Largimi i njerëzve me aktakuza s’vlen për Parlament e PDK

0
19

Kadri Veseli ka dështuar t’i largojë nga Partia dhe Parlamenti njerëzit e PDK’së që kanë aktakuza. Ka dështuar t’ua tregojë derën Adem Grabovcit, Sokol Bashotes, Sami Lushtakut dhe të tjerëve me aktakuza.. Ka dështuar po ashtu ta largojë nga Parlamenti edhe Zenun Pajaztin i akuzuar në rastin “Pronto”

i

Kur Agim Çeku ishte bërë Kryeministër më 2 mars 2006, PDK kishte nisur një fushatë kundër tij, Atëkohë, njerëzit e Hashim Thaçit e Kadri Veselit e patën shpallur edhe tradhtar pse i njëjti kishte pranuar të bëhej Shef i Qeverisë duke iu bashkuar formalisht AAK’së.

Vite më vonë, Agim Çeku, kishte hyrë në PDK pasi kishte dështuar me PSD’në e AKR’në. Më 2013, Çeku kishte hyrë në Partinë e Hashim Thaçit duke e kandiduar pastaj në garën e dështuar për Kryetar të Prishtinës.

Degradimi i Çekut kishte vazhduar kur PDK e emëroi Zëvendësministër në Ministrinë e Mbrojtjes.

E më së keqi, ish-Shefi i UÇK’së pësoi kur edhe nga kjo pozitë e largoi Kadri Veseli me një vendim të pashkruar se asnjë zyrtar me aktakuzë s’bën të jetë pjesë e institucioneve përfshirë Qeverinë, Parlamentin dhe PDK’në.

Këtij vendimi ia panë sherrin edhe Besim Beqaj e Nijazi Kryeziu dy figura periferike të PDK’së.

Ndërkohë, s’po ka kush i largon nga PDK’ja asnjë zyrtar tjetër me aktakuzë.

Njëri prej tyre është edhe Zenun Pajaziti deputet i PDK’së. I njëjti po vazhdon të jetë përfaqësues i popullit anipse ka aktakuzë të njëjtë me Besim Beqajn e Nijazi Kryeziun.

I kontaktuar nga Gazeta Express për këtë çështje Pajaziti ka refuzuar të komentojë deklaratat e shefit të tij duke thënë se nuk mund të flas në telefon pasi që po keqkuptohet.

“Jo nuk dua të flas në telefon sepse po keqkuptohem dhe jam në pushim” është përgjigjur shkurt Pajaziti.

Express i ka dërguar pyetjet më shkrim por i njëjti s’është përgjigjur pavarësisht pritjeve disa orëshe.

Ndërkohë, në PDK po vazhdojnë të kenë pozita udhëheqëse edhe njerëzit tjerë që përballen me akuza për krim e korrupsion në mesin e të cilëve edhe Sokol Bashota i Klinës e Qemajl Mustafa i Gjilanit.

Nga Partia kanë refuzuar të largohen edhe Adem Grabovci, po ashtu, i akuzuar në rastin Pronto. Madje, Grabovci ka folur ditë më parë me përçmim ndaj vendimit të Kadri Veselit, duke thënë se s’ka kush e largon prej partisë përpos ata që e kanë votuar.

Sami Lushtaku ka refuzuar vendimin e Veselit dhe ka lëshuar akuza në drejtim të 4-5 njerëzve të PDK’së për të cilët ka thënë se duhet të largohen me turp nga partia pasi kontrollojnë gjithçka në Kosovë.

Sidoqoftë, Express ka shkruar ditë më pare  se Adem Grabovci s’e ka më mendimin e njëjtë sikur dikur – në përgjimet e PRONTO’s – kur zotohej se do të respektonte secilin vendim të Kadri Veselit, i cili ishte vetëm anëtar i PDK’së.

Në përgjime teksa merrte urdhra nga Veseli, Adem Grabovci thoshte se “ti merr vendime, unë i zbatoj”.

Raportet e Grabovcit me Kadri Veselin kanë ndryshuar krejtësisht prej se Kryetari i PDK’së vendosi t’i përjashtojë nga partia të gjithë ata që kanë aktakuza. E t’i shkarkojë nga Qeveria gjithë ata që përballen me drejtësinë.

Adem Grabovci ka folur me përçmim kur është pyetur për vendimin e ish-shefit të SHIK’ut për përjashtimin nga organet e partisë të atyre që kanë probleme me ligjin.

“More çfarë vendimi të Kryetarit të Partisë? Çfarë largimi?”, ka shtruar pyetje Grabovci dhe ka dhënë përgjigje edhe për vendimin e Kadri Veselit.

