Jakup Krasniqi: Shteti dështoi në rastin e vjedhjes së 2 milionë eurove nga Thesari

0
97

Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është një temë e cila e ka trazuar situatën politike në vend. Pikërisht për këtë çështje, BE-ja nuk po cakton datë të re për takimin e radhës në mes të palës kosovare dhe asaj serbe në Bruksel.

Kjo për shkak të kundërshtimeve në Kosovë se ky Asociacion të mos ketë kompetenca ekzekutive dhe kërkesës së Serbisë që ky Asociacion të krijohet po mbi këtë bazë.

Jakup Krasniqi, kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, ka thënë se partia në të  cilën bën pjesë ai është kundër krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, me kompetenca ekzekutive.

“Ne nuk jemi kundër Asociacionit por Kosova e ka një Asociacion të shumicës së komunave dhe ai Asociacion e ka një statut të vetin dhe ne konsiderojmë që nuk është ndonjë vështirësi që të jetë edhe një Asociacion i Komunave me kompetencat që i parasheh Kushtetuta e Kosovës dhe që i parashohin edhe standardet e dokumenteve sidomos të BE-së”, ka thënë ai.

Kështu, Krasniqi i konsideroi të paarsyeshme kërkesat që t`i jepen kompetenca shtesë këtij Asociacioni.

“Kështu që një Asociacion për të qenë në shërbim të qytetarëve kështu siç është ky Asociacioni që e kemi nuk është ndonjë problem, por kur tentohet që këtij Asociacioni t`i jepen kompetenca shtesë apo edhe të jetë në një nivel shtetëror ne mendojmë se janë kërkesa të paarsyeshme dhe nuk kanë për qëllim që ky Asociacion të jetë në shërbim të qytetarëve për të lehtësuar jetën e tyre dhe për të krijuar një qeverisje më të mirë për ta”, ka thënë ai në një intervistë për Front Online.

Jakup Krasniqi: Serbia nuk është e gatshme për marrëveshje me Kosovën

Pavarësisht se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë ka rifilluar, politikanët në vend po konsiderojnë që arritja e marrëveshjes finale mes shteteve nuk është afër.

Ish-kryeparlamentari, Jakup Krasniqi në një intervistë për Front Online ka thënë se krerët e politikës serbe nuk janë të gatshëm për të arritur një marrëveshje me Kosovën.

“Personalisht i kam dyshimet e mija që krerët e lartë të politikës së Serbisë në Beograd nuk janë të gatshëm që të bëjnë një marrëveshje të mirëfilltë me Republikën e Kosovës. Nuk janë të gatshëm që ta njohin shtetin e Kosovës. Nuk janë të gatshëm t`i pranojnë krimet e gjenocidin që e kanë bërë në Kosovë. Këtë nuk e kanë bërë as me një kërkim falje formale dhe unë shoh pengesa të shumta që vijnë nga Beogradi”, ka thënë ai.

A ka aspirata për postin e presidentit? Tregon Jakup Krasniqi

“Jakup Krasniqi është ndër politikanë me karrierën më jetëgjatë në politikën kosovare. Si i tillë ai mund të jetë edhe një ndër politikanët e propozuar për pozitën e presidentit. Për një gjë të tillë është deklaruar edhe ai.

Ai tha se Kosova ka shumë personalitete të tjera që mund ta duan atë pozitë më shumë se ai.

Unë nuk udhëhiqem nga logjika që udhëhiqen shumë udhëheqës të Kosovës, që mendojnë se ata janë e vetmja zgjidhje. Unë nuk e shoh veten ashtu. Unë e di që Kosova ka shumë personalitet që mund ta ushtrojnë atë pozitë ceremoniale sepse më tepër pozita e presidenti është pozitë ceremoniale dhe natyrisht pasi Kuvendi i Kosovës përbëhet prej partive politike duhet të jetë një komunikim i partive politike në Kuvend që janë përfaqësuesit e Kuvendit që ta gjejnë një kandidatë që ata do të mendonin që e përfaqësojnë interesat e vendit më mirë”, ka thënë ai.

