Hysenaj: Komuna e Ferizajt nuk investon asnjë cent në teatër

0
21

Drejtori i Teatrit “Adriana” në Ferizaj, Fatmir Hysenaj, ka thënë se Komuna e Ferizajt nuk po investon asnjë cent, edhe pse kërkesat nuk kanë të ndalur. Vetëdijesimi i tyre nuk është aq i madh, sepse e dimë që me art dhe me kulturë mundemi t’i rregullojmë shumë çështje dhe kjo nuk çon fare peshë për ta, sidomos në këtë kohë, kur të gjithë janë bërë materialistë, është shprehur ai. Hysenaj ka thënë se në momentin kur një projekt teatror shndërrohet në një projekt të infrastrukturës rrugore, nuk kemi më çfarë të flasim.

Duke u bazuar në repertor të teatrit, teatri obligohet të realizojë pesë premiera për skenën e madhe dhe katër për skenën e vogël. Sa iu përmbahet këtyre rregullave teatri “Adriana”?

Hysenaj: Në të vërtetë, mundohet t’iu përmbahet këtyre rregullave, por jo deri në pesë premiera. Ata që e kanë bërë atë ligj, e kanë bërë ligjin që duhet të bëhen aq. Në momentin kur jepet një obligim të bëhet diçka, për shembull që t’i realizojmë pesë premiera, duhet të rrish karshi kundrejt financave. Si po mendojnë t’i realizojmë pesë ose më pak premiera, kurse buxhet nuk ka? Të gjithë aktorët janë profesionistë, janë me fakultete, kanë familje dhe duhet të sigurojnë të ardhura. Ato fjalë janë të shkruara vetëm në letër dhe janë të pazbatueshme dhe kjo është prej atyre që i vendosin këto ligje e nuk kanë fare njohuri për artin.

Nga disa aktorë thuhet se teatri është shumë jofunksional, ballafaqohet me problemet e financave dhe sa i përket infrastrukturës, nuk investohet fare. Sa investon Komuna e Ferizajt për të siguruar mjete financiare që teatri të ketë funksionalizim të plotë?

Hysenaj: Komuna nuk investon asnjë cent në teatër. Teatri i Ferizajt ka funksionuar deri më tani kryesisht me baza vullnetare. Nuk ka pasur asnjëherë financim të rregullt, besa as tani nuk ka financim të rregullt, mirëpo pritet që në vitin 2020 të ketë një financim të rregullt. Nëse dëshirojmë që ndonjëherë donatorët të na ndihmojnë, përsëri nuk ndodh, sepse donatorët dëshirojnë të kenë diçka si kthim, reklamë apo diçka tjetër. Kështu, ligji i sponsorizimit bie në kundërshtim me ligjin e administratës publike dhe kështu mbesim pa donacione dhe pa ndihma të subjekteve private, të cilat janë shumë të rëndësishme. Mirëpo, vetëdijesimi i tyre nuk është aq i madh, sepse e dimë që me art dhe me kulturë mund t’i rregullojmë shumë çështje dhe kjo nuk çon fare peshë për ta, sidomos në këtë kohë, kur të gjithë janë bërë materialistë.

A është i mjaftueshëm për të gjitha shfaqjet buxheti që ofrohet nga komuna?

Hysenaj: Të them të drejtën, as për një shfaqje.

A keni kërkuar nga komuna që buxheti të rritet?

Hysenaj: Kërkesat tona nuk kanë të ndalur, mirëpo në momentin kur niveli i njohurive të posteve politike është nën çdo nivel të kulturës së përgjithshme, po e marr një shembull që të jem më i qartë, kur krahasohet 1 metër asfalt me një shfaqje, atëherë nuk ka kulturë më dhe nuk ke çka diskuton më. Pra, ndodh që komuna të bisedojë edhe në këtë formë. Nëse i thua që teatri e ka një projekt që kushton 20 mijë euro, ai atë e shndërron në një projekt të infrastrukturës rrugore.0 Shkurt e shqip, me ta nuk mund të kesh një kulturë të komunikimit. Ky problem po vazhdon të rritet çdo ditë e më shumë.

Duke filluar prej muajit janar të vitit 2019, teatri i ka realizuar vetëm dy premiera dhe pritet të realizojë edhe një premierë në muajin qershor. Pse nuk janë realizuar deri më tani më shumë se dy premiera?

Hysenaj: Baza e parë për të krijuar art të mirëfilltë, jo art që ne jemi mësuar ta shohim, është stabilizimi financiar dhe ligjor i institucionit te teatrit, sepse nuk mund të bësh arts sidomos art kolektiv, pa financa. Gjasë nuk ka. Kjo është një ndër arsyet pse nuk janë realizuar më shumë premiera dhe që teatri nuk mund të jetë edhe shumë aktiv.

Në mungesë të drejtorit artistik, ju si drejtor i përgjithshëm e hartoni planin dhe raportin e punës. A është i kënaqur Këshilli Drejtues me planin që ju e hartoni apo ka edhe raste të tilla, kur i shprehin pakënaqësitë e tyre?

