Homazhe për Astrit Deharin, VV e quan simbol të drejtësisë

0
32

Në trevjetorin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari kreu i VV-së, Albin Kurti i shoqëruar nga anëtarë të kryesisë e aktivistë të këtij subjekti politik e familjarë të Astrit Deharit kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora lulesh tek varri i tij në Zllatar.

Edhe tri vite pas vdekjes së tij, ndonëse ende nuk janë sqaruar rrethanat se si vdiq derisa po mbahej në burgun e Prizrenit, u kërkua që dorasit e vdekjes së tij të vihen para drejtësisë.

Anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, Astrit Deharin e kujtoi si një aktivist të dalluar e plotë vullnet e të vendosur në qëndrimin e tij dhe të palëkundur në idealin që e kishte.

Konjufca u shpreh se tri vite pas vdekjes, Dehari tashmë po përkujtohet nën dritën e një ekspertize të re nga Zvicra e cila tregoi se Astriti as nuk e humbi jetën aksidentalisht, as nuk u vetëvra, por prapa kësaj ngjarje fshihet një krim që dorasit e tij duhet të vihen para drejtësisë.

“Ky nderim që po ia bëjmë po mbahet në dritën e një ekspertize të re që ka ardhur nga Zvicra që tregon se Astrit Dehari përfundimisht nuk e humbi jetën as aksidentalisht, as vetvetiu, por që prapa kësaj ngjarje qëndron një krim, krim i cili duhet të zbulohet dhe dorasit që ngritën dorë kundër Astritit duhet të dalin para drejtësisë“, tha ai.

Sipas tij Lëvizja Vetëvendosje dhe populli shqiptar do e kujtojnë Astrit Deharin si simbol të drejtësisë dhe se asnjëherë nuk do ndalen derisa dorasit e këtij krimi të dalin para institucioneve të drejtësisë.

“Jeta e një individi e merr statusin  e vet më sublim atëherë kur arrin të shndërrohet në një simbol të së mirës së përgjithshme e Astriti e ka arritur këtë status, është bërë faktikisht simbol për drejtësi, simbol i luftë së popullit tonë, i luftës së pandalshme të popullit tonë për drejtësi dhe për barazi. Astriti kishte aktivitet të gjatë në Lëvizjen Vetëvendosje u kthye bashkë me familjen e tij nga Zvicra për t’i kontribuar lirisë të kombit tonë dhe e gjeti vdekjen në burgun e Prizrenit pikërisht në këtë datë para tri viteve. Lëvizja Vetëvendosje, populli shqiptar, gjithmonë do e kujtojë e do e nderojë Astrit Deharin”, tha ai.

Ndërsa babai i të ndjerit, Avniu shprehu falënderimin e tij dhe të familjes Dehari për të gjithë ata që në këto kohë i kanë mbështetur.

“Në emër të Xhemiles, të Artës, Albanit, të Arsës , të Lumit dhe të Blinit nipave dhe mbesës së Astritit iu falënderoj përzemërsisht për mbështetjen që po na e bëni”, tha babi i të ndjerit.

Në trevjetorin e vdekjes së Astrit Dehari, Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar një sërë aktivitetesh.

Duke filluar nga ora 12:00 do mbahet marshi me moton “Një popull për drejtësi”, pastaj në selinë qendrore të Vetëvendosjes do të dhurohet gjak.

Ndërsa në qytetin e Prizrenit do ndizen qirinj për të përkujtuar aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje i cili u gjet i vdekur në qelinë ku po mbahej

Kujtojmë, që më 5 nëntor 2016, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, në rrethana ende të pasqaruara deri më sot, vdiq aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

Publikimi i të gjeturave të raportit të ekspertëve të mjekësisë ligjore nga Qendra Universitare Romande për Mjekësi Ligjore në Lozanë (CURML) të Zvicrës i ka dhënë të drejtë kërkesës së familjes Dehari për hetim të ri mbi rrethanat dhe shkaqet e vdekjes së Astrit Deharit.

Raporti shprehimisht rrëzon hipotezën e ngritur për vetëvrasje nga Prokurori i rastit dhe bën thirrje për hetim të ri duke përfshirë hetimin e mundësisë së përfshirjes së personave të tjerë në vrasjen e tij.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here