“Mu vota më ka zgjedhë e vota mundet me m’largu, askush tjetër. Jam njëri ndër themeluesit e Partisë Demokratike të Kosovës, edhe nëse mbetet vetëm një anëtar i PDK’së, ai jam unë”, ka thënë Grabovci për Express.

Adem Grabovci nuk ishte lejuar të kandidonte për deputet në zgjedhjet e fundit nacionale. Edhe i propozuari i tij për Ministër, Besim Beqaj, është shkarkuar nga Veseli.

Ish-Nënkryetari i PDK’së fillimisht kishte humbur pozitën e Shefit të Grupit Parlamentar të PDK’së kur shpërtheu afera e quajtur “Pronto”, e cila ende nuk është mbyllur, e ku dëgjohen zyrtarët e PDK’së teksa flasin për punësimet e anëtarëve të partisë nëpër institucione të shtetit. Në mesin e bisedave janë edhe ato të Grabovcit me Kadri Veselin, i cili i tregon se cilin person duhet ta shtyjë përpara për pozitat publike.

Së fundmi, Kadri Veseli, në një paraqitje publike, dha lajmin se po i largon njerëzit me aktakuza nga Partia e Qeveria. Deri më tash kanë pësuar tre persona: Besim Beqaj, Nijazi Kryeziu dhe Agim Çeku.

Por, në Parti s’po ia pranojnë vendimin. Vendim ky që nuk është marrë as në Kryesi dhe as në Këshillin Drejtues.

Pikërisht këtu ndalet Adem Grabovci. Thotë se nga Partia të largojnë vetëm ata që të sjellin aty – anëtarët e Këshillit Drejtues.

“Vetëm vota mund të më largojë prej partie Unë i falënderoj të gjithë votuesit gjegjësisht anëtarësinë e PDK’së që më kanë votuar fuqishëm dhe jam njëri ndër më të votuarit në këshillin drejtues të PDK’së, vetëm ata që ma kanë dhënë votën mund të më largojnë”, ka thënë Grabovci.

Ish-deputeti i PDK’së ka thënë se respekton çfarëdo vendimi që bazohet në Statutin e Partisë. Ky dokument s’përcakton askund të drejtën e Kryetarit t’i përjashtojë njerëzit nga Partia.

“Unë jam institucionalist, i respektoj institucionet, i respektoj rregullat që i nxjerri vet, statutin e partisë ai për mua është kushtetuta e partisë, siç është kushtetuta e shtetit edhe kushtetuta dhe programi janë për partinë”, ka shtuar ai.

Kadri Veseli ende s’e ka thënë asnjë fjalë dhe s’e ka marrë asnjë veprim për largimin e atyre me aktakuza. Madje, disave ju ka premtuar se vendimi nuk i prek, duke bërë seleksionime.

Megjithëkëtë, Sami Lushtaku dhe Sokol Bashota, po ashtu, kanë refuzuar të pranojnë vendimin e Kryetarit të PDK’së. 

Lushtaku ka thënë se s’ka bir nane që e largon nga PDK’ja. Ka kërkuar të largohen me turp 4-5 njerëz të PDK’së që kontrollojnë mediat, biznesin dhe drejtësinë.

Adem Grabovci s’dëshiron të kometojë deklaratat e zyrtarëve tjerë të PDK’së. Vetëm konfirmon se do të punojë për të mirën e partisë së themeluar pas përfundimit të luftës.

“Po e përsëris se edhe nëse mbetem anëtari i vetëm i partisë unë do të jem dhe do ta zhvilloj partinë sepse besoj shumë në vizionin e PDK’së të cilin e kam krijuar dhe fuqizuar edhe vet”.

Të shtunën në shtëpinë e Adem Grabovcit kishte shkuar Presidenti Hashim Thaçi, i cili të premten kishte nderuar me dekoratë “Hero i Kosovës”, Dinë Grabovcin e vrarë në luftë.

Adem Grabovci s’ka komentuar nëse këto veprime dhe vizita e Presidentit lidhet me zhvillimet në PDK. Vetëm ka lavdëruar vendlindjen e tij, Pejën.

“Te na n’bjeshkë është shumë mirë, është vizitë normale”, ka thënë Adem Grabovci, i cili është anëtar i Këshillit Drejtues të PDK’së.

Express ka shkruar, po ashtu, se Kryetari i rizgjedhur i PDK’së, Kadri Veseli, e ka shkelur krejtësisht Statutin e Partisë kur ka vendosur krye në vete t’i përjashtojë nga Partia e t’i shkarkojë nga Qeveria zyrtarët me aktakuza. Asnjë nen i Statutit të PDK’së nuk i jep kompetenca të tilla Kryetarit të Partisë. Gjithçka që mund të bëjë Veseli është të propozojë shkarkimin kurse vendimi i takon Kryesisë ose Këshillit Drejtues.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here