrjeve të krerëve të veteranëve të luftës së UÇK’së, pritet që ta komplikojë edhe më tepër fakti që në krye të qeverisë së Kosovës do të vijë, Albin Kurti, një prej kundërshtarëve më të mëdhenj të Speciales, shkruan Gazeta Express. 

Megjithatë bllokimi punës së Gjykatë Speciale do të jetë vështirë i realizueshëm, kur kujtohet reagimi i ambasadave të huaja në Kosovë, veçanërisht asaj të SHBA’së, në fund dhjetorin e vitit 2017, pas iniciativës së PDK’së e AAK’së për zhbërjen e një institucioni të tillë.

E se mandati i Gjykatës Speciale do të vazhdohet derisa ky institucion të përfundojë të gjithë punën e veta, e thotë edhe zëdhënësja e “Dhomave të Specializuara të Kosovës”, Angela Griep.

Në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express, Griep thotë se vazhdimi i mandatit të Speciales edhe pas pesë vjetësh është caktuar me ligj dhe është miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Është e caktuar me ligj dhe është miratuar nga Kuvendi i Kosovës që mandati i KSC/SPO do të vazhdojë edhe pas pesë vjetësh, derisa Kosova të njoftohet nga Këshilli i Bashkimit Evropian se hetimet kanë përfunduar dhe se të gjitha procedurat e Dhomave të Specializuara janë kryer”, ka thënë Griep për Express.

Griep thotë se puna e kësaj Gjykate nuk varet nga zhvillimet politike në Republikën e Kosovës.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të fokusuara në zbatimin e mandatit të tyre në përputhje me ligjin e miratuar për Dhomat e Specializuara, Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe Amendamentin Kushtetues, pavarësisht zhvillimeve politike në Kosovë”, ka përfunduar ajo.

  • Zëdhënsja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep

E që nuk varet vazhdimi i mandatit të speciales nga qeveria e Kosovës e nga Kuvendi e thotë edhe avokati kosovar, Kujtim Kërveshi.

Në një përgjigje për Express, Kërveshi thotë se një gjë të tillë e vendos Bashkimi Evropian.

“Mandati pesë vjeç shtesë nuk varet nga vullneti as i qeverisë sonë e as i parlamentit”, ka thënë ai.

Hapur për mos vazhdimin e punës së Gjykatës Speciale kanë dalë krerët e Organizatës së Veteranëve të UÇK’së.

Kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati, ka thënë që Kurti duhet ta mbajë ‘premtimin e rrezikshëm’ për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Ndërkohë muaj më parë, nënkryetari i kësaj organizate , Nasim Haradinaj, ka thënë se shpreson që deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk do të votojnë për vazhdimin e mandatit të Speciales.

“Unë jam shumë optimist që më 2020 nuk do t’i vazhdohet mandati Gjykatës Speciale. Besoj që do të vetëdijesohen deputetët. Unë u apeloj deputetëve që vijnë që të mos koriten dhe të mos e votojnë vazhdimin e kësaj gjykate. Kjo është gjykatë një etnike, është gjykatë raciste”, ka thënë Haradinaj në RTK.

Se do ta ngrit zërin për mos vazhdimin e mandatit të Gjykatës Speciale, e ka thënë edhe avokati kosovar, Arianit Koci.

“Flitet, ka indikacione që është në fazën e fundit, hetimi i këtyre ditëve edhe pse nuk mundet të garantohet asgjë për shkak se tani e kemi një hetim të pazakontë që 7-8 vite të gjatë, kështu që nuk mundet askush saktësisht të parashikoj se kur do të përfundojnë hetimet dhe në çfarë forme do të ngiten aktakuzat eventuale. Sidoqoftë nëse vazhdon kështu me këtë ngathtësi Gjykata Speciale, e ashtuquajtura, unë do të jem i zëshëm që vitin tjetër mandati të mos i vazhdohet. Mbi të gjitha për të njëjtat çështje i ka trajtuar Tribunali i Hagës, Gjykata e UNMIK-ut si gjykatë ndërkombëtare, Gjykata e EULEX-it dhe gjykatat vendore”, kishte thënë Koci për REL.

Lidhur me këtë çështje para tre ditësh ka folur edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje i cili pritet që të ulet së shpejti edhe në karrigen e të parit të qeverisë.

Ai ka thënë se aktualisht nuk është e mundshme që të shfuqizohet, pasi duhen 2/3 e votave në Kuvend.

“Gjykata speciale nuk zhbëhet dot pa 2/3 sepse me 2/3 është amandamentuar , Kushtetuta jonë me amandamentin e famshëm 24, me të cilën është hapur shtegu i themelimit të kësaj ngrehine, të cilën unë nuk e di sesi  mund ta zhbëjmë kur nuk është bërë”, ka thënë Kurti.

Më tej, Albin Kurti ka thënë  se Kosovës nuk i nevojiten më gjykata “speciale” por gjykata normale.

 “Ne kemi nevojë për gjykata normale jo vetëm për një gjykatë speciale. Kishim gjykatën speciale të UNMIK-ut, gjykatën speciale të EULEXIT. Mjaft më me këso specialesh, kjo është gjykatë me spec. Edhe unë mendoj që kemi nevojë për gjykata normale që gjykojnë edhe krimet e luftës edhe krimet e paqes, pavarësisht kush i ka bërë. Por dihet që më së shumti ka bërë shteti i Serbisë. Edhe kemi nevojë për prokurorë të guximshëm, edhe gjithashtu edhe për një prokurori të çliruar nga ekzekutivi, gjë që nuk e kemi parë deri më sot”, është shprehur tutje Kurti në një intervistë për “Real Story”.

Mandati pesë vjeçar i Gjykatës Speciale do të skadojë me 30 qershor të vitit 2020. Deri më tani nga kjo Gjykatë janë ftuar për intervistim si dëshmitarë, e si dëshmitarë të dyshuar, mbi 200 pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërkohë është paralajmëruar që gjatë këtij muaji do të ngritën edhe aktakuzat e para. Megjithatë zëdhënësi i Prokurorit të Specializuar, Christopher Benett në një përgjigje për Gazetën Express, nuk ka pranuar që të jap detaje operacionale e afate kohore për aktakuzat e mundshme.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here