Haradinaj mesazh për kritikuesit e “Autostradës së Dukagjinit”, i quan hileqarë

0
33

Kanë nisur punimet për rregullimin e rrugës kryesore të qytetit të Deçanit, rrugës së  Qendrës, konkretisht rrugës “Luan Haradinaj” dhe “Dëshmoret e Kombit”.

Vlera e projektit të nënshkruar është 5.884.040,40 €, bashkëfinancim mes Komunës së Deçanit dhe Ministrisë së Infrastrukturës.

Kryeministri Ramush Haradinaj, tha se Kosova ka nisur punën nga zero pasi që këto treva 20 vjet më parë ishin të shkatërruara dhe tani kjo tokë është e lirisë dhe duhet zhvilluar.

“Është ngjarje e mirë sot që po bashkohemi në këtë trevë, kjo zonë ka qenë tokë e djegur e shkatërruar e minuar e është punuar gjatë, është zonë e lavdisë janë njerëz të zotë të kësaj treve që kanë mbajt këtë tokë si të tyre tani është kohë e re janë bashkuar institucionet e Kosovës”, tha Haradinaj.

“I gëzohem përparimit të projekteve në komunën e Deçanit në infrastrukturë arsyeja është sepse infrastruktura e lehtëson jetën urat lidhin njerëz janë nevojë ekomomike janë mirëqenie janë të rëndësishëm për jetën tonë”, tha ai, raporton EkonomiaOnline.

Haradinaj tha se infrastruktura moderne është shumë e rëndësishme për sipërmarrësit dhe investitorët.

“Infrastruktura na bën më atraktiv për sipërmarrësit e investitorët na nxjerr në dritën, nxjerr në pah vlerat tona, vlerat e lirisë, nxjerr në drite edhe resurset tona”, tha Haradinaj.

Haradinaj ka kritikuar personat që po e nënçmojnë autostradën e Dukagjinit.

Ai tha se kjo autostradë është e Evropës pasi që lidh me vendet e huaja.

“Autostrada e Dukagjinit është autostradë jo vetëm e shqiptarëve por e Evropës sepse ajo lidh vendbanime në Evropë”, tha ai.

“Ata që e kritikojnë këtë autostradë janë shkurtpamës dhe hileqarë, duhet me iu ardh marre atyre që e kritikojnë autostradën që e lidh Pejën, Deçanin, Prizrenin”, tha Haradinaj.

“Ju bëj thirrje ta respektojnë Kosovën, jo vetëm Dukagjinin ta respektojnë popullim dhe rëndësinë e kësaj autostrade”, tha ai.

Haradinaj ka folur për vlerat e Kosovës që ka në hartën gjeografike.

“Nuk pranoj me na cilësi askush në këtë dhe si të pazotë dhe si ata që nuk munden me i zënë ata që janë para neve, para 20 viteve kjo tokë ka qenë e minuar ja ku jemi sot do i bashkohemi Evropës si të zotë dhe jo si qyqana e nevojtarë, por si dikush që ka çka qet në tavolinë”, shtoi Haradinaj.

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, tha se kjo rrugë do të lidh shumë vende me njëra-tjetrën dhe është shumë e rëndësishme.

“Është ditë e vecantë për Deçanin që po i dhurohet një projekt që ka simbolike të veçantë sepse jo vetëm për qytetarët e Deçanit, por ky projekt po i dhurohet këtij regjioni që shumë qytetar që shkojnë në Pejë e rrethinë qytetarët do të kenë qasje më të lirë”, tha Lekaj.

“Ne në tërë Kosovën po zhvillojmë infrastrukturën ka njerëz që kanë mendim ndryshe po ju them se pa zhvillim të infrastrukturës nuk ka zhvillim shteti dhe zhvillim ekonomik dhe të i gëzohemi së bashku këtij projekti dhe të i përulemi për punën që po bën Haradinaj”, shtoi Lekaj.

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka falënderuar Haradinajn dhe Lekajn për ketë mundësi që i është dhënë Deçanit të fillojë implementimin projekti i hartuar qysh para 15 vjetësh.

“Ku projekt është domethënës për Deçanin, projekt që ka fillua me u hartua para 15 viteve dhe tani erdhi koha të zbatohet falë përkushtimit të kryeministrit Haradinaj dhe ministrit Lekaj”, tha Ramosaj.

Ramosaj tha se Deçani është duke pasur zhvillime të shumta në infrastrukturë viteve të fundit që po i japin destinim zhvillimit ekonomik të këtij vendi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here