Hoxhaj: Nëse zgjerimi i BE ngec, duhet parë me prioritet integrimi mbarëshqiptar

0
42

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj thotë se nevojitet një grup pune për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Sipas tij marrëveshjet për çështje “ekonomike dhe tregtare hasin pengesë” në zbatim duke shtuar se “vullneti politik është më i madh se sa kapaciteti për t’i zbatuar ato”.

Hoxhaj gjatë një interviste për Euronews Albania tha se partneriteti mes dy shteteve shqiptare duhet parë në raport me procesin e integrimit evropian.

“Partneriteti mes Shqipërisë dhe Kosovës duhet parë dhe në rrafshin e asaj që ndodh me integrimin evropian. Nëse BE e sheh zgjerimin në Ballkanin Perëndimor të pamundshëm në këtë kohë, atëherë integrimi mbarëshqiptar do të duhet të jetë prioritet”, tha Hoxhaj.

Ish-ministri i Jashtëm shtoi se edhe nëse ndodh hapja e negociatave me Shqipërinë, zgjerimi nuk do të jetë prioritet i BE ndaj duhet zgjeruar bashkëpunimi i brendshëm.

“Nëse BE nuk zgjerohet drejt Kosovës dhe Shqipërisë, jam i idesë që Shqipëria dhe Kosova të zgjerohen ndaj njëra-tjerës në rrafshin politik, ekonomik dhe tregtar”, deklaroi Hoxhaj.

Ndonëse në mbledhjet e përbashkëta është folur shumë për ndërtimin e një hekurudhe që lidh dy vendet, sipas z. Hoxha, Shqipëria dhe Kosova së pari duhet të përfundojnë “Rrugën e Kombit”.

“Rruga e Kombit duhet të jetë një projekt i përfunduar pasi ka pjesë që nuk janë përfunduar në të dy anët. Përfundimi dhe lidhja me autostradat rajonale do ta kthente në një korridor ndërkombëtar”, tha ai duke shtuar se hekurudha mbetet një “qëllim afatgjatë”.

Për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, Hoxhaj thotë se në rrafshin politik dhe diplomatik nuk sheh asnjë problem por në ndërtimin e një tregu të përbashkët ekonomik, arsimor dhe kulturor mbetet ende shumë për të bërë.

Lidhur me bisedimet me Serbinë, sipas z. Hoxhaj njohja e ndërsjellë duhet të realizohet sa më shpejt pasi “BE dhe SHBA kanë prioritete të tjera” dhe kjo mund ta vështirësojë arritjen e një pakti në të ardhmen e largët.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here