Hysenaj: Ne jemi shoqëri demokratike dhe natyrisht që kemi pikëpamje të ndryshme. Ndonjëherë debatojmë, mirëpo nuk ka shumë keqkuptime, sepse edhe ata e kuptojnë gjendjen. Në mungesë të drejtorit artistik, unë si drejtor i përgjithshëm kam të drejtë t’i paraqes planin dhe raportin e punës, pastaj Këshilli i voton dhe i miraton. Por të them të drejtën, shumë prej tyre mbeten të parealizuara, sepse kemi mungesë të buxhetit. Arti skenik është shumë i shtrenjtë. Rreth 6% e buxhetit të përgjithshëm në vende të botës jepet për kulturë, ndërsa në Kosovë jepet vetëm 0.99% për kulturë, jo vetëm për artin skenik dhe kjo tregon që ne mund të flasim çdo ditë, por është e kotë.

A ka ndodhur që artistët të mos i respektojnë obligimet e tyre dhe të dalin nga kontrata e punës dhe jeni detyruar të ndërmerrni masa deri te shkëputja e kontratës?

Hysenaj: Jo, nuk ka ndodhur deri më tani. Thënë të drejtën, ka pasur ndonjë mungesë, ndonjëherë edhe të paarsyeshme, ndonjë abstenim të vogël, por jo, si të thuash, nuk ka pasur incidente, thënë kushtimisht,  të cilat kanë ardhur deri te shkëputja e kontratave. Shkëputja e kontratës ndodh zakonisht kur refuzohen rolet, refuzohet puna ose kur kanë mungesa të paarsyeshme për një kohë të gjatë, më shumë se 15 ditë. Kësisoj, gjëra të tilla nuk kanë ndodhur, domethënë jemi në rregull në këtë aspekt.

Si janë të punësuar aktorët në teatër, me kontrata sezonale apo si?

Hysenaj: Jo ne kemi trupë të rregullt rezidente, e cila është e punësuar me kontrata të përhershme. Kjo nuk nënkupton që ata e kanë siguruar përjetësisht vendin e punës, sepse kanë obligime karshi vendit të punës dhe ato kontrata mund të shkëputen, gjithherë nëse nuk iu përmbahen kontratave, por realisht trupa rezidente ka kontrata të rregullta.

A ka hapësirë për të marrë aktorë me kontratë vetëm për një premierë?

Hysenaj: Po, edhe kjo mundësi krijohet, por duke vendosur së bashku me regjisorin sa i përket aktorit që dëshiron ta marrë dhe nga cili vend, mirëpo edhe varësisht prej shfaqjeve që bëhen, domethënë, natyrës së shfaqjes, më pas vendos cilin dhe e bën një kontratë të veçantë me të për një periudhë aq sa parashihet në marrëveshjen paraprake.

Cilët janë regjisorët që do të prezantohen gjatë këtij viti?

Hysenaj: Regjisorët që do të prezantohen këtë vit janë:Elmaze Nura, Erson Zymberi, Fatos Berisha dhe Besnik Ukzmajli.

A ka pasur dhe a ka pakënaqësi nga aktorët që aspirojnë për të qenë pjesë e teatrit?

Hysenaj: Ka pakënaqësi, por jo edhe shumë. Ata janë të pakënaqur me statusin e tyre që e kanë në shoqëri.

Ju vazhdimisht e keni cekur që një ndër sfidat e funksionimit të teatrit është edhe interesimi jo i kënaqshëm i publikut për t’i ndjekur shfaqjet, pasi që biletat janë me pagesë. A besoni se do të rikthehet publiku në teatër?

Hysenaj: Unë kam thënë që publiku i Ferizajt është publik shumë i mirë dhe është ndër publiket që ekziston më së shumti në teatër, por e veçanta e saj është se publiku është shumë i ri. Po të  kishim një financim të rregullt, ne do të duhej t’i shqyrtonim këto çështje dhe të promovojmë shfaqje me tema edhe për gjenerata të tjera. Biletat për momentin, në krahasim me rrogën, është shumë nën nivel, pagesa është jashtëzakonisht e lirë. Edhe me ato të hyra nuk mund të paguash as një mëditje të aktorëve. Për këtë arsye, teatri është shumë fitimprurës. Teatri nuk mund të ekzistojë vetë. Po të kishim një repertor akoma më të rregullt, financat do të ishin në nivel, të kishim shfaqje më shumë, t’i sillnim edhe shfaqjet mysafire prej shteteve tjera, jo vetëm prej Kosovës, atëherë publiku do të rritet vazhdimisht. Por gjithsesi, unë gjithmonë jam optimist që publiku ferizajas do të rritet dhe do të mbetet i kënaqur me shfaqjet që iu ofrohen.

*Mirvete Shabani është studente e Departamentit të Gazetarisë së Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here