Krasniqi është pyetur edhe për gjasat që Vlora Çitaku mund të jetë e propozuara e PDK-së për këtë pozitë. Sipas tij kandidatët që vijnë nga partitë politike, nuk mund të përfaqësojnë unitet.

“Tash kandidatët që vijnë nga partitë politike nuk është lehtë për të qenë figurë unifikuese e partive politike. Ky mendoj që është problemi kryesor. Unë nuk kam problem tek Vlora pasi e njohë atë mirë dhe mendoj që paraqitjet e saj edhe si ambasadore në SAHBA  por edhe në OKB mendoj që kanë qenë mjaft përmbajtjesore”, ka thënë ai.

Jakup Krasniqi e pranon: Dy personat në arrati janë anëtarë të Nismas

Kosova dje është tronditur nga lajmi se një punëtor i Thesarit të Kosovës me iniciale L.G. dyshohet se, përmes katër transaksioneve të ndryshme, ka bërë transferimin e mbi 2 milionë eurove të buxhetit në llogari të një kompanie private, LDA Group Shpk, pronarët e së cilës janë përfolur se janë anëtarë të Nismas.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, e ka pranuar se personat e përfshirë në skandal janë anëtarë të Nismas, por që nuk kanë funksione në institucione të vendit.

“Zyrtari që ka qenë në atë ministri nuk është pjesë e strukturave të Nismas, por kandidatët e tjerë që janë përmendur janë anëtarë të Nismas, por që nuk kanë qenë pjesë të institucioneve  dhe natyrisht që Nisma i ka marrë masat e veta në këtë drejtim. Për neve një veprim i tillë është i papranueshëm dhe se përgjegjësia kryesore është e Qeverisë dhe e institucioneve të shtetit që vërtetë nuk kanë marrë masa për të mbrojtur paratë e tatimpaguesve të Kosovës”, ka thënë ai, për Front Online.

Krasniqi ka konsideruar që shteti ka dështuar në mbrojtjen e të dhënave dhe ndaj mundësisë për sulme të tilla.

“Kjo duhet të themi se realisht këto sulme duan një mbrojtje dhe mbrojtja duhet të jetë profesionale. Konsideroj që institucionet e shtetit nuk i kanë marrë masat e duhura me profesionistë ta mbrojnë sulmin dhe konsideroj që njerëzit që vërtetë janë profesionistë të mirë  është e udhës të vendosen në vendet e caktuara dhe ata duhet të jenë të stimuluar me paga mujore do të thotë Qeveria e ka përgjegjësinë që në institucionet e shtetit të merr nëpunës profesionistë dhe që e njohin mirë punën e tyre dhe që e kryejnë mirë detyrën e tyre”, ka thënë ai.

Krasniqi: Nisma do të garojë e vetme në zgjedhjet e ardhshme

Në zgjedhjet e 6 tetorit e vitit të kaluar Nisma Socialdemokrate garoi në zgjedhje me AKR-në. Madje menzi e kaluan pragun zgjedhor.  Duke folur për zgjedhjet e ardhshme, Jakup Krasniqi, kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, tha për Front Online, që kjo parti do të garojë e vetme.

“Unë mendoj që nuk është koha e koalicioneve, nuk duhet që të paragjykojë. Nisma është parti politike është edhe në Parlament. Ne të gjithë angazhimin tonë e bëjmë që ta forcojmë Nismën. Jemi edhe në zgjedhjet e brendshme të Nismës dhe vendimet e Qeverisë për shkak të pandemisë po na pengojnë që ta përmbyllim këtë proces ne jemi që kurdo që të ndodhin zgjedhjet të shkojmë si subjekt në vetë”, ka thënë ai.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here